headerphoto

SHPALLJA E “DEKLARATËS SË PAVARËSISË”

MANNA E SË HËNËS
14 Shkurt, 2011
SHALOM MEDIA

Nga: Robert J. Tamasy

A e keni vënë re se fëmijët e rritur mezi  presin që të dalin më vete e të fitojnë pavarësi nga prindërit? Të miturit, natyrisht janë plotësisht të varur, por kur ata arrijnë një moshë të caktuar, zakonisht jo më shumë se dy vjeç, në mënyrë instiktive fillojnë të shfaqin shenjat e para të “deklaratës së pavarësisë”.

Kur përpiqesh ta ndihmosh një të mitur për t’i veshur këpucët, ai nuk të le, por të thotë: “I vesh vetë!” Mundohesh që t’i fusësh në gojë një fëmije kafshatën e fundit të ushqimit, por ai këmbëngul: “E ha vetë!”. Vërtet prindërit duan që fëmijët të bëhen të pavarur në jetën e tyre, por jo ama që në moshën dy tre vjeçare.

Impulsi për t’u mbështetur në forcat tona mbetet i fortë gjatë gjithë jetës. Shumë njerëz ëndërrojnë që të kenë pavarësi financiare. Të tjerë aspirojnë që t’i ngjajnë heroit të poezisë së William Ernest Henley me titull “Invictus” ( Nga latinishtja: I pamposhtur), botuar më 1888, ku ky hero deklaron: “Jam zot i fatit tim: jam kapiten i shpirtit tim.”

Është e admirueshme që të duash të jesh zot i fatit tënd dhe të marrësh përgjegjësi  për pasojat e veprimeve të tua në jetë. Megjithatë, pavarësia e plotë ka edhe anën e saj të errët.

Në Testamentin e Vjetër të Biblës mësojmë për Uziahun, i cili ishte mbreti i Judës për 52 vjet rresht. Aty thuhet: “Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit… dhe përderisa e kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi” (2 Kronikat 26:4-5). Për një kohë të gjatë Uziahu e pranoi hapur se begatia e tij varej nga Perëndia.

Por erdhi një ditë dhe Uziahut iu rrit mendja. Edhe kur u kritikua për rebelim, ai nuk pranoi as të jepte llogari e as të korrigjohej.. “…Fama e tij u përhap sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme derisa u bë i fuqishëm. Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit …” (2 Kronikat 26:15-21). Uziahu mjaftohej me veten, nuk kishte nevojë për njeri, madje as për Perëndinë.

Ky mbret  ka jetuar mijëra vjet më parë, por natyra njerëzore nuk ka ndryshuar shumë qysh atëherë. Në hapat e para të biznesit ose të karrierës profesionale shumë prej nesh e shohin të largët suksesin. I drejtohemi të tjerëve, madje edhe Perëndisë, që të na ndihmojë të gjejmë stabilitet sidomos në rastet kur na mbyt stresi dhe presioni i punëve. Mirëpo, sapo arrihet një farë suksesi, shtohet rreziku që kjo ndjesi e varësie  të zhduket. Duke rënë në grackën e vetëkënaqësisë, menjëherë themi, “Jam bërë zot i vetes time,”. 

Ashtu siç e mësoi Mbreti Uziah, ky qëndrim të çon në shkatërrim. Duke qenë mosmirënjohës ndaj ndihmës që të jepet për ngjitjen e “shkallëve të suksesit” dhe duke u bërë mendjemadh, nuk bën gjë tjetër veçse  ekspozon dobësitë e tua para  konkurrentëve dhe kundërshtarëve të tu. Bibla na tregon se si ta shmangim këtë fatkeqësi:
Njihe Perëndinë si burim të mençurisë dhe suksesit. “Mos e largo goje këtë Libër të Ligjit, medito mbi të ditë e natë duke u kujdesur të veprosh sipas gjithçkaje që është shkruar në të. Atëherë do të jesh i begatë e i suksesshëm” (Jozueu 1:8).

Mirëprite kritikën, përpiqu të korrigjohesh. “Mjerimi dhe turpi do të bien mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që i ve vesh qortimit do të nderohet” (Fjalë të Urta 13:18).

Robert J. Tamasy eshte nenpresident per Komunikimin i  Leaders Legacy, Inc., nje shoqate jo fitimprurese me baze ne Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarine profesioniste prej me shume se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe eshte bashkeautor me David A. Stoddard ne vepren The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni cdo kerkese tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Ku e ke vënë re instinktin natyral për pavarësi te fëmijët?
  2. A pajtohesh me mendimin se pavarësia absolute ka anët e saj negative? Pse, ose pse jo?
  3. Çfarë mendon në lidhje më historinë e Uziahut? Lexo edhe pjesën tjetër të kapitullit 26 te 2 Kronikat dhe mundohu të shpjegosh gjykimin tënd mbi atë se si i ndodh këtij mbreti për shkak të vetëkënaqësisë së tepruar.
  4. A do të pranoje se edhe ti vetë ke rrezik të ndihesh zot absolut i vetes tënde? Në rast se po, çfarë duhet të bësh që të ruash drejtpeshimin e duhur midis pavarësisë dhe varësisë, qoftë kjo varësi nga Perëndia, nga kolegët e punës apo nga familjarët?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të mësoje më shumë në lidhje me këtë temë, referohu si më poshtë:

Fjalë të Urta 1:7, 1:20-33, 6:20-23, 13:10, 13-14; 2 Timoteut 3:16-17

0 komente:

Post a Comment