headerphoto

ARTI I MENAXHIMIT TË GOJËS

MONDAY MANNA
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
15 Nëntor, 2010

Nga: Dr. Rick Warren

 
Në qoftë se ti je një biznesmen i zakonshëm atëherë, sipas ekspertëve në fushën e komunikimit, ti:

  • Bën mesatarisht rreth 30 biseda në ditë.
  • Kalon 20 përqind te jetës duke folur.
  • Thua aq fjalë sa, në një vit, mund të mbushje 66 libra me 800 faqe secili!

Një burrë i zakonshëm flet rreth 20 mijë fjalë në ditë. Një grua e zakonshme thotë rreth 30 mije fjalë në ditë. (Ndoshta kjo e shpjegon më së miri pse disa burra nuk gjejnë gjë për të thënë kur janë në shtëpi. Janë gratë ato qe mezi presin t’i zbrazin fjalët e tyre. Burri i ka thënë në punë ato 20 mijë fjalët e veta, kurse gruaja ka edhe 10 mijë të tjera plus nga kuota e saj ditore!)
Bota jonë është një botë fjalësh e bisedash. Kudo bisedohet: në radio, në televizion, në telefona fiks e në telefona celularë...

Problemi që del është ky: sa më shumë që flet, aq më të shumta janë gjasat që fjalët e tua të të fusin në telashe.

Ja disa sugjerime të thjeshta nga Bibla në lidhje me “menaxhimin e gojës”: (sipas New Living Translation të Biblës të përdorur nga autori)

MENDOHU PARA SE TË FLASËSH! Hesht dhe vëre mendjen në punë para se të hapësh gojën për të folur. “Të mençurit mendojnë para se të flasin. Është më bindëse ajo që ata thonë ” (Fjalë të Urta 16:23). "Ti do të vuash pasojat e gjithçkaje që thua” (Fjalë të Urta 18:20).

THUAJ GJITHMONË TË VËRTETËN. Shpesh ne nuk e themi të vërtetën që të shmangim konfliktet. Nuk duam “t’i biem murit me kokë.” Megjithatë ka raste kur ky lloj qëndrimi i përkeqëson situatat. Mungesa e sinqeritetit i shkatërron marrëdhëniet mes njerëzve. “Kush fsheh të vërtetën shkakton telashe" (Fjalë të Urta10:20). 

Miku i vërtetë është i sinqertë me ty. "Një përgjigje e ndershme është shenjë e miqësisë së vërtetë" (Fjalë të Urta 24:26). “Në fund të fundit, njerëzit vlerësojnë më shumë çiltërsinë se sa lajkat" (Fjalë të Urta 28:23).

TË VERTETËN THUAJE ME DASHURI. Ky është filtri për pikën e dytë që përmendet më sipër. Mos e përdor kurrë të vërtetën si armë për ta shkatërruar tjetrin. “Fjalët e thëna pa mend shpojnë thellë si shpata, por fjalët e thëna me mençuri mund të shërojnë" (Fjalë të Urta 12:18). "Një fjalë inkurajuese bën mrekulli!” (Fjalë të Urta 12:25).

FOL PËR TË SHËRUAR DHE JO PËR TË PLAGOSUR. Me fjalë të thëna pa kujdes mund t’i shkaktosh tjetrit plagë më të thella se sa po ta godasësh atë fizikisht. Prandaj duhet të bëjmë kujdes që të përdorim fjalë të cilat të prodhojnë rezultate pozitive. “Mos lejo asnjë fjalë të keqe të dalë nga goja jote, por vetëm ato që ndihmojnë për t’i ngritur lart të tjerët sipas nevojave të tyre, dhe prej të cilave të përfitojnë ata që i dëgjojnë” (Efesianëve 4:29).

Dhe, më në fund, KËRKO NDIHMËN E PERËNDISË PËR MENAXHIMIN E GOJËS TËNDE. Më pëlqen shumë Psalmi 141:3 (sipas përkthimit nga Living Bible),"Më ndihmo, o Zot, ta mbaj gojën mbyllur!”

 

© 2010, Purpose Driven Life. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Adaptuar nga një shkrim i Dr. Rick Warren, autor i shume librave, përfshirë edhe të shumëvlerësuarin “The Purpose-Driven Life”, i cili është përkthyer në disa gjuhë dhe është shitur në mbarë botën. Ky libër afirmon rëndësinë e të pasurit të një qëllimi të qartë në jetën e përditshme. Është nominuar si një nder 100 librat e krishterë që ndryshuan shekullin e XX. Ai ka shkruar gjithashtu edhe librat “The Purpose-Driven Church” dhe “The Purpose of Christmas”.

CBMC INTERNATIONAL:  President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A. TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org Per pyetje ose kerkesa drejtohuni tek : www.cbmcint.org

Reflektim/Pyetje Diskutime

  1. Si do ta përshkruaje veten tënde – si fjalaman apo si njeri i matur? A mendon se statistikat mbi fjalët e folura janë të sakta? Dhe, në qoftë se po, çfarë na tregojnë ato mbi domosdoshmërinë për të qenë të ndërgjegjshëm për fjalët qe themi gjatë ditës?
  2. A të kujtohet ndonjë rast kur i ke shkaktuar plagë dikujt nëpërmjet fjalëve që i ke thënë? Po anasjelltas? Çfarë emocionesh të ngjallin në shpirt dhe në mendje kujtime të tilla?
  3. Cilët nga sugjerimet e Dr. Warren në lidhje me “menaxhimin e gojës” të duket më i rëndësishmi? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Çfarë duhet të bësh qysh sot për të qenë më i kujdesshëm për fjalët që u thua të tjerëve dhe për mënyrat se si i thua ato?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën, shiko edhe këta pasazhe që kanë lidhje me këtë temë:

Fjalë të Urta 10:19,32, 15:1,4,23, 17:9,28, 18:7-8,21, 21:23, 25:15; Jakobi 3:3-12

0 komente:

Post a Comment