headerphoto

ISHTE VDEKJA E NJË VIZIONI - APO ÇFARË?

MANNA E SË HËNËS
18 Prill, 2011
Shalom Media

Nga Robert J. Tamasy

Imagjinoje veten antar të udhëheqjes më të lartë administrative të një firme që qëndron në pararojë të zhvillimit të teknologjive të reja, të cilat kanë ndikim në transformimin e jetës së miliona njerëzve.Presidenti i saj është një njeri magnetik, energjia e të cilit i frymëzon të gjithë ata që e pasojnë drejt një të ardhmeje të begatshme.

Në kuadrin e punës kërkimore shkencore, ky president shkon në një vend të Botës së Tretë. Teknologjia e prodhuar prej firmës së tij duhet të ketë një aplikim sa më universal, pavarësisht nga ndryshimet etno-kulturore midis kombeve. Mbasi ka mbaruar punë, ai përgatitet të marrë rrugën e kthimit, kur, papritur, vendi që ai vizitoi, goditet nga një tërmet. Në pistën e aeroportit hapet një e çarë e madhe, e cila bën që avioni që po nisesh, të rrokulliset e të bëhet copë copë. Asnjë nga pasagjerët nuk shpëton.

Si pasojë e tërmetit janë ndërprerë të gjitha komunikimet e vendit me botën, por megjithatë, njoftime të pjesshme arrijnë deri tek kolegët e tij të firmës. Kur morën vesh që lideri i tyre kishte vdekur, ata u kapën nga paniku. Pa të, misioni i tyre për të përfunduar teknologjinë e rëndësishme, do të dështonte. Nevoja për këtë teknologji ekziston akoma në shkallë botërore, por ishte presidenti në fjalë ai që zotëronte vizionin, ishte ai që udhëhiqte sfidën drejt së ardhmes. Tani ai kishte vdekur.

Sidoqoftë, dy ditë mbasi ndodhi kjo, u rivendos komunikimi me këtë vend. Brenda pak orëve ata morën vesh se presidenti i tyre nuk paskësh hipur fare në atë avion. Ai ishte shëndoshë e mirë.

Një ndodhi e ngjashme me këtë duhet të ketë ndodhur më shumë se 2 mijë vjet më parë, në një zonë të botës, të cilën e njohim të gjithë: Lindja e Mesme. Një lider i përulur, i quajtur Jezus, kishte bërë shumë njerëz pas vetes. Entuziazmi ishte në kulm; pasuesit ushqenin shpresa të mëdha për atë që do të përmbushnin nën udhëheqjen e Tij.
Papritur ëndrrat e tyre u bënë copë e thërrime mbi një kodër pranë Jeruzalemit, të quajtur Golgothá, ku Jezusin e kryqëzuan në një kryq të drunjtë, teksa udhëheqësit fetarë të asaj kohë e miratonin këtë veprim me thirrje aprovuese. Pasuesit e Jezusit – dishepujt e tij – të shpërndarë, u përfshinë nga pështjellimi. Kauza në të cilën besonin kishte humbur.

Kur ndodhi kjo ishte e Premte. Mëngjesi i së Dielës erdhi me lajme të frikshme: varri ku ndodhej trupi i Jezusit ishte bosh. Kishte dëshmitarë që jo vetëm e kishin parë, por edhe kishin folur me të. Gjallë! Si ka mundësi? Në ditët e mëpastajme Jezusi iu paraqit secilit prej pasuesve të tij besnikë. Ai ishte ngritur nga varri; misioni që ai pati filluar u rigjallërua. Sot – më shumë se 20 shekuj më pas – kauza e Krishtit marshon më e fortë se kurrë.

Ajo që filluan një grusht dishepujsh, sot është shndërruar në një lëvizje mbarë botërore. Me miliona njerëz vazhdojnë të mbajnë lart flamurin e Jezu Krishtit dhe mesazhin e tij të përjetshëm që mund të ta ndryshojë jetën për mirë. Pikërisht këtë javë, më 24 Prill, pasuesit e Jezusit në mbarë globin do të kremtojnë Të Premten e Mirë, duke përkujtuar vdekjen e Tij, kurse gjatë Pashkës, më 26 Prill ata do të festojnë ringjalljen e Krishtit. Ja disa thënie nga Bibla:

  • “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ne
    ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne”
    (Romakëve 5:8).
  • “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëlindurin që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Gjoni 3:16).
  • “Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është pa dobi dhe ashtu është edhe besimi juaj… Por Krishti u ringjall së vdekurish… kështu të gjithë do ngjallen në Krishtin” (1 Korintasve 15:14-22).

Ky është vërtet lajm i mirë, si për të gjitha fushat e jetës, ashtu edhe për biznesin dhe profesionistet e ndryshëm!

Robert J. Tamasy eshte nenpresident per Komunikimin i  Leaders Legacy, Inc., nje shoqate jo fitimprurese me baze ne Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarine profesioniste prej me shume se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe eshte bashkeautor me David A. Stoddard ne vepren The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. A ke punuar ndonjëherë në ndonjë kompani që kishte një lider të fortë, karizmatik që të frymëzonte? Ç’mund të thuash për këtë përvojë tënden?
  2. Çfarë ndodh zakonisht kur një udhëheqës me autoritet – ai që zotëron vizionet – largohet, qoftë për shkak të vdekjes qoftë edhe për shkaqe të tjera si dalje në pension, transferim diku tjetër, etj?
  3. Sipas mendimit tënd, çfarë tregon mbi mesazhin e Jezu Krishtit vetë jeta, vdekja dhe ringjallja e Tij? Si kanë ndikuar Ai dhe mësimet e Tij në jetën tënde? Të lutem shpjegoje përgjigjen.
  4. Çfarë domethënie kanë për ty E Premtja e Mirë dhe Pashka? A ka ndonjë ndikim kjo domethënie në punën tënde?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do të deshe të shikoje pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë, referoju vargjeve si më poshtë:

Mateu 27:32-28:20; Gjoni 19:16-20:31; Galatasve 2:20; Pjetri 3:1-9; Gjoni 1:1-4

0 komente:

Post a Comment