headerphoto

PROBLEMET QË DALIN NGA DIJENITË E TEPËRTA

Nga: Jim Mathis
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
19 Korrik, 2010

Ted De Moss, president i CBMC, herë pas here përmendte shprehjen “njeri i shkolluar më shumë nga sa i përballon inteligjenca”. Këtë e thoshte me humor për të përshkruar një person që dinte shumë, por mendonte pak. Me fjalë të tjera, ai thoshte se dijenitë e shumta mund të bëhen të rrezikshme kur përdoren pa kujdes.

Çështja e të diturit shumë dhe të mos menduarit sa duhet ka lidhje me shumë njerëz. E kam konstatuar edhe tek vetja ime. Në fillimet e karierës time ia hyra biznesit të retushimit të fotografive. Nuk dija absolutisht asgjë për retushimin, kështu që m’u desh të mendohesha gjatë dhe shumë gjëra t’i mësoja në punë e sipër duke u mbështetur në intuitën time. (Tani e di se gjithçka ishte mençuri e Perëndisë dhe jo meritë e dijenive të mia). Përqasja intuitive më çoi në disa zgjidhje shumë interesante, të cilat bënë që biznesi im të dallohej mbi të tjerët dhe të kishte sukses.

Vite më vonë u angazhova me një projekt tjetër ku jo vetëm ndiheshim të përgatitur njësoj si konkurrentët tanë, por dhe ndoqëm po ato mënyra organizimi si ata. Megjithëse kishim dijeni të mjaftueshme, biznesi im nuk u dallua nga bizneset e tjerë të ngjashëm dhe nuk pati ndonjë sukses për t’u shënuar. Tani që e mendoj, jam më se i sigurt se nuk u treguam shumë krijues në gjetjen e rrugëve të përshtatshme për kryerjen e punëve. U mbështetëm vetëm në atë ç’ka dinim dhe nuk kërkuam më tej.

Duket disi paradoksale! Normalisht mendohet se sa më shumë të dish aq më mirë është, por kjo nuk funksionon gjithmonë kështu. Të marrim shembullin e Stiv Xhobsit, njeriut që krijoi kompaninë Apple Computers. Vështirë se do ta krijonte Apple-in në rast se do të vinte nga mjedisi i kompanisë më të vjetër të kompjuterëve, IBM, e cila kishte një përqasje krejt tjetër ndaj problemeve teknologjike. Mungesa e eksperiencës kompjuterike e bëri Xhobsin të mendonte mënyra të tjera, krejt të ndryshme dhe shpesh aventureske për të zgjidhur problemet teknologjike të Apple. Ato dolën me sukses të plotë.

Në lëmin shpirtëror ne na këshillohet që të besojmë më shumë Perëndinë se sa dijenitë tona. Në Fjalët e Urta 3: 5-6 thuhet, “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe Ai do të t’i bëjë shtigjet të drejta.” Shpesh kjo paraqitet e vështirë për veteranët e biznesit dhe botës profesionale sepse jemi mësuar të kërkojmë zgjidhje të matshme e të prekshme dhe pak bazohemi në besim. Por pikërisht këtë kërkon Perëndia nga besimtarët e Tij.

Para periudhës së Rilindjes evropiane që shtrihet midis shekujve të 14 dhe 17, mendohej se të gjithë njerëzit ishin njësoj në thelb. Në qoftë se dikush ishte i aftë për të prodhuar art, muzikë ose letërsi, mendohej se kjo ndodhte në sajë të faktit se ai ishte pajisur me dhunti të veçanta nga e mbinatyrshmja. Për të thuhej se zotëronte një gjenialitet, një aftësi hyjnore, por nuk thuhej kurrë se ishte vetë gjeni. Pastaj, gjatë Rilindjes, ky mendim ndryshoi. Mënyra e të menduarit që kishte në qendër njeriun mbështeste idenë se njeriu e kishte të vetën aftësinë për të krijuar, pa ndërhyrjen e të mbinatyrshmes. Sipas meje as kjo mënyrë të menduari nuk është e saktë

Ashtu sikundër theksohet në Bibël, Perëndia të jep ose të merr disa dhunti të veçanta, prandaj ne as nuk duhet të mbahemi me të madh kur i kemi këto dhunti dhe as duhet ta qortojmë veten në rast se nuk i kemi ato. Perëndia i jep secilit dhuntitë që meriton megjithëse, nganjëherë, njerëzit nuk e kuptojnë këtë dhe dhuntitë që kanë marrë nuk iu duken si të tilla. Vetëm në rast se mbështetemi tek Perëndia dhe udhëhiqemi prej Tij ne do të shohim konkretisht se çfarë dhuntish e talentesh na ka dhënë Ai dhe si t’i përdorim ato.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A pajtohesh me mendimin se dituria e tepërt në një fushë të caktuar nganjëherë është penguese për të eksperimentuar në gjetjen e rrugëve të reja për zgjidhjen e problemeve? Pse ose pse jo?
  2. A te kujtohet ndonjë rast kur ti ose dikush tjetër “për shkak të pemëve nuk e patë dot pyllin”? Me fjalë të tjera, a të ka ndodhur të jesh gjendur para një zgjidhje për një problem, e cila, më pas, kur gjithçka ka mbaruar me sukses, të është dukur fare e lehtë? Mundohu ta përshkruash këtë situatë.
  3. Si mund të shmanget problemi i mos gjetjes së rrugës së duhur për shkak të informacionit të tepërt ose dijenive të tepërta?
  4. Në botën e biznesit, cilat mendon se janë sfidat më të mëdha kur merr vendime mbi bazë shpirtërore dhe jo mbi bazën e një dokumentacioni dhe arsyetimi të ftohtë?
Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
1 Samueli 16:7; Fjalët e Urta 16:3,9; Jeremia 33:3; 1 Korintasve 2:9; Efesianëve 3:20

2 komente:

Shpendi said...

1. Dituria e tepert mund te jete ndonjehere problem per gjetjen e rrugeve te reja pasi na ben me dembele per te kerkuar shtigje te reja, na mbush me krenari, etj, gjera qe nuk jane te mira ne syte e Perendise.
2. Ka pasur raste kur probleme qe me jane dukur te veshtira, jane zgjidhur papritmas lehtesisht, ne keto raste kam menduar se ka qene vullneti i Perendise qe gjerat kane shkuar mire, dhe jo dijes apo profesionalizmit tim ne pune.
3. Problemi i shmangies se gabimeve nga dija e tepert zgjidhet duke i besuar me zemer Fjales se Perendise.
4. Sfida me e madhe kur vendimet merren mbi baze shpriterore dhe jo te logjikes se ftohte eshte mardhenia dhe te kuptuarit e ketyre vendimeve nga njerezit te cilet nuk veprojne mbi baza shpirterore, si psh nga jo besimtaret.

Bekime,
Shpendi

Maqka Totoni said...

NJOHURIA KREKOS THOTE PERENDIA ... PERPARA SHKATRIMIT VJEN KRYELARTESIA DHE PERPARA RREZIMIT FRYMA KRENARE . F.Urta 16 [18 ]. me se e vertete eshte kjo .ZOTI JU BEKOFTE .

Post a Comment