headerphoto

KE NEVOJË PËR URTI? PSE MOS IA KËRKOSH ATË PERËNDISË?

Nga: Rick Boxx
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
12 Korrik, 2010

Mendimet m’u ngatërruan teksa po përpiqesha të përfytyroja mënyrën se si t’ia kumtoja sa më saktë bordit të drejtorëve mendimet dhe ndjenjat që kisha në zemër. Si do të mundja që t’i bëja ata me dije për disa konkluzione të rëndësishme në një mënyrë të atillë që ata të kishin mundësi të kuptonin se si kisha mbërritur në ato konkluzione. Përvoja më thoshte që t’i drejtohesha Perëndisë për udhëzime të sakta dhe urtësi mendimi.
"Zot, më jep një axhendë për mbledhjen e nesërme të bordit të drejtorëve,” u luta atë mbrëmje para se të flija. Pastaj më zuri gjumi me besimin se, kur të zgjohesha, do ta kisha në mendje atë që më duhej. Në të vërtetë, shpresoja të zgjohesha me një plan nga ata të tipit “hap pas hapi”, por Perëndia më solli në mendje një histori nga e kaluara, e cila përputhej shumë mirë me atë që do të diskutohej në bord.

Atë mëngjes, gjatë mbledhjes, historia që tregova e krijoi më së miri kuadrin e përgjithshëm të asaj për ç’ka flitej. Ajo më shërbeu jo vetëm si një mjet i fuqishëm për të shpalosur thelbin e asaj që desha të thosha, por më dha mundësinë edhe për të ilustruar disa pika kyçe.

Megjithëse u shpërbleva (nga Perëndia), nuk mbeta fort i habitur nga përgjigja konkrete që morën lutjet e mia për urtësi në mendim. Si besnik i Jezu Krishtit që jam, kjo gjë më ka ndodhur shumë herë dhe ky nuk ishte veçse një nga rastet kur Perëndia iu përgjigj nevojave të mia. Në Testamentin e Ri të Biblës, tek Jakobi 1:5 thuhet, "Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le ta kërkojë nga Perëndia që u jep të gjithëve pa i qortuar, dhe atij do t’i jepet."

Fatkeqësisht, kërkesa të tilla për urti, më shumë se rregull, janë përjashtime. Kam zbuluar se, shpesh, presioni dhe kërkesat e ditës të shtyjnë të veprosh me shpejtësi pa i lejuar vetes një farë kohe për t’ju lutur Perëndisë që të të japë udhëzime. Madje, për disa njerëz, lutja nuk është fare në rend të ditës. “E ç’lidhje ka Perëndia me biznesin? E ç’i duhet Perëndisë të dijë se çfarë bëj unë në punë dhe si e bëj atë?”

Këtyre njerëzve unë do t’iu vija në dukje se çfarë thotë Bibla në lidhje me marrëdhëniet në punë. Në Testamentin e Ri thuhet, “Ne pra jemi bashkëpunëtore të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, godina e Perëndisë” (1 Korintasve 3:9). Mesazhi është i thjeshtë, por i thellë: Ne punojmë me Perëndinë, Ai punon me ne për të kryer qëllimet e Tij në tokë, përfshirë këtu edhe biznesin.

Në rast se e pranojmë këtë, atëherë është budallallëk që të mos i drejtohesh Perëndisë për të të dhënë urtinë e nevojshme për të zgjidhur situata të vështira që has në jetën e përditshme. Disa thërrasin konsulentë me pagesë; po pse të mos konsultohesh (falas) edhe me Perëndinë për gjëra të rëndësishme? Bibla na thotë, “Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdim; madhështinë e Tij askush nuk mund ta imagjinojë” (Psalmi 145:3).

Perëndia ka dëshirë të madhe të bëhet partner me ty në punën tënde. Ai premton që të të pajisë me doza të pafundme urtie. Vetëm kërkoja!


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Kur të nevojitet një këshillë urgjente, cili është personi i parë të cilit i drejtohesh?
  2. Kur je përballë marrjes së vendimeve të vështira, a i drejtohesh Perëndisë për udhëzime? Pse ose pse jo?
  3. A e beson se, sikundër shpjegon Rick Boxx, Perëndia mund të të jap përgjigje konkrete për kërkesat e tua? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Çfarë mendon për idenë se, sipas pasazhit të cituar të Biblës, “jemi bashkëpunëtorët e Perëndisë” dhe se Ai dëshiron të bëhet partner me ne në punën tonë?

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Psalme 37: 4-5; Fjalët e Urta 1:7, 16:21-22; Jeremia 33:3; Efesianëve 2:10; 2 Timoteut 3:16-17

1 komente:

Shpendi said...

Ne lidhje me Monday Manna te dt. 12 Korrik:

1. Kur me nevojitet nje keshille urgjente i lutem Perendise te me ndricoje mendjen qe te bej zgjedhjen me te mire.
2. Perballe vendimeve te veshtira i drejtohem Perendise me lutje per te pasur vendimin me te mire te mundshem, pasi Perendia ka planin e saj per secilin prej nesh dhe ne duhet t'i besojme Planit te Perendise per ne.
3. Perendia mund te jape zgjidhje konkrete per problemet tona duke na ndricuar mendjen ne drejtimin qe do Perendia.
4. Jemi bashkepunetore dhe partnere te Perendise, pasi Perendia na krijoji ne imazhin e vet, eshte ne dijeni te gjithckaje qe ka lidhje me jeten dhe veprat tona.

Bekime,
Shpendi

Post a Comment