headerphoto

KUSHTOJI KOHË “MPREHJES SË SHARRËS”

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
13 Shtator, 2010

Në librin e tij “ 7 Shprehi të Njerëzve me Performancë të Lartë”, Stefen Kovej (Stephen Covey) shprehinë e shtatë e emërton: “Mprihe sharrën.” Në thelb kjo do të thotë të ndalosh punën dhe t’i japësh vetes mundësi për ripërtëritje në secilin prej katër dimensioneve kyçe të jetës: fizik, mendor, socio-emocional dhe shpirtëror.

Për ta ilustruar këtë, Kovej tregon për një njeri që po shëtit nëpër pyll dhe dëgjon zhurmën e një sharre. I pasionuari pas natyrës së pyllit u bë kurioz dhe pa më tutje një druvar, të mbytur në djersë, që po mundohej të sharronte një pemë të madhe.

“Çfarë po bën?” e pyeti. “Nuk e shikon që po pres pemën?” ishte përgjigja.
"Desha të them se duket që ke punuar shumë. Sa kohë ke që merresh më këtë pemë?” “Dy orë.”
"Pse nuk pushon pak e të mprehësh sharrën? Do ta kesh më të lehtë pastaj.”
"Nuk kam kohë për atë punë – me duhet ta pres patjetër këtë pemë!"

Testamenti i Vjetër i Biblës e përdor këtë analogji për të na treguar se si mund të jemi më efektivë: "Meqenëse një sopatë e pamprehur kërkon më tepër forcë, mprihe tehun e saj. Kjo është vlera e mençurisë. Ajo të ndihmon të kesh sukses." (Predikuesit 10:10).

Ka shumë mënyra për të “mprehur tehun”: Të kualifikohesh më shumë. T’i rikthehesh shkollës për të marrë më shumë njohuri mbi punën tënde. Të lexosh libra që të ndihmojnë në profesion. Një shprehje e urtë thotë: “Të përpiqesh të bësh diçka pa patur aftësitë dhe mjetet e duhura është si të presësh dru me një sëpatë të ndryshkur”. Prandaj, në qoftë se të mungojnë aftësitë dhe mjetet për të bërë punën, fitoji ato nëpërmjet praktikës dhe të mësuarit.

Ekziston një metodë e dobishme për “mprehje”, por shumë prej nesh ngurrojnë që ta vënë në zbatim. Pusho!: “Nuk kam kohë,” i themi vetes dhe të tjerëve kur na pyesin. “Kam shumë punë për të bërë. Do të pushoj pasi të kem mbaruar.”

Megjithatë, siç ka thënë dikush, “Sa më shumë nxitoj aq më shumë mbetem mbrapa!” Nganjëherë të punosh me fort dhe më shpejt kur je i dërrmuar fizikisht, emocionalisht, mendërisht dhe shpirtërisht, e ul dukshëm rezultatin e punesë tënde. Duke bërë një pushim, një pauzë të shkurtër, një dremitje të lehtë, një ditë pushimi ose një pushim më të gjatë ke mundësinë që të ripërtërish energjitë, të rinovosh entuziazmin dhe të ringjallësh optimizmin.

Disa njerëz besojnë se Perëndia i Biblës kërkon që të jesh gjithmonë në aktivitet, por Shkrimet e Shenjta na mësojnë shumë mbi rëndësinë e të pushuarit. Ato shkruajnë kështu tek Zanafilla: “Ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.” (Zanafilla 2:2). “Sepse në gjashtë ditë Zoti krijoji qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi” (Eksodi 20:11).

Një nga 10 Porositë thotë: “Mbani mend ditën e shtunë duke ruajtur shenjtërinë e saj” (Eksodi 20:8). Por kjo nuk nënkuptohet si kufizim sepse më poshtë Jezusi pohon: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën” (Marku 2:27). Për Perëndinë pushimi jo vetëm që është gjë e mirë, por edhe i nevojshëm për një jetë të frytshme e produktive.

Në tregimin mbi kohën që Jezusi kaloi në tokë, e shohim atë shpesh të shkëputet nga turma e të ulet për të “mprehur sharrën” megjithëse ngarkesat e mëdha që i duhet të përballojë. Në 1 Pjetrit 2:21 thuhet: “…Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një shembull që të ecni pas gjurmës së tij.” Është më se e arsyeshme që të arrijmë në përfundimin se një nga mënyrat për të ecur në gjurmët e Jezusit është gjetja e kohës për të bërë pushim të mjaftueshëm.
Sa të mprehte e ke sharrën tënde?

***
Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej më shumë se 38 vjetësh, ai është autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkëautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij,
www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë tek: www.cbmcint.org

***

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A e kishe dëgjuar më parë historinë për druvarin që ishte aq i zënë me sharrimin e pemës sa nuk gjente kohë për të mprehur sharrën? A ke përjetuar ndonjë përvojë të ngjashme?
  2. Kur mendon me logjikën e “mprehjes së sharrës” atëherë vjen natyrshëm ideja e trajnimeve kualifikuese për përftimin e aftësive të reja. A je në gjendje të dallosh lidhjen midis cilësisë së punës dhe pushimit? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Si mendon se një njeri mund të bëjë pushimin e nevojshëm pa u quajtur “dembel” ose “njeri i pa motivuar”?
  4. C’mendon për porosinë biblike që “ta ruash të shtunën si të shenjtë”? Si e sheh këtë urdhëresë, si kufizuese në mënyrë të panevojshme, si shëruese dhe dobiprurëse apo si diçka të ndërmjetme midis dy të parave?

Shënim: Në rast se e ke Biblën dhe do deshe të shikoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, referoju si më poshtë:
Psalme 37:7,34, 46:10, 127:2; Fjalë të Urta 19:23, 24:30-34; Mateu 14:22-33; Marku 6:31

0 komente:

Post a Comment