headerphoto

QASJA ËSHTË GJITHÇKA

MANNA E SË HËNËS
4 Prill, 2011
Shalom Media

Nga Robert J. Tamasy

“Ke qasjen e duhur për ta përballuar këtë.”  “Duhet patjetër  të ndryshosh qasjen. E ke jo të mirë!” Këto dy përcaktime janë diametralisht të kundërta me njëra tjetrën, por na bëjnë të mendojmë për vlerën e qasjes në mënyrën se si përballojmë përgjegjësitë në punën e përditshme. Në qoftë se ke arsimin e duhur, ke aftësitë e duhura, ke përvojë dhe të jepen edhe mundësitë, normalisht duhet që suksesi të mos mungojë.

Por nuk është gjithmonë kështu. Njerëzit mund të kenë të njëjtin arsimim, të marrin pjesë në të njëjtët kurse trajnimi, të kenë aftësi dhe  mundësi të ngjashme, e megjithatë dikush ka sukses e dikush tjetër dështon. Çfarë i dallon këta nga njëri tjetri? Në shumë raste përgjigja e kësaj pyetje përmblidhet në një fjalë: Qasja

Autori Charles Swindoll (Çarlz Suindoll) e përcakton kështu: “10 për qind e qasjes është ajo çka të ndodh ty dhe 90 për qind e saj është se si ti reagon ndaj asaj që të ndodh”. Viktor Frankl, një neurolog dhe psikolog austriak, i cili ka shkruar mjaft në lidhje me mbijetesën në kampet naziste të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ia dedikon aftësinë e tij për të mbijetuar (ndërsa shumë të tjerë vdiqën) mënyrës se si njeriu e përcakton qasjen e vet ndaj situatave të caktuara.

Shumë mjekë pranojnë se qasja individuale e pacientëve (më shumë se sa kujdesi mjekësor) mund të jetë faktori vendimtar për të pasur pasoja të mira pas ndonjë operacionin kirurgjikal ose pas ndonjë sëmundjeje të rrezikshme. Katër vjet më parë unë bëra një operacion në zemër. Para se të fillonte operacioni, unë e ndava mendjen se do të bëja gjithçka për t’u shëruar, përfshirë këtu edhe një proces të mundimshëm ushtrimesh fizike. Sot mund të them se, pikërisht në sajë të atij vendimi, unë gëzoj shëndet të mirë. 

Si mund të zbatohet kjo teori e “qasjes”? në vendin e punës. Në rast se të ofrohet një punë e re,  ti ke mundësinë për ta kryer me sukses vetëm në qoftë se e merr me entuziazëm dhe me dëshirën për të mësuar çdo detaj të saj.  Kjo nuk do të thotë se do ta kesh fare të lehtë dhe pa probleme, por ato tejkalohen vetëm duke e nisur çdo ditë me optimizëm dhe besim. 

Njerëzit që kanë një marrëdhënie intensive me Perëndinë zakonisht demonstrojnë qasje të mira edhe në botën e sotme, ku biznesi është kaotik dhe i paparashikueshëm. Lutjet, urtësia e Biblës dhe parimet biblike janë për ta burime energjie që nuk i kanë të tjerët. Ja disa ide mbi qasjen që dalin nga Shkrimet e Shenjta:

Përqendrohu në gjërat pozitive dhe jo në rrethanat negative.  Jetojmë në një botë që përgjithësisht dominohet nga lajmet e këqija dhe që është plot dëshpërim.  Për të mbijetuar duhet të përqendrohemi në ato gjëra që sjellin shpresë. “…të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, të virtytshme e të lëvdueshme, këto mendoni” (Filipianëve 4:8).

Duke u përballur me fatkeqësi, ne pajisemi me urtësi nga Perëndia. Nganjëherë gjendemi në situata të dëshpëruara  ku nuk mundemi t’u japim drejtim gjërave. Perëndia na premton  “ Po në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le ta kërkojë nga Perëndia që u jep të gjithëve pa kursim e pa qortim, dhe atij do t’i jepet.” (Jakobit 1:5).

Egziston për këdo një plan i përkryer, edhe kur ndodhemi në vështirësi.  Ka raste kur është vështirë të shpjegohen fatkeqësitë që na ndodhin. Po ata që besojnë Perëndinë kanë sigurinë se Ai i di problemet e tyre dhe se po i përdor ata për qëllimet e veta hyjnore. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij” (Romakëve 8:28).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i  Leaders Legacy, Inc., një shoqate jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej me shume se 38 vjetësh, ai është autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A njeh ndonjë që të frymëzon me qasjet e tij optimiste dhe pozitive? Çfarë mendon për individët që kanë qasje negative? 
  2. Si e përcakton veten – si person me qasje pozitive apo e kundërta? Me fjalë të tjera, a je “një gotë” e mbushur gjysmë plot apo një “gotë” gjysmë bosh. Si ndikon kjo në qasjen tënde ndaj punës së përditshme?
  3. A mendon se qasja pozitive ndaj problemeve e lehtëson zgjidhjen e tyre? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Më sipër u tha se një marrëdhënie intensive me Perëndinë ndihmon për të pasur qasje pozitiviste. A pajtohesh  me këtë pohim. Pse ose pse jo?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do të deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, shiko si më poshtë:

Jeremia 29:11, 33:3; Romakëve 5:1-5; Efesianëve 3:20; Jakobit 1:2-8; 1 Gjoni 4:4

0 komente:

Post a Comment