headerphoto

TË GJESH MBESHTETJE KUR NDIHESH I BRAKTISUR

Nga: Robert D. Foster
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
20 Shtator, 2010

Disa javë më parë më doli gjumi në orën dy të mëngjesit i përfshirë nga një ndjenjë vetmie e madhe. Kjo ishte një ndjesi emocionale krejt e re për mua. Marioni, gruaja ime 53 vjeçare ndodhej në spital, në prag të vdekjes nga komplikacionet e sëmundjes Alzhaimer. Shpërthimin tim të brendshëm e përshkruan një shkrimtar antik në Psalme:

"I ngjaj pelikanit në pyllin e egër; Jam si bufi në shkretëtirë; Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati” (Psalme 102: 6, 7).

Ndihesha i izoluar, i largët me miqtë e shokët, i konsumuar nga ndjesia e humbjes dhe boshllëkut. Dikush ka thënë: Jo me kot fjala “lonelinnes”, (vetmi absolute, braktisje, i shkretë) është fjala më e shkretuar e gjuhës angleze.

Tingëllimi fonetik i kësaj fjale në atë gjuhë e shpreh më së miri përmbajtjen e saj”. Me një filxhan kafeje para, qëndroja në errësirën e studios time ku, zakonisht mëngjeseve, isha mësuar të shijoja vetminë time nën shoqërinë e Perëndisë. Kësaj rradhe ishte ndryshe. Nuk ndihesha thjesht i vetmuar për një kohë të caktuar, por ndihesha fare i shkretë e i braktisur, i shkëputur nga të gjitha marrëdhëniet njerëzore.
Duhet bërë një dallim thelbësor midis këtyre dy fjalëve që në gjuhën tonë shprehin një gjendje izolimi nga bota rrethuese: Ndjenja e të qenit i braktisur është e pavullnetshme dhe e padëshirueshme. Vetmia mund të jetë edhe e vullnetshme; mund të jetë një zgjedhje që e bën vetë njeriu. Ndjesia e të qenit i braktisur është gjithmonë diçka negative kurse vetmia në shumë raste është pozitive, madje ripërtëritëse. Shkretia sjell detyrimisht depresion. Vetmia shpesh sjell frymëzim. Ndryshimin midis tyre e vë në dukje Psalmi 102:

Për shembull: Pse duket aq melankolik ai pelikan në mes të pyllit të dendur? Sepse ai nuk është shpend pylli, por shpend i ujërave të hapura që shijon spërklat freskuese të ujit.


  • Pse bufi duket aq i shkretë në mes të shkretëtirës? Sepse ai nuk i takon shkretëtirës. Ky zog nate parapëlqen pyllin dhe pemët, ai kënaqet edhe duke qëndruar majë një shtylle telefoni për të vëzhguar gjahun e tij.
  • Pse vallë ai harabel në majë të çatisë duket kaq e trishtuar megjithëse ndodhet në vendin e vet? Ky zog është shumë i zakonshëm kudo ku ka njerëz dhe ndërtesa! Diçka tjetër duhet të ketë! Mos ka humbur shokun e jetës? Mos është i sëmurë? Apo e ka braktisur turma e zogjve të tjerë?
Të tre këta shpendë janë vendosur jashtë mjedisit të tyre natyral ose social. Është e kuptueshme pse ata të kumtojnë ndjesi të zymta ndarjeje dhe braktisjeje. Në Shkrimet e Shenjta shohim edhe shembuj njerëzorë, individë që ndjehen të braktisur, por që, në të vërtetë, nuk janë krejt të tillë: Jakobi që ndeshet me Zotin; Jozefi në pus e në burg; Mojsiu në anën e pasme të shkretëtirës; Elia në malin Karmel; Jobi në hi; Jonahu në barkun e peshkut; Jeremia në fund të një grope me baltë; Jezusi i vetëm në Kalvar… Theksimi më i fortë i konceptit të të ndjerit i braktisur është bërë nga goja e Jezusit në momentin kur ai pyet Atin e tij: “Pse më ke braktisur?" (Mateu 27:46).

Psalmin 73 Asafi, kompozitori dhe drejtuesi i korit në oborrin e Mbretit David, ka përshkruar shpërthimin e tij të brendshëm psikologjik në kohën kur jeta i erdhi ters. Në përgjigje të dëshpërimit dhe krizës që pati me besimin ai filloi të shkruante. Ky psalm më solli ngushëllim edhe mua gjatë periudhës kur isha pushtuar nga ndjenja e një braktisjeje të madhe. Ai ofron këto premtime:
  • Praninë e Zotit: "Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti me ke kapur nga dora e djathtë" (Psalme 73:23). ·
  • Udhëheqjen e Zotit: "Ti do të më udhëheqësh…" (Psalme 73:24).
  • Të qenit fëmijë i Zotit: "…dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje" (Psalme 73:25).

Ndoshta ti je duke përjetuar një periudhë që ndihesh i braktisur për shkaqe që kanë të bëjnë me punën ose familjen. Mund të ndjehesh i mënjanuar ose i braktisur, pa një shok të vetëm për të të dhënë mbështetje.
Në periudha të tilla kujto premtimin që Perëndia i bën fëmijëve të tij: "Nuk do të të le, as nuk do të braktis" (Hebrenjve 13:5).

***
Marrë dhe adaptuar nga “Take Three on Monday Morning”, meditime nëpërmjet e-mail-it, të publikuara nga Robert D. Foster. Leja për riprodhim të mëtejshëm është e garantuar. Për pyetje dhe komente drejtohu tek: 29555 Goose Creek Rd, Sedalia, CO 80135, U.S.A., ose fax (303) 647-2315.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë tek: www.cbmcint.org

***
Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A ke përjetuar ndonjë periudhe vetmie absolute ose braktisjeje, të ngjashme me atë që pershkruan Z. Foster? Në çfarë rrethanash?
  2. Herë pas here të gjithë ne kalojmë periudha relative shkretie në shpirt, megjithëse ndoshta mund të mos jenë aq të theksuara sa thotë autori i “Monday Manna”-s së sotme. Si i përballon të tilla periudha?
  3. A e kuptove ironinë që shoqëron pamjen e pelikanit në egërsinë e një pylli të dendur, të bufit në shkretëtirë apo të harabelit në majë të çatisë? Të gjithë këta zogj janë përshkruar jashtë mjedisit të tyre natyral. Si ndikon në intensifikimin e vetmisë deri në braktisje fakti i të qenit jo në vendin të cilit ti i përket. A të ka ndodhur ty një gjë e tillë?
  4. Çfarë ngushëllimi të ofron fakti se edhe në kohën kur ndihesh fare i vetëm gjatë një udhëtimi në një qytet tjetër dhe larg ambientit e familjes tënde, Perëndinë mund ta kesh gjithmonë fare pranë? Shpjegoje përgjigjen tënde.

Shënim:
Në qoftë se e ke Biblën dhe do deshe të lexoje pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, shiko vargjet si më poshtë: Zanafilla 3:8-24, 12:1-20, 39:6-23; Eksodi 2:11-22; Isaia 41:10; Mateu 18:20

0 komente:

Post a Comment