headerphoto

FORCA – DHE RREZIKU – I FJALËS SË FOLUR

MANNA E SË HËNËS
11 Prill, 2011
Shalom Media

Nga: Robert D. Foster

Josiah Wedgwood (Joziah Uexhuud), prodhuesi anglez i poçerive të famshme  Wedgwood, po i tregonte punishten një fisniku. Ata i shoqëronte një nga punëtorët, një djalë në moshë fare të re. Fisniku nuk merrte vesh nga ajo punë dhe fliste me  zotin Wedgwood duke përdorur një gjuhë vulgare.  Fillimisht djaloshi u trondit nga gjuha që përdorte fisniku. Pastaj qëndrimi i tij ndryshoi katërcipërisht. Ai filloi të argëtohej  nga shakatë e tij pa kripë dhe madje po qeshte me të madhe.   

Duke e vënë re këtë, zoti Wedgwood u mërzit shumë. Në fund të vizitës ai i tregoi fisnikut një vazo që kishte një dizenjo të veçantë. Ky i fundit u mrekullua nga forma e hijshme dhe bukuria e rrallë e vazos. 

U bë gati ta merrte në dorë për ta parë më nga afër, por qëllimisht, zoti Wedgwood e lëshoi vazon përdhe. Ajo vazo e shtrenjtë u bë njëqind copash dhe nuk riparohej më. I inatosur në kulm, fisniku bërtiti: “Atë vazo e desha për koleksionin tim. Ti, me atë pakujdesinë tënde, e bëre copë, copë!”

"Zotni”, iu përgjigj Z. Wedgwood, “ka shumë gjëra që prishen (sot) e që janë shumë më të vlefshme se sa ajo vazo që nuk riparohet më kurrë. Atij djaloshit që sapo u nda nga ne, ti nuk mund t’ia kthesh kurrë më nderimin për gjërat e shenjta që prindërit e tij janë munduar t’ia edukojnë prej vitesh. Ti i shprishe përpjekjet e tyre në më pak se një gjysmë ore.”

Po ne, si duhet të reagojmë para “gjuhës së rrugës”, kur njerëzit rreth nesh flasin në mënyrë vulgare me njeri tjetrin? Mund të reagojmë duke i gjykuar si njerëz vulgarë, por kjo qasje vështirë se ushtron ndonjë ndikim pozitiv tek ata. Në rast se vendosim ta ngremë zërin, atëherë duhet të veprojmë si Z. Wedgwood – të flasim me butësi, përulësi dhe ndershmëri.

Përgjigjen tonë ndaj vulgaritetit nuk duhet ta konsiderojmë si një rast për të vendosur drejtësi nëpërmjet vetëgjyqësisë. Nuk di se sa herë edhe unë mund të kem përdorur gjuhë vulgare. Vërtet pata sukses në mposhtjen e saj, por diçka ka mbetur thellë, brenda vetes time. Bibla na kujton, “Prandaj, ai që mendon se qëndron i patundur, duhet të ketë kujdes se mos bjerë!” (1 Korintasve 10:12).
Prandaj, në rrjedhën e viteve, jam munduar që t’u paraprij me një lutje të thjeshtë fjalëve që nxjerr nga goja: “U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot” (Psalmeve 19:14).

Natyrisht, ka raste – në punë e siper-  kur rrethanat na tundojnë për të nxjerrë nga goja fjalë që i ofendojnë të tjerët. Prandaj do të ishte mençuri që të mbajmë parasysh qortimin e apostullit Pal te Efesianëve 4:29, “Asnjë fjalë e keqe të mos dalë nga goja juaj, por vetëm ajo që është e mirë për t’u dhënë hir të tjerëve sipas nevojave të tyre dhe, prej së cilës, mund të përfitojnë ata që dëgjojnë.”

Një miku im, Mart De Haan, sugjeron këtë lutje: "O Atë, falmë kur përdor për kotësi Emrin Tënd, qoftë edhe në fshehtësinë e zemrës time. Na ndihmo të gjithëve që të luftojmë atë vetëbesim nervoz e të nxituar që na bën të përdorim mendime kaq të madhërishme për gjëra të ulta e vulgare. Na ndihmo që ta mposhtim injorancën tonë duke njohur nevojën për ndihmë nga Fryma Jote, e cila do të na bëjë të themi : ‘O Zoti im, më mundëso që gjithçka që bëj dhe them të mos jetë për të kënaqur veten time, por, në radhë të parë, për të kënaqur Shpirtin e Krishtit. Amin.' "

Adaptuar nga “Sfida”, shkruar dhe publikuar nga Robert D. Foster dhe Rick Foster. Lejohet riprodhimi. Për pyetje dhe komente shkruani te: 29555 Goose Creek Rd, Sedalia, CO  80135, U.S.A., ose dërgoni faks te (303) 647-2315.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni cdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A e ke ti ngasjen për të folur pa menduar ose, siç e ka përcaktuar dikush “t’i futësh gojës marshin e pestë, ndërsa mendjen e ke në afoljo”? Cilat mund të jenë pasojat e të folurit pa kujdes? Si mund të mposhtet ky zakon?
  2. A ka probleme të gjuhës vulgare atje ku punon? Në rast se po, çfarë mund të bëhet në lidhje me këtë? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Çfarë mendon për rastin e Z. Wedgwood  dhe për mënyrën se si ai iu përgjigj vulgaritetit të fisnikut? A mendon se veproi drejt? Pse, ose pse jo?
  4. Pasazhi nga kapitulli i katërt i librit të Efesianëve të Testamentit të Ri thekson se ne duhet të flasim fjalë “…për t’u dhënë hir të tjerëve sipas nevojave të tyre dhe, prej së cilës, mund të përfitojnë ata që dëgjojnë.”  Sa e lehtë –ose e vështirë – është që kjo të zbatohet gjatë një dite pune mbushur me strese dhe kërkesë llogarie?

Nëse do të shohësh pasazhe të tjerë nga Bibla që kanë lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:

Fjalë të Urta 4: 24,10:19,10:32,12:18, 13:3, 14:29, Kolosianëve 4:5-6; Jakobi 3:1-12

0 komente:

Post a Comment