headerphoto

BUJARIA E LIDERIT

MONDAY MANNA
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
Dhjetor 6, 2010

Nga: Rick Boxx

Një miku im, të cilin po e quaj Xho, kishte nam të madh për bujarinë e tij ndaj shumë njerëzve të komunitetit të vet, madje edhe ndaj disave që, megjithëse nuk i njihte, iu ofronte ndihmë sapo merrte vesh se ata ishin në nevojë. Xho-ja nuk i bënte këto veprime për të fituar mirënjohjen e njerëzve, por për shkak të gëzimit që ndjente kur i jepej mundësia të përdorte një pjesë të pasurisë së tij për të plotësuar nevojat e të tjerëve.

Sidoqoftë, një ditë, një ngjarje e papritur e bëri atë të kuptonte se, duke u marrë shumë me hallet e njerëzve jashtë ndërmarrjes së vet të biznesit, kishte anashkaluar nevojat e vetë stafit të tij. Xho-ja dhe e shoqja morën vesh për një punonjës të tyrin shumë në nevojë, problemet e të cilit mund të zgjidheshin kollaj, me ca lëndë të parë dhe pak fuqi punëtore.

Menjëherë miku im Xho u interesua për sigurimin e lëndës së parë dhe për të mobilizuar disa nga punonjësit e tjerë, në mënyrë që atij tjetrit t’i zgjidhej problemi. Duke punuar në grup askujt nuk iu desh të bënte ndonjë mundim të madh, por të gjithë së bashku i dhanë kuptim thënies: Trim i mirë me shokë shumë.”

Edhe sot e kësaj dite Xho-ja vazhdon të jetë tepër bujar, duke harxhuar për të tjerët energjinë dhe kohën e tij,  por edhe  duke u siguruar atyre burime materiale. Por, për një gjë, ai  ai ka vënë mend:  se duhet të kujdeset edhe për nevojat e punonjësve të kompanisë së tij që, në fund të fundit, ngjan shumë me familjen. Duke sjellë nëpër mend atë moment kur u ndriçua për këtë gjë, Xho-ja qesh me vete teksa mendon se sa indiferent paskësh qenë ndaj halleve që ekzistonin brenda mjedisit të tij të punës, thuajse nën hundën e tij.

Është fare e qartë se kurrsesi Xho-ja nuk i kishte injoruar qëllimisht nevojat e njerëzve, të cilat, në fakt bënin mu. Nganjëherë është kollaj të anashkalohen pikërisht nevojat e atyre që i kemi më pranë vetes, në punë ose në familje, sidomos kur e kemi mendjen të gjejmë njerëz që kanë vërtet probleme të mëdha. Shpesh e gradojmë shënjestrën për shumë larg, në një kohë që duhet të shënojmë edhe afër fare.

Në lidhje me këtë, mund të mësojmë diçka nga barinjtë e Lindjes së Mesme që i ruajnë delet duke pasur parasysh jo vetëm sigurinë, por edhe shëndetin e tyre. Këta barinj e vëzhgojnë me shumë kujdes perimetrin brenda të cilit ndodhen tufat, për t’u siguruar se nuk vjen ndonjë rrezik prej kafshëve grabitqare. Por njëkohësisht ata vëzhgojnë nga afër çdo dele për ta ruajtur nga sëmundjet, plagosjet ose thjesht për të pasur siguri se, duke kullotur, delja nuk fut në gojë ndonjë gjë të dëmshme për shëndetin e saj.

Zbatoje analogjinë e kësaj dukurie nga Lindja e Mesme në pozicionin tënd si lider, drejtues ose shef. Si “një bari” në fushën e biznesit, ti duhet t’i konsiderosh punonjësit e tu gati-gati si pjesë të familjes tënde. Ata punojnë për ty dhe, përderisa ti kërkon prej tyre efektivitet dhe produktivitet të lartë, duhet të mbash parasysh se edhe ata gëzojnë të drejtën që  të përfitojnë nga ndihma jote kur janë në nevojë. Kjo ndihmë mund të jetë në trajtë këshillash, dhënie e disa ditëve leje, rekomandim tek profesionistë të tjerë që mund t’i ndihmojnë, ndihmë për zgjidhje të ndonjë problemi familjar dhe, kur është e nevojshme, ndihmë financiare.

Në Testamentin e Ri, nëpërmjet 1 Timoteut 5:8, Bibla na mëson:" Po në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe për më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar." Vini re se sa thënie e fuqishme është kjo!

Nëse ti je LIDER, megjithëse punonjësit nuk janë pjesë e familjes në kuptimin e lidhjeve të gjakut dhe trashëgimisë, ti duhet të tregohesh bujar me ta dhe këtë duhet ta fillosh ta bësh menjëherë.

Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me lejen e "Integrity Moments with Rick Boxx," komente mbi çështje të integritetit moral në biznes nga këndvështrimi i Krishterë. Për të ditur më tepër mbi Integrity Resource Center (IRC), ose për të përcaktuar se në çfarë mase ti vetë i ndjek parimet e Perëndisë në biznesin tënd, provo pa pagesë testin FIRE  në vebsajtin  www.integrityresource.org.

CBMC INTERNATIONAL:  President: Robert Milligan
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A. TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org Për çdo pyetje drejtohuni tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. A pajtohesh me përkufizimin e Z. Boxx se bujaria duhet të jetë një aspekt i rëndësishëm në marrëdhëniet e një pronari me punonjësit e tij. Pse, ose pse jo?
  2. A ke përfituar ndonjëherë – ti ose dikush tjetër që ti e njeh -  nga ndonjë gjest bujarie në vendin ku punon? Përshkruaje atë situatë dhe shpjego se si je ndjerë.
  3. Në qoftë se tregohemi  bujarë ndaj të tjerëve në qendrën e punës, në familje ose në komunitet, si mendon, cilat janë motivet që duhet të na nxisin për të qenë të tillë? A duhet të bëjmë gjeste bujarie me mendimin për të përfituar diçka? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Cilët janë faktorët që na pengojmë të jemi bujarë në vendin ku punojmë?

SHËNIM: Në qoftë se e ke Biblën dhe dëshiron të lexosh më shumë në lidhje me këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Fjalë të Urta 11:24-25, 18:16, 19:6, 19:17, 21:13, 22:9; 2 Korintasve 9:6-9

0 komente:

Post a Comment