headerphoto

BINDJET FORMËSOJNË SJELLJEN DHE QËNDRIMET TONA

Nga: Dr. Rick Warren
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
27 Shtator, 2010

Çdo ditë në botën profesionale dhe të biznesit ne shohim – dhe shpesh i vuajmë – pasojat e veprimeve dhe marrjes së vendimeve nga njerëz të cilët nuk kanë bindje të përcaktuara dhe të qarta. Sikundër ka thënë dikush: nëse ngrihesh lart kot, ashtu, kot do të biesh poshtë.

Fjalorët e përcaktojnë fjalën "bindje: si një fiksim ose si një besim i fortë". Në të vërtetë bindja nënkupton shumë më tepër se aq. Bindjet e tua përfshijnë gjithashtu edhe vlerat, përkushtimet dhe motivet e tua në jetë. Më pëlqen përcaktimi që i ka bërë mësuesi i Biblës, Hauard Hendriks (Howard Hendricks) fjalës “bindje”: “Besimi është ai për të cilën ti je gati të ngulmosh për ta mbrojtur. Bindja është ajo për të cilën ti je gati të japësh edhe jetën!” Bindjet janë ato që përcaktojnë edhe qëndrimet dhe sjelljet tona. Ato na motivojnë për të vepruar secili sipas mënyrave të veta.

Kur njerëzit bëhen pasues të Jezusit, fillimisht i bëjnë veprimet thjesht në bazë të modeleve që shohin tek të krishterët e tjerë. Ata luten, lexojnë Biblën, marrin pjesë në adhurime sipas asaj që shohin dhe duan të imitojnë nga shembulli i të tjerëve.

Për besimtarët e rinj kjo është diçka normale. Në të njëjtën mënyrë mësojnë edhe fëmijët e vegjël. Por, ndërsa rritemi dhe piqemi, ne duhet të fillojmë të konceptojmë arsyetimet tona për atë ç’ka bëjmë. Këto arsyetime dalëngadalë shndërrohen në bindje. Ja disa parime të rëndësishme mbi bindjet, të cilat duhen ngulitur mirë në kokë:

Bindjet biblike janë thelbësore për pasurim shpirtëror dhe pjekuri. Ironia e botës së sotme qëndron në faktin se njerëzit kanë bindje të forta për çështje të dobëta (sportet e preferuara, veshjet, muzika etj.) ndërsa kanë bindje të dobëta e të paqëndrueshme mbi çështje të rëndësishme (ndryshimi midis asaj ç’ka është e drejtë dhe asaj ç’ka është e gabuar etj). Mundohu të hartosh një liste të bindjeve të tua shpirtërore. A i ke të dobëta bindjet mbi ndonjë çështje me rëndësi të dorës së parë? Bibla na mëson: “Rrini zgjuar, qëndroni fort në bindjet tuaja, jepni gjithçka që keni, jini të vendosur dhe duani pa pushim” (1 Korintasve 16:12-15).

Njerëzit pa bindje mbeten gjithmonë në mëshirë të rrethanave. Në qoftë se nuk arrin të përcaktosh vetë atë ç’ka është e rëndësishme në jetën tënde, atëherë do të jenë të tjerët që do ta përcaktojnë atë për ty.

Njerëzit pa bindje janë njerëz të dobët që ndjekin turmën në mënyrë të pavetëdijshme. Unë besoj se apostulli Pal e kishte fjalën për bindjet kur tha tek Romakëve 12:2, "Mos lejo që bota të të mbrujë në magjen e vet, por lëre Perëndinë të ta mbrujë mendjen tënde ...".

Bindjet na ndihmojnë që të jemi të zellshëm në përpjekjen e pandalshme për pasurim shpirtëror. Pjekuria kërkon kohë dhe përpjekje. Pa bindje mbi cilësinë dhe llojin e pjekurisë, njerëzit ligështohen dhe dorëzohen. Askush nuk ngul këmbë në kryerjen e një detyre të vështirë në rast se nuk është i bindur për arsyet për të cilat duhet ta kryejë atë detyrë. Kjo vlen edhe për lutjen, studimin e Biblës, për të jetuarit e jetës dhe kryerjen e punëve të përditshme sipas parimeve biblike.

Të dish se çfarë të bësh (dituria), pse ta bësh (perspektiva) dhe si ta bësh (aftësia) janë të pavlera kur nuk shoqërohen me bindjen, e cila të motivon për të bërë atë që bën! Njerëzit që kanë lënë gjurmët më të thella në botë, për mirë ose për keq, kanë qenë ata njerëz që kanë pasur bindje shumë të forta e shumë të thella. Ata nuk kanë qenë domosdoshmërisht më të arsimuarit, më të diturit, më të pasurit e më të urtët, por bindjet e tyre të fuqishme i kanë dhënë atyre forcë që të venë në lëvizje botën.

***
© 2010, Purpose Driven Life. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Adaptuar nga një shkrim i Dr. Rick Warren, autor i shumë librave, përfshirë edhe të shumëvlerësuarin “The Purpose-Drive Life”, i cili është përkthyer në disa gjuhë dhe është shitur në mbarë botën. Ky libër afirmon rëndësinë e të pasurit të një qëllimi të qartë në jetën e përditshme. Është nominuar si një nder 100 librat e krishterë që ndryshuan shekullin e XX. Ai ka shkruar gjithashtu edhe librat “The Purpose-Driven Church” dhe “The Purpose of Christmas”.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për pyetje ose kërkesa drejtohuni tek : www.cbmcint.org

***

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A pajtohesh me mendimin se besimet janë gjëra për të cilat ti do të ngulmoje për t’i mbrojtur, kurse bindjet janë ato për të cilat do të jepje edhe jetën? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Dr. Warren sugjeron që të hartosh një listë ku të radhitesh bindjet e tua shpirtërore. Mundohu ta bësh listën duke përfshirë aty edhe bindjet morale, etike etj. Çfarë do të përfshije në këtë listë?
  3. A ke punuar ndonjëherë me ndokënd të cilit i mungonin bindjet e forta mbi mënyrën se si e bënte biznesin ose si i përballonte përgjegjësitë e veta në punë? Cilat ishin pasojat e mungesës së bindjeve?
  4. A mendon se bindjet e fuqishme të aftësojnë që të mos i lësh botën dhe shoqërinë që të rrethon të të shtrydhin ty në grushtet e tyre? A mund të bësh ndonjë koment?

Shënim: Nëse e ke Biblën, shiko edhe këto pasazhe që lidhen me këtë temë:
1 Thesalonikasve 5:21-22; 2 Timoteut 1:13-14; Titus 1:9; Hebrejve 3:1-6, 4:14; Jakobi 1:5-6