headerphoto

ÇFARË LLOJ “AROME” SHPËRNDAN?

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
7 Qershor, 2010

Shpesh krijojmë përshtypje dhe dalim në konkluzione duke u bazuar mbi atë se çfarë shikojmë ose dëgjojmë, por mendimi ynë mund të ndikohet edhe nga ajo se çfarë nuhasim. Kur kam qenë fëmijë, për shembull, më pëlqente era e veçantë e lapsave me ngjyra. Për mua ky ishte një rast për të shprehur krijimtari nëpërmjet ngjyrimit të figurave. Më vonë, e dashura ime e parë mbante një parfum me aromë karakteristike, gjë që ma kujtonte atë edhe më vonë, sa herë ndjeja aromën e njohur të parfumit të saj.
Më pëlqen aroma e kafesë në mëngjes. Ajo sikur më hap sytë. Asnjë film në kinema nuk do ta shijoja plotësisht pa aromën joshëse të kokoshkave dhe nuk njoh asnjë që të mos pëlqejë erën e një makine të re, të sapo dalë nga fabrika.

Vendet e punës kanë secili aromat dhe erërat e tyre dalluese. Kur merresha me gazetën, më shoqëronte vazhdimisht era e bojës se linotipit, e cila më ngjitej edhe në rroba. Kur kaloj pranë ndonjë restoranti, erërat e ushqimeve më bëjnë të ngadalësoj hapat e jam gati të hyj brenda dhe të shfletoj menynë. Në shumë fabrika dominojnë erëra të veçanta të lëndëve të para që ato përdorin për produktet e tyre.

Por, a keni menduar ndonjëherë se edhe biznesmenët dhe drejtuesit kanë “aromat” e tyre të veçanta, të cilat në mënyrë instiktive i ndjejnë bashkëpunëtorët e tyre? Nuk e kam fjalën për deodorantët që përdor secili. Fjala është për “aromën e personalitetit” që na shoqëron kur hyjmë në ambientet e ndryshme të punës. Transmetojmë entuziazëm apo zymtësi? Energji apo letargji? Veprim apo hezitim?

Mund të ndodhë që edhe aroma e besimit tonë shpirtëror të ndikojë tek të tjerët. Në Bibël thuhet se nëpërmjet pasuesve të tij, “Perëndia shfaq kudo erën e këndshme të njohurisë së vet” (2 Korintasve 2:14). Kjo do të thotë se pasuesit e Jezu Krishtit janë kudo edhe shërbejnë si përfaqësues te Tij. Ja disa mesazhe që dalin nga kjo:

Ne jemi ambasadorë të Perëndisë. Ashtu sikundër një ambasador i huaj përfaqëson vendin e vet në një vend tjetër, ashtu edhe ndjekësit e Jezusit shërbejnë si ambasadorë tek njerëzit që ende nuk e kanë njohur Atë. Kjo ka të mirën dhe të keqen e vet sepse ashtu sikundër një ambasador i paaftë krijon një imazh të keq për vendin e tij, edhe një ndjekës hipokrit ose i paqëndrueshëm mund të japë një imazh të keq për Jezusin në sytë e të tjerëve. “ne pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin…” (2 Korintasve 5:20).

Ne jemi promovuesit e Perëndisë. Promovuesi më i mirë i një produkti është njeriu që ka mbetur i kënaqur nga vlerat që ka gjetur gjatë përdorimit të atij produkti. Në mënyrë të ngjashme, ndjekësit e Jezusit janë të pajisur me dhuntinë për të treguar se çfarë domethënie ka pasur Jezusi për jetën e tyre dhe çfarë domethënie ka Ai për të tjerët “Ne, pra, bëhemi lajmëtar për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë” (2 Korintasve 5:20).

Ne jemi kufiri ndarës i Perëndisë. Jo çdokush reagon pozitivisht ndaj atyre që ndjekin Jezusin dhe jetojnë për të, pavarësisht se çfarë ka thënë e çfarë ka bërë Ai. Ajo çfarë ne duhet e mund të bëjmë është që të jetojmë një jetë sa më të pastër moralisht dhe t’i lëmë të tjerët të mendojnë vetë kur të bëjnë zgjedhjen e tyre. “Sepse ne jemi për Perëndinë aroma e këndshme e Krishtit, ndër ata që shpëtohen e ndër ata që humbasin; për një palë jemi era e vdekjes; për tjetrën aroma e jetës.” (2 Korintasve 2:15).

E rëndësishme është që të kuptojmë se përballë atyre që e kundërshtojnë Krishtin ne nuk duhet të ndihemi të sulmuar sepse ky sulm i drejtohet Jezusit dhe jo pasuesve të tij. “Ja unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkemb kundërshtimi (Jezusi), dhe kushdo që i beson Atij nuk do të turpërohet” (Romakëve 9:33).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. Cilat janë aromat që të pëlqejnë më shumë? Çfarë mendimesh, emocionesh dhe kujtimesh të shkaktojnë ato?
  2. A mund të kujtosh ndokënd midis kolegëve të punës i cili kishte një “aromë” të veçantë në sjelljen dhe qëndrimet e tij? Shpjegoje përgjigjen.
  3. Çfarë mendon për konceptin se besimi shpirtëror i njerëzve që ke rrotull ka të njëjtin efekt si aromat?
  4. Në qoftë se je pasues i Jezu Krishtit çfarë lloj arome mendon se të tjerët ndjejnë prej teje? A mendon se je një ambasador i denjë i Tij. Pse, ose pse jo?

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tërë në lidhje me këtë temë:
1 Korintasve 3:6-13; Efesianëve 5:2, 6:20; Filipianëve 1:9-12, 4:18; 1 Pjetri 2:8

2 komente:

Genard said...

Shume e bukur, me kujton filmin: "Arome Gruaje" me Al Pacinon.

Shpendi said...

1. Aroma e pranveres dhe e detit me pelqejne shume. Aromat ne pranvere, te gjelberimit, te luleve, freskia e ajrit jane plot jete dhe gjalleruese, ndikojne se tepermi ne optimizmin tim. Aroma e detit eshte qetesuese, paqetuese dhe mbushese.
2. Kam pasur kolege qe ishin cdo here te qeshur, te komunikueshem e te gatshem te jepnin ndihme ne rast nevoje, sikurse kam pasur edhe kolege te cileve nuk u ka qeshur buza kurre dhe nuk u ka interesuar te kene komunikim e bashkepunim as ne pune e as ne aktivitete jashte punes.
3. Besimi shpirteror i njerezve rrotull ka te njejtin efekt si aromat, sepse nga qendrimi shpirteror e jo vetem, varet atmosfera qe krijojne keta njerez tek te tjeret, e mire ose jo.
4. Une perpiqem te jem i denje, por ende nuk jam i tille. Ne keto kushte une shpall njekohesisht besimin tim tek te tjeret, por edhe evidentoj qe edhe une si njerezit e tjere jam nje mekatar, megjithese perpiqem te jem i denje sipas mesimeve te Perendise. Perpjekja ime eshte ne drejtimin qe njerezit te kuptojne se Fjala e Perendise eshte e Drejte dhe e Shenjte.

Bekime,
Shpendi

Post a Comment