headerphoto

RRЁFIMI: LEHTЁSIM PЁR SHPIRTIN E NJERIUT

Nga: Rick Boxx
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
16 Gusht, 2010

Shumica e lektorëve me përvojë e dinë se të zbulosh para publikut disa nga të metat personale e bën fjalimin shumë më tërheqës. I vetmi problem qëndron në faktin se, që të bësh një gjë të tillë, kërkohet një nivel i caktuar sinqeriteti dhe përulësie, nivel në të cilin shumë njerëz nuk duan të shkojnë. Ja pse unë mbeta me përshtypje të thella nga leksioni i Chip Ingram-it gjatë një aktiviteti fetar që u zhvillua në qytetin tonë.

Duke folur për rëndësinë e personalitetit të njeriut, Ingrami pohoi para degjuesve shumë të meta personale që ai kishte pikasur në rrugën për konsolidimin e personalitetit të vet. Ai nuk iu referua vetëm disa ngjarjeve nga e kaluara e largët, por u ndal edhe në episode fare të freskëta, të cilat nuk e nxirrnin në dritë aq të mirë. Shumë nga dëgjuesit mbetën të hapitur nga çiltërsia me të cilën ai po fliste para një grupi njerëzish që, në thelb, ishin krejt të huaj për të.

Pohimet e sinqerta të Ingramit jo vetëm që ishin transparente, por prej tyre mund të nxirrje mësime të vlefshme. Teksa tregonte historinë e tij duke përmendur dështimet që kishte pësuar gjatë rrugës për formimin e personalitetit, ai jo vetëm demostroi një shembull të gjallë përulësie, por u krijoji të pranishmeve një atmosferë në të cilën ata e kishin më të lehtë të tregoheshin të sinqertë me vetveten dhe të hiqnin maskën e shtirjes.

Në botën e biznesit ne mundohemi të lëmë përshtypje të mira tek të tjerët dhe ta paraqesim veten në dritë sa më të mirë. Mëkatet dhe të metat tona i lëmë me kujdes në hije. Në fakt, ajo që bënte Ingrami nuk ishte gjë tjetër veçse zbatim në praktikë i njërit prej parimeve më të rëndësishme të Bibles. Në Fjalët e Urta 28:13 thuhet, "Kush i fsheh mëkatet e tij nuk do të ketë mbarësi, por ai që i rrëfen dhe i braktis ato do të gjejë mëshirën.”

Fatmirësisht për Ingramin, transparenca i dha mundësinë të ndjejë jo vetëm mëshirën e Perëndisë, por edhe të publikut. Fjala e tij më solli gjithashtu ndërmend faktin se njerëzit duhet të kuptohen ose të mëshirohen por kurrësesi jo të gjykohen.

Natyrisht, janë të shumta arsyet të cilat na bëjnë të ngurrojmë që të ndajmë me të tjerët gabimet e të metat tona personale. Midis tyre dallojmë ndjenjën e turpit, por frenuesja më e madhe është krenaria. Nuk duam që të tjerët të mësojnë mbi të metat tona, megjithëse e dimë mirë se askush nuk është i përkryer. Vazhdimisht krenaria na shtyn që t’iu provojmë të tjerëve se ne jemi më të mirë se ç’jemi në të vërtetë.

Nga Bibla kemi dy vërejtje të rëndësishme. E para është një pohim i shkurtër, por tepër serioz: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10). E dyta gjendet në librin e Testamentit të Vjetër: “Përpara shkatërrimit zemra e njeriut trimërohet, por përulësia rradhitet përpara lavdisë.” (Fjalët e Urta 18:12).

Përvoja më ka mësuar se është e dobishme që t’i mbajmë kurdoherë parasysh këtë vëretje që na bëhet nga Shkrimet e Shenjta. Në qoftë se ke kryer një mëkat në punë, mos u mundo ta fshehesh atë. Sado i vështirë që të duket, rrëfimi është veprimi më i mirë që duhet bërë.
Gabimet që bëjmë e dëmet që shkaktojmë dalin në dukje në një mënyrë të vetvetishme dhe në momentet më të papërshtatëshme. Ёshtë mençuri që ndaj tyre të mbahet një qëndrim proaktiv duke i rrëfyer me sinqeritet e në kohën e duhur e duke mos i lënë që të shfaqen vetë për turpin tonë.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A ke dëgjuar ndonjë lektor ose drejtues të kompanisë ku punon që të pranojë me sinqeritet të metat e veta sikundër veproi personi që përmend Rick Boxx-i? Në rast se po, si je ndjerë para fjalëve të tij?
  2. A mendon se je aq i ndershëm sa t’i pranosh publikisht të metat e tua? Pse ose pse jo?
  3. Ç’farë ndikim në personalitetin e njeriut ka fshehja e të metave prej tij? Nëse dëgjon një drejtues që pranon të metat e veta, si mendon se kjo do të ndikojë në opinion tënd për personalitetin e tij? Do të duket më me shumë apo më me pak personalitet ky njeri? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Thuhet se një nga frenuesit kryesorë të të qënit i hapur e i ndershëm në lidhje me të metat e njeriut është krenaria e tij. A pajtohesh me këtë thënie?


SHЁNIM: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë që kanë lidhje me këtë temë, si më poshtë:
Fjalët e Urta 11:2, 12:17, 12:19, 14:5, 15:33, 16:19, 22:4, 29:23: Jakobi 5:16

1 komente:

Shpendi said...

Pershendetje,

Ne lidhje me Monday Manna te dt. 16 Gusht:

1. Nuk kam rastisur te shoh apo degjoj ndonje drejtues kompanie te shfaqe te metat e veta ne publik.
2. Dikur kisha me shume kurajo te pranoja te metat e mija ne publik. Nuk eshte se me mungon tashme, por
ne realitetin e sotem te metat e shfaqura ne publik jo te pregatitur shpirterisht, behen arme ne duart e tyre per
kundervenie te pasinqerta. Ndryshon puna kur publiku eshte i ngritur shpirterisht, psh. besimtaret apo drejtuesit e krishtere.
3. Fshehja e te metave jo vetem nga drejtuesit por nga secili prej nesh eshte ne kundershtim me mesimet e Perendise.
Ne veshtrim te pare duket sikur kjo fshehje e mbron personalitetin e njeriut, por ne te vertete shfaqja e ketyre te metave
e ben personin, drejtuesin, etj. te besueshem e ia rrit personalitetin ne syte e te tjereve. Por sic e shpreha me lart,
kjo nuk eshte shume e sigurte ne rast shprehje te te metave perpara nje publiku te papregatitur shpirterisht.
4. Po, jam dakort qe krenaria eshte nje nga arsyet e fshehjes se te metave.

Bekime,
Shpendi

Post a Comment