headerphoto

KUR DUKET SIKUR LUTJET NUK MARRIN PЁRGJIGJE

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
5 Korrik, 2010

“Kur s’ke rrugëdalje tjetër, atëherë lutu.” Kjo është motoja e shumë njerëzve. Ndoshta edhe ti je një prej tyre. Bën pjesë në grupin e atyre njerëzve që janë të aftë t’ia dalin mbanë pothuaj çdo situate. Kur ndodhin raste të rralla që gjërat iu dalin jashtë kontrollit, atëherë i drejtohen lutjes. Në fund të fundit ç’të keqe ka?
Disa të tjerë i kushtojnë lutjes më shumë rëndësi. Bibla thotë: “Lutu pa pushim” (Thesalonikasve 5:17), dhe ata këtë porosi e marrin seriozisht. Luten për nevoja personale, për nevojat e të tjerëve dhe kështu përlëvdojnë Perëndinë që adhurojnë. Por lutja paraqet një problem: nuk është si të hedhësh një monedhë në një automat dhe të marrësh atë që dëshiron. Nganjëherë lutjet nuk marrin përgjigje.

Çfarë ndodh kur ti lutesh dhe përgjigja nuk vjen? Lutjet e tua kanë të bëjnë me pritjen e një vendi pune, me përfundimin e një kontrate të leverdishme, me një ngritje në detyrë, me zgjidhjen e një problemi financiar në familje etj. Ti lutesh, por përgjigje s’ka.
Gjatë karrierës time e kam provuar këtë në shume raste: Kur më është dashur të qëndroj në një vend pune që nuk më pëlqente duke mos pasur ndonjë shpresë të qartë për të ardhmen. Kur kam pasur nevojë të gjeja personin e duhur për një vend pune kyç në kompani. Kur kam qenë në pritje për të shitur një shtëpi dhe më janë dashur paratë në mënyrë urgjente…
Situata të tilla nuk kanë qenë të këndshme, por nëpërmjet tyre mësova shumë në lidhje me lutjen… dhe Perëndinë. Mësova, për shembull, se Perëndia gjithmonë iu përgjigjet lutjeve, por Ai e bën këtë në katër mënyra: Po. Jo. Prit. Ndryshe. T’u hedhim një sy të shpejtë këtyre mënyrave që përdor Perëndia për t’iu përgjigjur lutjeve tona:

Kur Perëndia thotë “Po”. Si një baba i dhembshur dhe i dashur, Perëndia kënaqet kur merr lutjet e fëmijëve të vet dhe iu përgjigjet atyre. Për më tepër përgjigjet e Tij janë shumë më të mira e më të plota se ato të prindërve natyralë. “Në qoftë se kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj” (Gjoni 14:14). “Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq me tepër Ati juaj qiellor do t’iu dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë” (Lluka 11:13).

Kur Perëndia thotë “Jo”. Ndonjëherë kërkesat tona nuk plotësohen sepse motivet që na shtyjnë t’i bëjmë ato janë të gabuara, rrjedhojë e dëshirave egoiste. Ndonjëherë tjetër Perëndia e di se ajo çfarë duam vërtet nuk është ajo që po kërkojmë. Prandaj u thotë “Jo” lutjeve tona.“Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakobi 4:3).

Kur Perëndia thotë “Prit.” Ka raste kur Perëndia, për arsye të ndryshme, i rezervon përgjigjet. Kjo do të thotë se kërkesa nuk është bërë në kohën e duhur ose detajet e saj nuk janë të plota. Mund të ketë për qëllim edhe që të na ushtrojë që të kemi durim ose thjesht, të na afirmojë faktin se është Ai që i ka gjërat nën kontroll dhe jo ne. “Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën e Tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën…” (Psalmet 37:34).

Kur Perëndia thotë “Ndryshe”. Nganjëherë, kur lutemi, jemi të bindur se e dimë mirë se çfarë duam. Me urtësinë e tij, Perëndia di gjithçka dhe është në gjendje ta kuptojë se një përgjigje ndryshe nga ajo që presim është më e përshtatshme, madje më e mira. “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase me tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 3:20).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Sa e rëndësishme është lutja në jetën tënde? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Kur ka qenë hera e fundit që ke menduar se lutjet e tua nuk kanë marrë përgjigje? A ke tani ndonjë lutje për të cilën nuk po merr përgjigje? Nën dritën e kësaj Manna të së Hënës, a mund të mendosh se për çfarë arsye lutjet e tua nuk po marrin përgjigje sipas kërkesave të tua?
  3. Çfarë do të thotë për ty fakti se Perëndia iu përgjigjet lutjeve jo vetëm me “Po” ose “Jo”, por edhe më “Prit” ose “Ndryshe”?
  4. Tek Gjoni 15:7, Jezusi i tha ndjekësve të tij, “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet”? Çfarë nënkuptonte Jezusi dhe si duhet të ndikojë ajo që nënkuptonte Ai mbi mënyrën se si lutemi?

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Psalmet 37:4-5, 141:1, 142:1-7, 143:1,7-10; Fjalë e Urta 3:5-6; Mateu 6:7-13; Filipianëve 4:6

1 komente:

Shpendi said...

1. Lutja eshte element shume i rendesishem i jetes sime. Perpara se t'i lutem Zotit une e mendoj qe lutja te jete per dicka te rendesishme per mua apo per te tjeret.
2. Nuk me kujtohet rast qe lutja ime per dicka te rendesishme te mos kete marre pergjigje.
3. Perendia di gjithcka dhe pergjigja ndaj lutjeve tona me "Prit" ose "Ndryshe" duhet pare si rregullim apo pershtatje, qofte edhe ne kohe qe Perendia i ben lutjes sone.
4. Jezusi nenkuptonte qe ndjekesit duhet ta besonin, kjo ishte e rendesishme dhe kjo eshte edhe per ne e rendesishme qe lutja te jete me besim, qe jeta jone te jete e mbushur me besim ne Perendine.


Bekime,
Shpendi

Post a Comment