headerphoto

FORCA E NJË VIZIONI TË QARTË

Nga Robert Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
30 Gusht, 2010

Duke dashur të shkruaja dy libra mbi dy kompani të rëndësishme në fushat ku ato operojnë, pata mundësinë të njihesha me drejtuesit e tyre dhe zbulova se, megjithëse ndërmarrjet e tyre qenë krejt të ndryshme, ata kishin diçka të përbashkët. Të dy ekipet drejtuese kishin qartësi të theksuar për misionin, vlerat dhe vizionet e tyre përkatëse.

Pavarësisht nga fakti se këto kompani i shprehin në mënyra të ndryshme elementet e përmendura më lart (qëllim, mision, vizion etj.), ato kanë të përbashkët edhe një karakteristikë tjetër: Në vend që të mendojnë se punonjësit, klientët dhe partnerët e tyre “tashmë i njohin mirë” këto kompani dhe, për pasojë, i kanë parasysh automatikisht vizionin dhe vlerat e tyre, ato mendojnë disi më ndryshe: qëllimet, vizionet, objektivat dhe vlerat e tyre ato i kanë të afishuara me shkrim, në pika të ndryshme, brenda mjediseve të tyre.

Njëra kompani, me shumë emër në fushën e industrisë së transportit, e shpreh qëllimin e vet institucional nëpërmjet idesë se ofron shërbime, të cilat, për nga cilësia “shkojnë shumë më tej nga ç’mund të presë klienti”. Vizionin e vet kjo kompani e shpreh me të tjera fjalë duke e përcaktuar atë kështu: “Kompania synon që të konsiderohet nga klientët dhe partnerët e vet si mishërim i krijimit të standardeve më të larta për sa i takon kujdesit ndaj klientëve...”

Kompania tjetër, e cila operon në industrinë prodhuese, shpallte si mision të saj institucional dëshirën për të qënë “një furnizues i preferuar në shkallë botërore”. Një paragraf i veçantë i kushtohet cilësisë “shumë të lartë” të produkteve. Aty theksohet se kompania “do të furnizojë shërbime dhe produkte pa defekte jo vetëm në kohë, por edhe dhe në çdo kohë” Deklarimi i misionit institucional mbyllet me fjalët që shprehin objektivin e vetë pronarit “për të punuar për lavdinë e Perëndisë”.

Kur, nëpërmjet intervistave me stafin, mbarova procesin e grumbullimit të informacionit për librat, vura re se të gjithë punonjësit ishin në dijeni të plotë të përmbajtjes së këtyre deklaratave. Ata e kishin të qartë se parimet e shprehura në to shërbenin si bazë për të konceptuar dhe realizuar përgjegjësitë e gjithsecilit në punën e përditshme. Prandaj, nuk është aspak e rastësishme që të dyja kompanitë ndodhen në majë të klasifikimit të vlerave midis kompanive të ngjashme dhe se për to gëzojnë respekt të gjithë, që nga punonjësit, klientët, partnerët... dhe deri tek konkurrentët e tyre.

Dihet se në përcaktimin e qëllimeve institucionale ndihmon shumë formulimi i përgjigjeve për tri pyetje bazë: “Ku po shkojmë?” “Si do të shkojmë atje ku synojmë të mbërrijmë?” “Si do ta kuptojmë se kemi mbërritur atje ku donim të shkonim?” Pra, kërkohet mençuri e madhe nga grupi udhëheqës i kompanisë që merret me formulimin e frazave në lidhje me qëllimet, vizionet dhe vlerat. Gjithsecili prej anëtarëve të grupit veç e veç dhe, pastaj, të gjithë sëbashku, duhet të njësojnë plotësisht mendimet mbi atë ç’ka duhet të bëjnë, pse e bëjnë dhe si e bëjnë.

