headerphoto

ÇELËSI I KRIJIMIT DHE I RUAJTJES SË BESIMIT

Nga: Rick Boxx
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
14 Qershor, 2010

Kohët e fundit dy profesorë analizuan disa ndërmarrje për të parë nivelin e besimit që gëzojnë ato në marrëdhënie me të tretët. Një artikull i gazetës “Wall Street Journal” e përmblodhi studimin e tyre në katër drejtime:

  • Besueshmëria ndaj personave
  • Profesionalizmi i kompanisë
  • Memoria institucionale…dhe
  • Krijimi i lidhjeve me të tretët
Do desha që të ndalesha shkurtimisht në këto drejtime dhe të paraqisja parimet biblike që qëndrojnë mbrapa secilit prej tyre. Studiuesit zbuluan dy faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në krijimin e besueshmërisë ndaj personelit të kompanive: komunikimi tek të tjerët i aftësive të tua profesionale dhe dhënia e mesazhit të përkushtimit ndaj punës. Investitorët dhe klientët e mundshëm duan të dinë nëse ti i ke aftësitë për të kryer punën tënde si dhe forcën e përkushtimit ndaj saj, sidomos në kohë të vështira, që nuk mungojnë të vinë herë pas here.

Mbreti Solomon na mëson kështu tek Predikuesi 10:10, "Në qoftë se sëpata topitet dhe nuk mprehet, duhet përdorur më tepër forcë, por mjeshtëria ka epërsinë t’ia dalë mbanë." Në qoftë se do që partneret të kenë besim tek ty, atëherë mundohu që ata të kuptojnë se ti ke aftësitë dhe përkushtimin ndaj biznesit që përfaqëson. Mbaje sëpatën të mprehur dhe bëhu këmbëngulës.

Faktori i dytë që zbuluan studiuesit si faktor kyç në krijimin e besimit për biznesin, ishte "profesionalizmi” i kompanisë". Mjedisi për rreth dhe vëmendja ndaj detajeve flasin shumë mbi biznesin tënd. Duke vëzhguar mijëra biznese, unë kam vënë re lidhjen që ekziston midis rregullit në paraqitje dhe rregullit e disiplinës në menaxhim. Nëse ti arrin të menaxhosh mirë aq sa zotëron, atëherë ti do të jesh i bekuar më shumë në të ardhmen.

Në parabolën e Tij mbi talentet, Jezusi na ka dhënë parimin e menaxhimit të mençur: "Dhe Zoti tha: Të lumtë shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjerat e vogla, unë do të të vë ty në krye të shumë gjërave." T’u kushtosh vëmendje detajeve nuk kushton shumë, por jep rezultate të shkëlqyera (Mateu 25:21).

Element i tretë i krijimit të besimit tek biznesi është "memoria institucionale” e kompanisë. Shumë nga kompanitë e reja e kanë te vështirë që të angazhohen në treg po nuk paraqitën prova të punëve të kualifikuara që ato kane kryer. Kërkimi për “fitore” në fushën që mbulon biznesi dhe shpallja publike e këtyre fitoreve janë me rëndësi të madhe në ndërtimin e besueshmërisë ndaj çdo kompanie.

Një nga mënyrat më te mira për ta bërë këtë gjë është krijimi i dëshmive për punë të ndryshme dhe hedhja e tyre në uebsajtin e kompanisë. Për të rritur sa më shumë reputacionin, kërkoju klientëve përshtypjet dhe dëshmitë e tyre dhe pastaj bëji ato publike. Në Fjalët e Urta 27:2 thuhet, "Le të të lëvdojë një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua."

Elementi i katërt në lidhje me krijimin e besimit tek një kompani ka të bëjë me “ndërtimin e lidhjeve”. Ti mund ta rritësh besimin ndaj biznesit tënd nëpërmjet besueshmërisë që kanë klientët tek biznese të tjera qe kanë lidhje me ty. Vite më parë ndërtova një partneritet me një kompani, e cila na rekomandoi tek mijëra klientë. Reputacioni i kompanisë tonë u rrit sepse këta klientë erdhën tek ne nëpërmjet një burimi të besuar.

Mojsiu e pyet Perëndinë në Eksodi 33:16, "Si mund ta kuptojë gjithkush se ju jeni të kënaqur me mua dhe me popullin tuaj nëse ju nuk vini me ne? Çfarë tjetër do të dallojë mua dhe popullin tuaj nga të gjithë popujt e tjerë mbi faqen e dheut?" Marrëdhënia mes Perëndisë është më e vyera, por marrëdhëniet me partnerë të tjerë të besueshëm kanë gjithashtu vlerë të madhe.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Kur vlerëson besueshmërinë e një kompanie apo organizate me të cilën ti bashkëpunon, çfarë cilësish të saj të vijnë në mend?
  2. Sipas mendimit tënd, cila nga katër strategjitë që përcakton profesori në lidhje me besueshmërinë, të duket më e rëndësishmja? Pse?
  3. Po të flasim për besueshmërinë tënde personale ose besueshmërinë e biznesit që ti përfaqëson, a përpiqesh që t’ia u komunikosh të tjerëve aftësitë e tua dhe nivelin tënd të përkushtimit? Në ç’mënyrë? A mendon se ke vend për përmirësim në këtë aspekt?
  4. Si mendon se mund të rritet besueshmëria jote në marrëdhënie me të tjerët? Në këtë shkrim thuhet se marrëdhënia me Perëndinë është pjesë e këtij procesi. A je dakord me këtë pohim? Pse, ose, pse jo?

Shënim: Bibla ofron edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Fjalët e Urta 10:9, 11:3, 15:33, 20:14, 29:4; Filipianëve 2:28-30; 1 Timoteut 3:1-10; 3 Gjoni 12.

0 komente:

Post a Comment