headerphoto

TË GJESH PREHJE SHPIRTËRORE NË KUSHTE KAOSI

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
9 Gusht, 2010

Besoj se ju ka rastisur të shikoni ndonjë nga miset e bukura në konkurrim, të cilën, kur e pyesin se çfarë dëshire do të shprehte në rast se dëshira e saj do të plotësohej menjëherë, thotë: “Të kishte paqe të përbotshme!” Kjo është padyshim një përgjigje klishe sepse një gjë të tillë nuk ka kurrë gjasa që të ndodhë. Megjithatë, në një mënyrë ose në një tjetër, ajo shpreh aspiratën e përgjithshme të njerëzve për paqe e prehje shpirtërore. Por jetojmë në një botë ku nuk dominon paqja, por kaosi.

Fatkeqësitë natyrore si hurrikanët, cunamet, tornadot, tërmetet, ndryshimet drastike të klimës etj, na e tronditin në mënyrë të vazhdueshme ndjesinë e paqes së brendshme. Po kështu, jo më pak ndikojnë negativisht fatkeqësitë e shkaktuara nga dora e njeriut si p.sh. rrjedhja e naftës në zonën e Gjirit në SHBA. Për shkak të neglizhencave në fushën e prodhimit industrial “paqja e brendshme”, prehja shpirtërore, mungon tani për miliona njerëz… dhe pasojat e shkatërrimit të natyrës do të ndihen për një kohë të gjatë.

Edhe në botën profesionale dhe të biznesit paqja e brendshme e njerëzve është më shumë përjashtim se sa rregull. Kriza globale ishte një tregues i zymtë për faktin se sa shpejt dhe në mënyrë dramatike mund të përkeqësohet situata ekonomike, të shkatërrohen biznese, të eliminohen vende pune dhe të boshatisen burimet financiare të njerëzve. Por edhe ngjarje të një rëndësie shumë më të pakët mund të na e kërcënojnë ndjesinë e paqes sonë të brendshme: kontrata të anulluara, kolegë të cilëve iu jepen padrejtësisht merita për diçka që të takon ty e mua, lajme të këqija për shëndetin e njerëzve të afërt etj.

Të rrethuar nga një kaos i tillë, me përmasa herë të mëdha herë më të vogla, si mund ta gjejmë rrugën drejt paqes së brendshme pavarësisht nga rëndimi i situatave dhe madhësia e pengesave? Bibla ka shumë për të thënë në lidhje me këtë temë edhe për ngjarje që na ndodhin në punë e në jetë në shekullin e XXI. Ja disa shembuj:

Paqe që nuk bazohet në rrethanat e jashtme. Nëse shpresa dhe besimi yt bazohen mbi rrethana që shpesh dalin jashtë kontrollit tonë, ose mbi njerëz që shpesh të zhgënjejnë, atëherë vështirë se mund të shijosh ndonjëherë paqe të vërtetë. Në një çast jeta të duket e qetë e, vetëm një çast më pas, fillon e mbretëron sërish kaosi. Paqja e vërtetë, thonë Shkrimet e Shenjta, mund të gjendet vetëm në natyrën e pandryshueshme e të pagabueshme të Perëndisë. “ Kini besim tek Zoti përjetë, sepse Zoti po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm” (Isaia 26:4).

Paqe që nuk bazohet mbi këtë botë materialiste. Ne përpiqemi ta gjejmë prehjen shpirtërore tek pasuritë materiale, tek arritjet individuale dhe tek shpërblimi për to, tek influenca profesionale që ushtrojmë ose në marrëdhëniet me njerëzit. Por prehja shpirtërore e mbështetur në to, në rastin më të mirë, është e përkohshme. Gjërat vjetrohen e prishen, arritjet vjen koha që e humbin rëndësinë e domethënien e tyre dhe miqtë e dashur e të ngushtë, në një mënyrë ose në një tjetër, të zhgënjejnë. Prandaj Jezusi iu bëri këtë pohim dramatik dishepujve të Tij: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: po jua jap, po jo si e jep bota, zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).

Paqe që nuk bazohet në aftësinë njerëzore të të kuptuarit të botës. Kur papritur jeta jonë kthehet përmbys, kur këputet çdo spirancë që mendoje se të mbante të lidhur me jetën, prehja shpirtërore duket e pamundur më tej. Duket se ka ikur çdo gjë në te cilën ti besoje. Pikërisht në këtë kohë besimi tek Perëndia, pavarësisht se dikur mund të të jetë dukur jo realist, të ofron mundësinë e vetme për shpresë. Lutja dhe mirënjohja ndaj Perëndisë, edhe në kohë fatkeqësie, na çon në një prehje të thellë e të pafundme shpirtërore. Bibla premton:
“Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë ia parashtroni kërkesat tuaj Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7).

Çdo të bësh? A do t’i drejtosh yste që sot nga Perëndia për të gjetur prehjen shpirtërore pavarësisht se sa të zymta të duken rrethanat në të cilat ndodhesh?


Reflektim/ Diskutime/ Pyetje

  1. Çfarë të sjell ndërmend fjala “paqe”? Si do ta përshkruaje ndjesinë e paqes së brendshme tek njeriu në përgjithësi ose tek vetja jote?
  2. Si ndjehesh në këtë çast: Ndjehesh në paqe? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A je dakord me pohimin se karakteristika sundues e kësaj bote është kaosi më shumë se paqja? Pse, ose pse jo?
  4. Pasazhet biblike të cituara këtu tregojnë se paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm nëpërmjet marrëdhënies së drejtpërdrejtë dhe personale me Perëndinë. Si reagon ndaj këtij këndvështrimi?

Shënim: Në lidhje me këtë temë Bibla ka edhe pasazhe të tjerë, si më poshtë:
Psalme 37:1-7,34; Isaia 40:28-31, 41:10; Jeremia 29:11-13; Galatasve 5:22-23; Efesianëve 2:14-18

0 komente:

Post a Comment