headerphoto

TË JETOSH I KËNAQUR ME DOBËSITË E TUA

MANNA E SË HËNËS
18 Korrik, 2011

 

Nga Robert D. Foster

Nga të gjitha frikërat që përjetojmë, më e madhja është frika nga plakja. Disa muaj më parë mbusha 91 vjeç. Ndonëse disa njerëz këtë moshë mund ta quajnë të tejshtyrë, unë e shoh si fazën më të fundit të asaj aventure të madhe që quhet jeta ime.

Mendo pak: pjesa e katërt e një loje basketbolli është pjesa më intriguese; pse mos vlejë kjo edhe për jetën?

Më kanë pas thënë se tre janë fazat e jetës: rinia, mosha e pjekur dhe pleqëria. Por shumë njerëz nuk ia arrijnë kësaj të fundit ose, të paktën, nuk e jetojnë atë në mënyrë produktive. Një nga miqtë e mi për shembull, e pa fundin e jetës së tij në moshën 50 vjeçare dhe, me standardet e sotme, ai ishte relativisht i ri. Një mik tjetër hoqi dorë nga jeta aktive në moshën 65 vjeç duke i kthyer shpinën si eksperiencës ashtu edhe autoritetit që kishte krijuar për gati 6 dekada, pikërisht kur ishte në kohën e “fijeve të argjendit mes floririt”, siç thotë kënga e famshme e shekullit të kaluar që i dedikohet plakjes me hir e me lezet. “Jam shumë i lodhur, ndihem shumë i plakur”, tha dhe hoqi dorë nga “vepra” e jetë së tij që ende nuk e kishte përfunduar.

Plakja nuk duhet parë si pengesë. “Të jesh 70 vjeç i rritur,” ka shkruar juristi i njohur Oliver Wendell Holmes (Oliver Uendll Holms), është nganjëherë më frymëzuese se të jesh 40 vjeç i vjetër.”

Kuptohet, plakja është një nga ato procese të panumërta jetësore që mund të merren ose si “kufizime” ose si “mundësi”. Ja disa shembuj njerëzish, të cilët kanë kryer vepra të mëdha duke u ngritur mbi “kufizimet” që u ka nxjerrë jeta, njerëz, të cilët nuk ia dorëzuan veten plogështisë që iu impononte problemi shëndetësor që kishin.

  • Shkrimtari Robert Louis Stevenson (Robert Luis Stivenson) ka qenë invalid gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij.
  • Poeti Lord Byron (Lord Bajron) kishte njërën këmbë të keq zhvilluar.
  • Shtetari romak Julius Caesar (Jul Qezari) vuante nga epilepsia.
  • Kompozitori Ludwig von Beethoven ishte i shurdhët.
  • Udhëheqësi politik dhe ushtarak francez, Napoleon Bonaparte, ishte tepër i shkurtër në trup.
  • Kompozitori Wolfgang Amadeus Mozart vuante nga sëmundja e “konsumimit” që sot quhet tuberkuloz.
  • Presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt ishte i sëmurë me poliomielit.
  • Shkrimtarja dhe aktivistja politike, Helen Keller ishte shurdhmemece që nga fëmijëria.

Në Testamentin e Ri të Biblës, te Korintasve 12:7-9 , apostulli Pal e përmbledh kështu pikëpamjen e tij mbi kufizimet dhe dobësitë shëndetësore të njeriut: "Mu dha një gjemb në mish…Tri herë iu luta Zotit që të ma largonte, por Ai më tha: 'Hiri IM të mjafton, sepse fuqia IME përsoset në dobësi.’ Kur dëgjova këto fjalë, unë e hoqa mendjen nga dobësia ime dhe fillova ta vlerësoj atë si dhuratë. Tani ndjehem i kënaqur në dobësitë e mia sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.”

Ja vlen ta shohësh jetën kështu. Kurrë mos i justifiko dështimet me dobësitë e tua shëndetësore.

Marrë dhe adaptuar nga “Take Two on Monday Morning”, shkruar nga Robert D. Foster. Materiali mund të riprodhohet falas, por duke përmenduar autorësinë. Për pyetje dhe komente shkruani në: 29555 Goose Creek Rd, Sedalia, CO 80135, U.S.A., ose dërgoni faks në: (303) 647-2315. Z. Foster është 91 vjeç. Besnik ndaj thirrjes së tij, ai vazhdon ta “kapë ditën” çdo ditë.

Pyetje dhe diskutime

  1. Cila është frika jote më e madhe në jetë? A është frika nga pleqëria? Apo trembesh nga ndonjë gjë tjetër? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Plakja konsiderohet përgjithësisht si një proces kufizues në jetë. Çfarë kufizimesh të tjera shikon te vetja?
  3. Kujtohu për ndokënd që e njeh dhe që ka tejkaluar shumë kufizime në jetën e vet. Ku mendon se e ka gjetur forcën për të mbijetuar në mënyrë produktive?
  4. Në pasazhin e cituar nga Bibla, apostulli Pal shkruan për “dhuratën e dobësisë”. Sipas tij, fuqia e Perëndisë përsoset pikërisht në dobësi. A e beson këtë? Pse, ose pse jo?

 

Për më tepër në lidhje me këtë temë, mund të shikosh pasazhet nga Bibla si më poshtë:

Isaia 35:3-4; 40:31; Romakëve 5:3-5; 2 Korintasve 1:26-29; 2 Korintasve 13:3-4; Jakobi 1:2-8

0 komente:

Post a Comment