headerphoto

TË GJESH FORCË NË KOHË VËSHTIRËSISH

Nga: Robert D. Foster
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
17 Maj, 2010

Të gjithë, pa përjashtim, jemi të destinuar që të përballojmë probleme, sëmundje, vuajtje të ndryshme dhe, një ditë, vdekjen. Je kush je – i varfër apo i pasur, drejtor apo roje, i njohur apo i panjohur – një ditë edhe për ty do të dalë ai lajmërim që thotë: “U nda nga jeta…”
Por edhe deri në frymën e fundit na duhet të përballemi me vuajtje, qofshin ato fizike, emocionale, profesionale ose shpirtërore. Mënyra se si reagojmë ndaj tyre dhe pasojat e mëpasme tregojnë shumë për karakterin tonë dhe ndikojnë fuqishëm në formësimin e pjesës së mbetur të jetës.
Një nga miqtë e mi më të dashur ka qenë Bad Uintein, një fermer me origjinë gjermane, i cili kishte një këndvështrim origjinal dhe shumë optimist për jetën. Shumë vjet më parë, ai dhe gruaja e tij e këndshme suedeze, Margarita, kishin në zotërim disa dhjetëra hektarë tokë në një fermë afër Uaskos, në shtetin Illinois të SHBA. Dikur ai u sëmur me poliomielit dhe kështu, të gjitha ëndrrat e këtij çifti vdiqën me diagnozën: paralizë akute.

Megjithatë Badi, nuk u ligështua. Margarita vazhdoi ta mbante fermën me punëtorë me pagesë, ndërkohë që Badi iu nënshtrua ushtrimeve fizike për të luftuar paralizën, të paktën në pjesën e sipërme të trupit. Kompania që prodhonte traktorë, nxori një model të posaçëm për të, model i cili nuk kishte nevojë për këmbët që të vihej në punë. Poliomieliti dëmtoi trupin e Badit, por nuk ia mposhti atij zemrën, vullnetin për të jetuar dhe buzëqeshjen e tij karakteristike. Besimi i tij i fortë tek Jezu Krishti nuk ishte një mjet për t’i shpëtuar vullnetit të Zotit, por një mënyrë për të mësuar se si duhej plotësuar ky vullnet.

Handikapi i Budit u bë platforma e tij e besimit tek Zoti. Me siguri ai e ka lexuar artikullin me titull “Si ta shndërrosh sëmundjen në forcë” sepse ashtu veproi. Ky artikull vinte në dukje këtë: “Shpesh sëmundja gjeneron energji të veçanta, të cilat, kur ke një shëndet të mirë, nuk dalin dot në dukje”. Ja disa shembuj:

* Sëmundja na bën të kemi parasysh vdekjen.
* Sëmundja na bën të mendojmë seriozisht për Zotin.
* Sëmundja na e zbut zemrën.
* Sëmundja na ndihmon të jemi të përulur.
* Sëmundja na e vë në provë besimin tonë tek Zoti.

Me këto mendime në kokë, Apostulli Pal shkroi kështu: “...M’u dha një gjemb në mish që të mos mbahem me të madh. Një engjëll i Satanit bëri çmos që të më thyente, e të më vinte poshtë, e të më gjunjëzonte. Iu luta Zotit tri herë që ta largonte nga unë. Por ai më tha: ‘Hiri im mjafton, kaq të duhet. Fuqia ime e merr vlerën në dobësinë tënde’”.

"Kur dëgjova këtë, u gëzova që të më ndodhte ashtu. E hoqa mendjen nga gjëmbi në mish dhe fillova të vlerësoj dhuratën e Zotit. Tani pengesat i kapërcej me lehtësi; ato pengesa që shkaktojnë fyerje, përndjekje, halle, ngushtica…ia lë Krishtit që t’i marrë përsipër! Dhe kështu, sa më shumë dobësohem, aq më i fortë bëhem” (2 Korintasve 12: 7-10).

Studjuesi Maks Lukado e shpreh këtë ide me këto fjalë: "Kur dobësia jote del në sipërfaqe, ki parasysh se Perëndia ende po të përdor; dil vullnetar për të shërbyer në një mënyrë të atillë që të kesh nevojë të varesh nga fuqia e Perëndisë. Varu prej Tij në çdo hap të jetës tënde.”


Reflektim/ Diskutime/ Pyetje
  1. Si reagon zakonisht kur përballesh me kohë të vështira si pasojë e sëmundjeve, dekurajimit apo e rrethanave që janë jashtë kontrollit tënd?
  2. Si mendon, përse autori i kësaj Manne të së Hënës thekson se mënyra se si reagojmë ndaj ligështimit tregon karakterin tonë të brendshëm. A pajtohesh me mendimin e tij?
  3. Çfarë roli mund të luajë besimi shpirtëror në mënyrën se si i përballojmë fatkeqësitë ekstreme?
  4. A ke menduar ndonjëherë se çastet e dobësisë dhe sëmundja janë burim energjish të veçanta? Apo kjo ide të duket e pakuptimtë? Shpjegoje përgjigjen.

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë. Ja disa prej tyre:
Jozueu 1:6-9; Romakëve 5:3-5, 8:28-29; Filipianëve 1:12-14, 3:10-14, 4:4-7; Jakobi 1:2-8

0 komente:

Post a Comment