headerphoto

FORCA E TË MENDUARIT NË MËNYRË POZITIVE

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
26 Korrik, 2010

Vite më parë kam dëgjuar presidentin e një kompanie të rëndësishme në fushën e komunikimit, i cili tregonte rrugën e tij të suksesit në biznes. Ai i përmbahej një rryme filozofike të njohur të asaj kohe që përmblidhej me fjalët “ fuqia e të menduarit në mënyrë pozitive”. Motoja udhëheqëse e saj ishte: “ti mund të arrish gjithçka që je në gjendje të mendosh dhe në të cilën beson.” Presidenti kishte blerë çdo libër që bënte fjalë mbi këtë çështje me bindjen se, po të ndërtonte në vetvete një sistem të tillë të menduari, ai do të mund të përmbushte çdo ëndërr të vetën.
Ajo që mund të thuhet për “të menduarit pozitiv” është se kërkuesit në fushën e mjekësisë p.sh. kanë zbuluar se kjo mënyrë të menduari është faktor me rëndësi në procesin e rehabilitimit fizik të pacientëve që kanë bërë një operacion të rëndë kirurgjikal. Njerëzit që e fillojnë ditën me optimizëm përgjithësisht janë më të suksesshëm dhe e kanë më të lehtë të përballen me telashet se sa ata që janë pesimistë. Në Bibël thuhet, “Ai është ashtu siç mendon në zemrën e tij” (Fjalët e Urta 23:7, New King James Version).

Në përgjithësi thuhet se njeriut i vjen jeta sipas mënyrës që e kërkon atë. Por “të menduarit pozitiv” ka edhe kufizimet e veta. Edhe njeriu më optimist në botë nuk do të arrijë kurrë të kaloje me not Oqeanin Paqësor në rast se nuk ka përgatitjen e duhur fizike e teknike. Një person me gjatësi trupore 150 cm nuk do të jetë kurrë pjesëtar i një skuadre basketbolli. Dikush që nuk ka talent në muzikë dhe me zë të mekur nuk mund të bëhet kurrë këngëtar operash. Më në fund, një person që nuk ia thotë fare për matematikë nuk mund të aspirojë të bëhet krye-ekonomist i një firme të madhe.

Por ka edhe një këndvështrim tjetër mbi të menduarit pozitiv. Unë e quaj atë “besim pozitiv”, një cilësi që duhet ta ketë kushdo që profetizon besimin në bazë të Perëndisë së Biblës:

Besim në fuqinë e Perëndisë përtej fuqisë tonë: A të ka qëlluar të mundohesh nga një detyrë që duhej t’a plotësoje duke menduar se “këtë unë s’e bëj dot”?! A ke luftuar kundër ndonjë ane të dobët të karakterit tënd për të cilën ke menduar se nuk e rregullon dot si p.sh. zemërimin ose ndrojtjen? Bibla na siguron se ne mund t’i bëjmë thirrje fuqisë së Perëndisë për të realizuar atë që nuk e realizojmë dot me forcat tona.“Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më jep forcë” (Filipianëve 4:13).

Besim në përgjigjen e sigurt nga Perëndia: Ka raste kur një bashkëpunëtor, një mik, një familjar të zhgënjen. Edhe ti mund t’i kesh zhgënjyer ata në të njëjtën mënyrë. Në Bibël Perëndia premton se ai kurrë nuk do të të zhgënjejë, por do të përgjigjet sa herë që t’i bësh thirrje. “Dhe gjithçka që kërkoni me lutje e duke pasur besim do ta merrni.” (Mateu 21:22). “Gjeje kënaqësinë tënde në Zotin dhe Ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate” (Psalme 37:4).

Besim në praninë e Perëndisë, dashurisë së pakushtëzuar dhe pranimit të pakushtëzuar: Nëse ndonjëherë je ndjerë i vetmuar, i papërfillur ose i pambrojtur, dije se nuk je vetëm. Të gjithë ne kemi pasur të tilla ndjesi në kohë të ndryshme. Por, ashtu siç lexojmë në shkrimet e shenjta, Perëndia ka bërë për ne sakrifica shumë më të mëdha nga ç’mund të imagjinojmë dhe kënaqet kur na stolis me gjithçka që kemi nevojë. “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Sepse Ai që nuk kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë bashkë me të, të gjitha gjërat?” (Romakëve 8:31-32).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A ke dëgjuar më parë për “fuqinë e të menduarit në mënyrë pozitive”? Si do ta përshkruaje me fjalët e tua dhe çfarë shikon si pika të forta dhe të dobëta të kësaj filozofie?
  2. Në qoftë se është e vërtetë ajo që thuhet në Fjalët e Urta 23:7 se , “Ai është ashtu siç mendon në zemrën e tij,” çfarë duhet të bëjmë që ta eliminojmë të menduarit negativ?
  3. Si i përgjigjesh idesë së “fuqisë së të besuarit pozitiv”? Si e krahason atë me idenë e “të menduarit pozitiv”?
  4. Çfarë domethënie kanë për ty pasazhet e Biblës të cituara në këtë ese? Po të veproje në mënyrë të vazhdueshme në përputhje me to. Çfarë do të ndryshonte në stilin e jetës dhe punës tënde?

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Isaia 41:10; Jeremia 33:3,6; Efesianëve 3:20; Filipianëve 1:6, 3:12-14, 4:19

2 komente:

Shpendi said...

1. Kam degjuar dhe me pare per filozofine e te menduarit ne menyre pozitive. Ane e forte e kesaj filozofie eshte qe perkon me Mesimin e Perendise qe te jemi optimiste, punetore te papertueshem e te marrim jeten me gezim. Ane e dobet e kesaj filozofie eshte kur mbivleresojme veten, apo aftesite njerezore mbi Perendine, mbi mundesite qe Perendia na ka dhene.
2. Qe ta eliminojme te menduarit negativ duhet t'i lutemi Perendise per ndihme, te ndjekim rrugen dhe mesimet e Perendise dhe me siguri do te jemi ne rrugen e duhur.
3. Fuqia e te menduarit pozitiv eshte dicka qe na e jep Perendia, ndersa te menduarit pozitiv eshte dicka njerezore e jona.
4. Nese ne jete do te ecnim sipas Mesimeve te Perendise do te thote qe stili dhe menyra jone e jeteses do te karakterizoheshin nga optimizmi, nga dashuria per te tjeret, nga papertueshmeria, nga thjeshtesia, nga energjia per te bere gjithcka te mire, sidomos per te tjeret.

Bekime,
Shpendi

geraikemejapria.com said...

Besim në praninë e Perëndisë, dashurisë së pakushtëzuar dhe pranimit të pakushtëzuar

Post a Comment