headerphoto

ARTI FISNIK I TË UDHËHEQURIT ME PËRULËSI

MANNA E SË HËNËS
28 Mars, 2011
SHALOM MEDIA

Nga: Rick Boxx

Kam dëgjuar shpesh drejtues biznesi që flasin me admirim për ndonjë koleg ose punonjës të veçantë. Të gjithëve na pëlqen të vlerësohemi sidomos kur fjalët e mira vijnë nga ata me të cilët punojmë. Por, shumë kohë më parë, më bënë përshtypje në mënyrë të veçantë  fjalët e një kamerieri që shërbente në sallën ku unë po mbaja një ligjëratë. 

Ai e kuptoi që unë isha aty figura kryesore, prandaj m’u afrua dhe filloi të më fliste me admirim për një prej pjesëmarrëseve në atë konferencë. Kamerieri e kishte fjalën për Denisën, një biznesmenë e talentuar dhe njëkohësisht instruktore e zonja. Ajo bënte pjesë në grupin e të ftuarve. Ai tha: “Sapo që Denisa është pjesëmarrëse në këtë konferencë, kjo për mua do të thotë që konferenca është me vlerë.”  “Denisa”, vazhdoi ai, “është instruktore e zonja. Ne kemi qejf të punojmë me të, sepse ajo i trajton mirë njerëzit.”

Interesante! Megjithëse Denisa njihej botërisht si personalitet i lartë i biznesit, ajo paskësh gjetur kohë për të treguar afrimitet dhe interesim për personelin e hotelit. Në vend që të mbahej më të madh dhe të kërkonte trajtim të veçantë prej tyre, ajo ishte shndërruar në shërbyese e shërbyesve.

Në librin e tij Good to Great (Nga i Mirë në i Madh”, Jim Collins (Xhim Kollins) flet për konkluzionet e një studimi në lidhje me kompanitë më të suksesshme. Një nga karakteristikat e veçanta të këtyre kompanive është se drejtuesit e tyre demonstronin nivel të lartë vendosmërie. Por një karakteristikë  tjetër e përbashkët e tyre ishte edhe “përulësia”. Ai shkruan kështu:

“… këta drejtues i largojnë nga vetja egot personale duke i kanalizuar ato drejt një qëllimi më të madh, ngritjen e një kompanie të suksesshme…ambicia e tyre shtrihet për kah institucioni dhe jo për kah vetja e tyre.”

Më poshtë, në librin e tij, Collins vëren: “Ata që i kanë përshkruar të këta lloj drejtuesish kanë përdorur rëndom cilësime të tilla si: i qetë, i përulur, modest, i rezervuar, i turpshëm, i këndshëm, i butë në sjellje, i përmbajtur...” Thënë ndryshe, sipas këtij autori, “njerëz që prodhojnë rezultate të jashtëzakonshme duke qenë në dukje të zakonshëm”

Kjo bën kontrast të dukshëm me ata drejtues biznesesh për të cilët bëhet një publicitet madh në media. Drejtuesit e tipit  “Nga i Mirë në i Madh” që përmend Collins-i, duket se e kanë kuptuar kurthin që i ngre vetes njeriu të cilit i hyn vetja në qejf. Në Testamentin e Ri të Biblës thuhet kështu: “…secili prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se ç’duhet, por të ketë një besim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau” (Romakëve 12:3).

Jezu Krishti, jeta e të cilit shërben si shembull madhor përulësie për miliona njerëz në botë, na mëson te Mateu, 23:12, "se kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet."

Mesazhi është i qartë: Në qoftë se je në kërkim të një lideri të përkryer, shiko mes atyre që me përulësi u shërbejnë të tjerëve. Dhe, në qoftë se do të bëhesh vetë lider i përkryer, mëso së pari artin e të shërbyerit dhe të udhëhequrit me përulësi.

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi çështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i Krishterë. Për të ditur më teper mbi Integrity Resource Center (IRC), ose për të përcaktuar se në çfarë mase ti vetë i ndjek parimet e Perëndisë në biznesin tënd, provo pa pagesë testin FIRE  në vebsajtin  www.integrityresource.org.

CBMC INTERNATIONAL:  President: Robert Milligan
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
  Për çdo pyetje drejtohuni tek:
www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A ke qenë pjesë e ndonjë organizate apo ke asistuar në ndonjë takim ku të ka bërë përshtypje të thellë ndonjë lider për mënyrën se si e ka demonstruar përulësinë ndaj të tjerëve? Në rast se po, shpjego se çfarë konkretisht të ka bërë përshtypje nga sjellja e tij.
  2. Ndoshta nuk e ke lexuar librin e Jim Collins-it, Good to Great, por pse mendon se aftësia për t’u kujdesur për nevojat e të tjerëve është veçoria kryesore dalluese e një lideri të përsosur?
  3. Pse mendon se mburrja, madje edhe arroganca, janë sot kaq të dukshme te liderët më në zë, ndërsa ata që kryejnë detyrat me ndërgjegje dhe pa u ndjerë, nuk vlerësohen? A mendon se vetëmburrja dhe imponimi janë të nevojshme për të arritur sukses dhe për ta çuar kompaninë përpara? Pse, ose pse jo?
  4. Çfarë mendon për mësimin biblik ““…secili prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se ç’duhet…”  ose për mësimin  që na jep Jezusi se “kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet”? Sa e lehtë – ose sa e vështirë – është ta bësh këtë në praktikën e jetës së përditshme

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të lexoje më shumë për këtë subjekt, shiko pasazhet si më poshtë:

Fjalë të Urta 11:2, 15:33, 16:18, 18:12, 22:4; Filipjanëve 2:3-4; 1 Pjetri 5:5-6

0 komente:

Post a Comment