headerphoto

SHQETËSIMET E VOGLA MUND TË ÇOJNË NË PROBLEME TË MEDHA

Nga: Rick Warren
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
2 Gusht, 2010

Jo pa habi kam vënë re se si shqetësimet e vogla në punë mund të grumbullohen dhe, në fund të ditës, të kenë krijuar një problem të madh. Mijëra vjet më parë, mbreti i mençur Solomon, duke i krahasuar shqetësimet me dhelprat, ka thënë: “Na i zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat” (Kantiku i Kantikëve 2:15).
Çdo vend pune ka veçantitë e veta (dhelprat e veta, sipas Solomonit), probleme të ndryshme specifike që, kur acarohen, mund të shkaktojnë prishjen edhe të ditës më të bukur e më paqësore. Kam mësuar se shqetësimet e vogla që përjetojmë në botën e biznesit dhe atë profesionale zakonisht janë të tre llojeve:

NDËRPRERJET: Këto shfaqen në formën e vizitorëve të papritur ose të telefonatave si ajo që më tërhoqi vëmendjen mua teksa po shkruaja pikërisht këtë fjali. Çuditërisht, ndërprerjet ndodhin më shumë kur ke ndonjë punë për të mbaruar me urgjencë ose kur je duke u marrë me gjëra që kërkojnë përkushtim të plotë. Sado që të mundohemi t’i parandalojmë, do të jemi gjithmonë viktimë e ndërprerjeve në punë.

DEFEKTET: Ndërprerjet në punë zakonisht shkaktohen nga njerëzit, por ato kanë të bëjnë edhe me sendet, sidomos aparaturat, të cilat vërtet na e lehtësojnë punën, por kur pësojnë defekte, na e ndërpresin atë në mënyrë të pamëshirshme. Kur prishet makina e fotokopjeve, p.sh., ti ose dikush tjetër duhet të harxhojë kohë që të merret me rregullimin e saj. Trafiku rëndohet dhe të duhet të rrish kot në makinë, nganjëherë me orë të tëra, dhe të mos paraqitesh në kohë në takime të rëndësishme. Nganjëherë të duhet një dokument me urgjencë dhe ti nuk arrin ta gjesh dot… etj.

NGACMIMET NERVORE: Këto shkaktohen përgjithësisht nga shtyrja e afateve të ndryshme: për shembull, nga njerëz të papërgjegjshëm që nuk mbajnë fjalën ose premtimin; nga koha e humbur në telefon duke shkëmbyer mesazhe, por duke mos arritur kurrë të flasësh tamam me një person të caktuar; nga një problem i vogël shëndetësor që të pengon në realizimin e planeve; ose nga klientë tekanjozë që nuk vlerësojnë fare atë që ti po bën për ta.

Të pëlqen apo jo, ndërprerjet, defektet dhe ngacmimet nervore janë pjesë e jetës, madje ju siguroj se të tilla gjëra do të hasni që këtë javë. Sidoqoftë, megjithëse nuk mund t’i shmangësh, mund të marrësh masa që ato të mos të të shkaktojnë stres të panevojshëm. Cili është sekreti i menaxhimit të shqetësimeve të kësaj natyre?

- Mos shfaq rezistencë kundrejt tyre. Pranoi shqetësimet dhe mos reago me zemërim ndaj tyre.
- Mos i përjeto me shpirt. Mos i amplifiko shqetësimet duke e mbajtur zemërimin përbrenda.
- Mos iu dorëzo atyre. Mos kalo në vuajtje shpirtërore për shkak të një pengese të papritur që të del.
- Pakësoi në maksimum. Jepi rendësinë e duhur shqetësimit, shikoje atë me realizëm, shikoje si një pengesë të vogël, si pjesë të jetës dhe jo si fatkeqësi të madhe.

Bibla na mëson se një nga produktet anësore të mençurisë është durimi. Rrethanat e jetës sonë duhet t’i shikojmë nga këndvështrimi i besimit tek Perëndia. Kur unë jam në harmoni me Perëndinë, unë e ndjej më mirë se është Ai që i ka nën kontroll gjërat që unë nuk i kam. Tek Galatasve 5:22 thuhet, “Fryti i Shpirtit është dashuria, gëzimi, durimi….”


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Çfarë shqetësimesh të vogla has në një ditë pune të zakonshme? Si reagon ndaj tyre?
  2. Dr. Warren-i i quan shumicën e shqetësimeve të vogla në punë si “ndërprerje”, “defekte” dhe “ngacmues nervorë”. A di ndonjë mënyrë të frytshme për t’i shmangur ato ose, të paktën, për t’i minimizuar? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Ai ofron katër këshilla për t’i menaxhuar shqetësimet e vogla. Cila prej tyre të duket më efikase?
  4. Kur mendon për shqetësimet që has më shpesh, a të ndihmon kjo që të besosh se, në fund të fundit, Perëndia i ka ato nën kontroll? Pse, ose pse jo?


Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, si më poshtë:
Fjalët e Urta 15:21, 16:32, 17:27; Romakëve 5:3; Filipianëve 4:6-8; Jakobi 1:2-5; 1 Pjetri 5:7

0 komente:

Post a Comment