headerphoto

A I KE TË ARDHURAT MË TË MËDHA SE SHPENZIMET?

MANNA E SË HËNËS
27 Qershor, 2011

Nga Robert J. Tamasy

Të ardhura dhe shpenzime. Kredite dhe debite. Depozita dhe tërheqje. Këto terma përdoren në biznes dhe në botën profesionale për të matur atë që quhet “taban sigurie”. Po i mbajte të ardhurat në një nivel më të lartë se shpenzimet, po akumulove kredite më shumë se debite dhe, po pate më shumë kapital gjendje se sa në proces qarkullimi, atëherë mund të thuhet se biznesi yt është në rregull.

Termat “depozita” dhe “tërheqje” përdoren në terminologjinë bankare, por, në kuptimin e mardhënies ndërnjerëzore, ato mund të përdoren edhe në jetën familjare dhe në atë profesionale. Të gjithë ne kemi brenda vetes atë që psikologët e quajnë “magazinë emocionesh” dhe, kur kjo magazinë është e mbushur plot, ne ndjehemi te lehtësuar; kur ajo boshatiset, ndjehemi të stresuar.

Ka shumë mënyra për të “depozituar” në magazinën emocionale të dikujt duke i dedikuar atij/asaj kohë dhe vëmëndje. Nganjëherë edhe një përkëdhelje e lehtë me dorë është me vlerë të madhe. Por një nga mënyrat më të mira për të mbushur magazinën emocionale të dikujt është përdorimi i fjalës së duhur në kohën e duhur. E kundërta ndodh me fjalën e folur pa kujdes.

Mbaj mend që kam pasur shefa që i bënin të dyja këto. Njëri ishte i predispozuar të më inkurajonte sidomos në raste kur kisha ndonjë dështim në punë. Ai më thoshte me ngrohtësi: “Radhës tjetër do ta bësh më mirë”. Shefi tjetër rrallë e tek më thoshte ndonjë fjalë të mirë. Një herë mu drejtua: “Po nuk të thashë gjë, atëhere mendo se punët po të shkojnë mirë”. Problemi me atë shef ishte se ai më thoshte gjithmonë diçka, por nuk nxorri asnjëherë nga goja fjalën “mirë”.

Çdo njeri e ka të ndryshme nevojën për përkrahje emocionale, por të gjithë ne e vlerësojmë fjalën e mirë teksa përballemi me anët negative të jetës së përditshme. Në një nga Manna-t e mëparshme kemi folur për forcën dhe ndikimin e gjuhës (fjalës) duke vënë në dukje anët pozitive dhe negative të saj. Por është e dobishme që t’i rikthehemi këtij aspekti të komunikimit njerëzor në mjedisin e punës. Janë me vlerë të madhe disa këshilla që jepen në Bibël, në këtë “manual universal biznesi”:

Në vend që të shkatërrosh, ndërto! Kur njeriu ndodhet nën presion, e ka më të lehtë të gjejë gabime se sa të bëjë lavdërime. Por një lider i mirë është ai që ndërton besim tek vartësit duke i motivuar ata që të ndërmarrin sfida gjithnjë e më të mëdha. Për t’ia arritur kësaj, duhet të mësojmë se si ti “kapim në flagrancë” njerëzit kur janë “duke punuar mirë”: “Asnjë fjalë e keqe të mos dalë nga goja juaj, por ajo (fjalë) që është e mirë për ndërtim sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.” (Efesianëve 4:29).

Përpiqu të inkurajosh dhe jo të thyesh zemra. Vite më parë më morën në intervistë për një vend pune në një organizatë jo fitimprurëse. Isha rishtar, më mungonte përvoja, por ata që më intervistuan më konsideruan si “diamant të palatuar”, si një punonjës tek i cili ia vlente të investoje. Me këtë sy më panë shefat e mi për një kohë të gjatë mbasi fillova punë dhe ata u shpërblyen për besimin që kishin treguar. “Gjuha ka pushtetin e jetës dhe të vdekjes. Ata që duan (njerëzit) do të hanë frytet e saj” (Fjalë të Urta 18:21).

Përgjigju me mirësjellje dhe jo me zemërim. Përballë vështirësive të punës së përditshme dhe, sidomos, kur ka afate që duhen plotësuar, ne, pa e menduar shumë, u flasim me ashpërsi të tjerëve. Por, duke treguar maturi dhe simpati, mund t’i kthejmë situatat e tensionuara në çaste pozitive. “Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por një fjalë e vrazhdë e ngjall atë” (Fjalë të Urta 15:1).

Robert J. Tamasy eshte nenpresident per Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., nje shoqate jo fitimprurese me baze ne Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarine profesioniste prej me shume se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe eshte bashkeautor me David A. Stoddard ne vepren The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Përshkruaj gjendjen e magazinës tënde të emocioneve në këtë moment Është plot, është pothuajse plot apo është duke u boshatisur fare? Shpjegoje përgjigjen.
  2. A je në gjendje të ndihmosh në mbushjen e “magazinës së emocioneve” të të tjerëve? A mendon se duhet të shqetësohesh për këtë gjë? Pse, ose pse jo?
  3. Mendo për ndonjë rast kur je ndjerë bosh emocionalisht dhe fjala e zgjedhur e dikujt të ka lehtësuar. Si ka qenë ai rast dhe si u ndjeve më pas?
  4. A mendon se është e mundur që të jesh “i sinqertë deri në ashpërsi”? Mendo për ndonjë mënyrë se si mund të kritikosh dikë pa e prekur atë në sedër. Mundohu të bësh krahasimin midis këtyre dy situatave.

Shënim: Po qe se e ke Biblën dhe kërkon të lexosh më shumë për këtë temë, shiko si më poshtë:

Fjalë të Urta 10:9, 10:32, 11:12, 13:3, 15:4,7, 16:21-24, 17:28, 18:7; Jakobi 3:3-6

0 komente:

Post a Comment