headerphoto

TË SHKURTOSH FUQINË PUNËTORE PA E PRISHUR “TUFËN”

Nga: Rick Boxx
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
6 Shtator, 2010

Në botën e korporatave një praktikë që përdoret rëndom nga disa drejtues është ajo e shkurtimit çdo vit të 10 % të forcave të punës nga rradhët e punonjësve me performancën më të dobët. Megjithëse mund të duket si një përqasje efikase ndaj çështjes së eliminimit të personelit të paaftë, kjo praktikë anashkalon disa faktorë që luajnë rol të rëndësishëm siç janë menaxhimi i dobët dhe gabimi i të kërkuarit prej njerëzve që të bëjnë punë për të cilat ata nuk janë të përshtatshëm.


Thuhet se është e lehtë për çdo drejtues që t’i japë fund kontratës me një punonjës, por vlera e një menaxheri të mirë, e një udhëheqësi të vërtetë, ka të bëjë me aftësinë e tij për të zbuluar talentet dhe aftësitë e njerëzve dhe për t’i zhvilluar ato në maksimum nëpërmjet vendosjes së tyre në pozicione pune ku u jepet mundësia të shkëlqejnë.

Janë të shpeshta rastet kur menaxherët i shohin njerëzit që punojnë për ta si objekte pa jetë, thjesht si vegla për të arritur objektivat dhe qëllimet e korporatës, por ka edhe mjaft drejtues që e kuptojnë përgjegjësinë e udhëheqësit që iu është besuar, përgjegjësinë e trajtimit të njerëzve me mënyra të mençura dhe me përkujdesje ndaj personalitetit të tyre. Në lidhje me këtë çështje Bibla përdor shpesh metaforën e bariut që kujdeset për dhentë e tij:

Kujdesi për tufën. Në Testamentin e Vjetër, për shembull, thuhet, “Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua, bëj kujdesin e duhur për kopetë…qengjat do të të sigurojnë rrobat e tua dhe dhitë çmimin e një arë” (Fjalët e Urta 27:23-26). Me fjalë të tjera, në qofte se ti u kushton vëmendjen e duhur atyre që të janë besuar për t’u kujdesur, kjo do të bëjë që ti të kesh fitim të konsiderueshëm.

Dhunimi i tufës. Në librin profetik të Ezekielit, Perëndia i bën thirrje njerëzve të vet që të udhëheqin si barinj dhe jo si tiranë. Ai i dënon praktikat ndëshkuese kur thotë, "Mjerë barinjtë e Izraelit që kujdesen vetëm për veten e tyre. A nuk duhet që barinjtë të kujdesen për kopenë? … Nuk keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë te plagosurën, nuk e keni kthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë e ashpërsi” (Ezekieli 34:2-4).

Kujdesi për delet e tufës. Në Testamentin e Ri, Jezusi ka folur për vlerën e madhe individuale të çdo deleje, madje edhe të atyre deleve që shmangen nga tufa. “Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njëra prej tyre humbet, a nuk do t’i lërë të nëntëdhjetë e nëntat në mal për të kërkuar atë që humbi? Dhe nëse i ndodh ta gjejë, unë ju them të vërtetën se ai do të gëzohet më shumë për atë dele se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk humbën” (Mateu 18:12-13).

Ta udhëheqësh tufën. Në një vend tjetër Jezusi e përdor analogjinë me bariun për të karakterizuar veten e tij duke e vënë theksin tek natyra sakrifikuese e vetëmohuese e udhëheqësit të vërtetë: “Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. Kurse rrogëtari që nuk është bari dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet…Unë jam bariu i mirë; unë i njoh delet e mia dhe delet e mia më njohin mua…dhe lë jetën time për delet” (Gjoni 10:11-15).

T’i ushqesh dhëntë. Në pragun e mbarimit të kohës së qëndrimit në këtë tokë, Jezusi ia delegoi përgjegjësinë për “delet” dishepullit të Tij, Pjetër, duke i thënë atij tri herë, “Kulloti qengjat e mi…ki kujdes për delet e mia…kulloti delet e mia” (Gjoni 21:15-22).

Mesazhi është i qartë: Kur drejton njerëz, në vend që t’i trajtosh ata si vegla, të cilat, kur nuk të duhen më, hidhen poshtë, duaji ata një për një, ashtu sikundër bën një bari i dhembshur.

***
Copyright 2010, Integrity Resource Center, Inc. Adaptuar me leje nga "Caste integriteti me Rick Boxx,"një komentar mbi çështjet e integritetit në punë nga këndvështrimi i Krishterë. Për të mësuar më shumë mbi Qendrën e Burimeve mbi Integritetin ose për t’u regjistruar si lexues i Casteve të përditshme të Integritetit të Rick-ut, vizitoni www.integrityresource.org.

CBMC INTERNATIONAL: Robert Milligan, President
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Pyetjet dhe kërkesat ju lutemi t’ë drejtoni tek: www.cbmcint.org
***

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A zbatohet praktika e eliminimit të punonjësve me performancën më të ulët mbi baza të rregullta në vendin ku punoni ju? A keni punuar ndonjëherë në ndonjë vend ku është zbatuar kjo praktikë? A mendon se kjo është një praktikë e drejtë apo jo?
  2. Çfarë mendimi keni për pohimin se shenja dalluese e një menaxheri të mirë, e një udhëheqësi të vërtetë, nuk është pushimi nga puna i punonjësve që nuk kanë performancë të mirë, por vendosja e tyre në vende pune ku aftësitë e tyre mund të gjejnë më mirë zbatim?
  3. Si të duket analogjia që krahason rolin e një menaxheri apo drejtuesi me atë të një bariu?
  4. Si mendon, pse Bibla i krahason kaq shpesh njerëzit me barinj e dele. A mendon se ky krahasim është i goditur? Shpjegoje përgjigjen tënde.

Shënim: Në rast se e ke Biblën dhe dëshiron të lexosh më shumë mbi këtë çështje, drejtoju pasazheve si më poshtë:
Psalme 23:1-6; Isaia 53:6-7; Mateu 25:32-33; Lluka 15:3-7; Gjoni 10:1-10; 1 Pjetri 2:25

1 komente:

Shpendi said...

Pershendetje,

Ne lidhje me numrin e rradhes se Monday Manna:

1. Ne punen time, ose ku kam punuar me pare nuk ka pasur eliminim te tille. Por si praktike nuk me duket e drejte,
perderisa nuk i eshte nenshtruar nje analize te shumanshme, duke pare edhe veprimet e drejtuesit, duke vepruar ne rradhe te pare
me dashuri, sipas mesimeve te Perendise, duke e dashur tjetrin si veten.
2. Ky pohim me duket i drejte. Zoti i ka pajisur njerezit me aftesi e dhunti te ndryshme nga njeri tjetri. Nje udheheqes i mire dhe i dashur do te lypsej te perpiqej t'i zbulonte keto dhunti te punonjesve te tij dhe t'i perdorte ne te mire te punes e te mardhenieve ne pune.
3. Analogjia e drejtuesit me bariun eshte e goditur, pasi menaxheri sikurse bariu eshte pergjegjes per tufen, ka dashuri per tufen, di ku ta orientoje tufen.
4. Krahasimi i Bibles per njerezit si barinj e dele eshte shume i goditur. Drejtuesit me cilesite sic i permenda me lart jane barinjte. Dhe tufa perfaqesohet nga delet me cilesite e urtesise, te bindjes ndaj drejtuesit, te qendruarit bashke me dashuri e respekt.

Duke ju uruar nje jave te kendshme e te bekuar,
Shpendi

Post a Comment