headerphoto

AUTONOMIA E PUNONJËSVE SIPAS QËLLIMIT TË PERËNDISË

Nga: Rick Boxx
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
10 Maj, 2010

Libri i ri i Daniel Pinkut "Motivimi", na tregon një rast interesant se si realizohet autonomia në punë. Ai e përcakton autonominë si “veprim sipas zgjedhjes tënde”. Për ta mbështetur këtë, ai na vë përpara një studim mbi 320 biznese të vogla, të bërë nga universiteti Kornell.

Nga të gjitha kompanitë që trajton studimi, gjysma e tyre i ofrojnë autonomi veprimi punonjësve të tyre, ndërsa gjysma tjetër mbështeten në sistemin “nga lart poshtë” duke pasur përqendrim të drejtimit dhe fare pak liri veprimi individuale për punonjësit. Sipas studimit, bizneset që i japin autonomi punonjësve rriteshin në një masë katër herë më të madhe se sa ato që ishin orientuar nga kontrolli i përqendruar. Për më tepër, kompanitë që inkurajonin autonominë, kishin një qarkullim punonjësish (largime dhe rekrutime të reja) sa një të tretën e atyre me kontroll të përqëndruar.
Këto zbulime nuk duhet të na habisin. Ato tregojnë se si jemi gatuar ne.

Në Bibël shohim se Perëndia e kishte vendosur autonominë në punë. Zanafilla 1:26 thotë, "Pastaj Perëndia tha, ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe’ ”. Pra, megjithëse ishte vetë Krijuesi, Perëndia ia kishte deleguar autoritetin krijesës së tij me të parë, njerëzimit, që të shërbente si kujdestar i gjithçkaje tjetër që Perëndia kishte krijuar.

Ne shohim se si kjo ide e autonomisë reflektohet edhe në Testamentin e Ri të Biblës. Mateu 10:1 na thotë, “Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymët e liga dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë”. Më pas ai iu kërkoi atyre të raportonin mbi atë ç’ka përjetuan.

Më poshtë, tek Mateu 21, shohim Jezusin që dërgon përpara në fshat dy nga dishepujt që të merren me përgatitjen për hyrjen e Tij në Jerusalem. Në thelb Jezusi e dinte se nëse ndërmarrja e tij do të kishte sukses duke i mbijetuar qenies së tij në tokë, atij do t’i duhej që të mbështetej tek talentet dhe vullnetet e pasuesve të tij për të vazhduar kryerjen e detyrës.
Ka shumë të mira tek dhënia e punonjësve autonominë e nevojshme. Në Shkrimet e shenjta afirmohen këto të mira si më poshtë:

Përfitohet nga dhuntitë e veçanta të secilit. Edhe drejtuesit me të zotë kanë kufizimet e tyre. Ata nuk i kanë të gjitha aftësitë që duhen për të arritur qëllimet e kompanive. Duke iu dhënë autonomi punonjësve, ata kanë mundësi të përdorin në maksimum kapacitetet e tyre krijuese. “Ashtu sikundër trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjithë gjymtyrët e të njëjtit trup megjithëse janë shumë, formojnë një trup të vetëm… Po të ishin të gjithë gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?...” (1 Korintasve 12:12-19).

Përfitohet nga shqyrtimi i këndvështrimeve të ndryshme. Gjithmonë ka vlerë t’i shohësh punët nga këndvështrime të ndryshme. Në rast se iu jepet liria që t’i shprehin pikëpamjet e tyre, punonjësit mund të sjellin ide të reja që drejtuesve nuk iu kanë shkuar ndërmend. “Planet dështojnë kur mungon këshillimi, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh” (Fjalët e Urta 15:22).

Përfitohet nga përkushtimi i veçantë i punonjësve. Njerëzit që kanë autonomi ndjehen të besuar dhe zakonisht kanë ndjesinë që të tregohen të denjë për këtë besim. “Një lajmëtar i besuar është për ata që e dërgojnë si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai freskon shpirtin e dërguesve të tij ” (Fjalët e Urta 25:13).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Çfarë lloj drejtuesi ose shefi je ti? A beson në autonominë e punonjësve apo preferon kontroll të padiskutueshëm. Shpjegoje përgjigjen.
  2. Në qoftë se je në marrëdhënie varësie me një shef, ose ke qenë në të kaluarën, cilat marrëdhënie aplikoheshin, autonomia apo urdhri nga lart poshtë. Si je ndjerë në ato marrëdhënie?
  3. Pse mendon se studimi i universitetit tregoi se disa kompani i ruajnë e i mbajnë punonjësit e tyre në një shkallë shumë më të lartë se ato që aplikojnë drejtimin nga lart poshtë?
  4. Sipas mendimit tënd, cila nga dy përqasjet është më e mirë në interes të një kompanie dhe punonjësve të saj. Pse ose pse jo?

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë
2 Mbretërit 2:1-12; Mateu 28:16-20; Marku 11:1-11, 12:28-34; Lluka 12:35-48; Gjoni 1:35-51

0 komente:

Post a Comment