Bibla është e drejtpërdrejtë në lidhje me këtë çështje. Në Testamentin e Vjetër ajo thotë: "Atje ku nuk ka vizion, populli është i humbur” (Fjalët e Urta 29:18). Një përkthim tjetër i të njëjtit pasazh thotë:"Kur nuk ka vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin". Me fjalë të tjera, formulimi i vizionit ndihmon që t’iu bëhet e qartë njerëzve se për ku synojnë dhe se çfarë pritet nga secili prej tyre. Të armatosur me këtë botëkuptim ata mund t’i realizojnë aspiratat e tyre.

Vizioni siguron drejtimin, udhëheqjen. Kur njerëzit kanë besim tek udhëheqësi i tyre, mjafton t’iu tregosh atyre rrugën për ku do të shkojnë. Zoti i tha Abrahamit, “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që unë do të të tregoj”...Ata u nisën për në vendin e Kanaanit dhe mbërritën atje" (Zanafilla 12:1-5).

Vizioni motivon. Për të qenë produktivë, punonjësit duhet të dinë jo vetëm se çfarë produktesh apo shërbimesh ofron ndërmarrja e tyre, por edhe se cilat janë objektivat e saj madhore që ata do t'i realizojnë të gjithë sëbashku. "Shkoni pra, dhe bëni dishepuj nga gjithë kombet...duke i mësuar ata që të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar" (Mateu 28:19-20).

Vizioni të jep personalitet. Cili është roli i punonjësve në një kompani? Vizioni i ndihmon ata të kuptojnë se kush janë dhe ç’vend zë secili në atë kompani. "Ju do të merrni fuqi...dhe do bëheni dëshmitarët e mi..." (Veprat e Apostujve 1:8).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A i ka të përcaktuara qartë kompania juaj misionin, vizionin, vlerat...? Në rast se po, a përdoren ato në veprimtarinë e përditshme, apo kanë mbetur të harruara diku, në ndonjë sirtar?
  2. Në rast se biznesi juaj nuk i ka të shprehura me shkrim këto gjëra, a mendon se duhet bërë medoemos një gjë e tillë. Po qe se këtë detyrë do të ta ngarkonin ty, si do t’i formuloje ti misionin, vlerat dhe vizionin e kompanisë?
  3. Sipas mendimit tënd, cilat janë pasojat e mos dhënies rëndësi misionit dhe vizionit?
  4. Çfarë roli mendon se kanë Perëndia dhe parimet biblike në formulimin e misionit, vizionit dhe vlerave?

Shënim: Bibla ofron edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, si më poshtë:
Zanafilla 11:1-3, 12:33-42; Joshua 1:1-9; Nehemia 2:11-18; Fjalët e Urta 22:6; 2 Timoteut 2:2

1 komente:

Shpendi said...

Pershendetje,

Ne lidhje me numrin e rradhes se Monday Manna:

1. Kompania ime i ka te qarta, misionin, vizionin, vlerat. Ato nuk mund te afishohen si ne rastet e permendura
te Monday Manna, ne mur per shembull. Por, une perpiqem qe me shkrim ne dokumentat qe u paraqes bashkepunetoreve,
apo dhe ne menyre verbale t'i permend vazhdimisht, pasi ato perbejne thelbine e ndryshimit ne biznesin tim.
2. Sic e shkrova me lart, ka menyra te ndryshme te te shprehurit, por per te qene i qarte me nje klient me eshte
dashur te shkruaj nje dokument te tere vetem per evidentuar, misionin, vizionin, vlerat e punes sime.
Regaimi i klientit ishte ai qe prisja, e kuptoi ndryshimin ne cilesine e sherbimit te ofruar.
3. Pasojat e mosdhenies rendesi te misionit dhe vizionit jane te punuarit pa motiv, pa zhvillim, frenimi, etj.
4. Mesimet e Perendise jane udherrefyese per misionin, vizionin dhe vlerat e punes sone, si dhe per
cdo fushte tjeter te jetes sone.

Bekime,
Shpendi

Post a Comment