headerphoto

FORCA E FJALËS SË THËNË NË KOHËN E DUHUR

Nga: Robert J. Tamasy

Në ndihmë të përsosjes së

moralit në jetë dhe në punë.

3 Maj, 2010


Vite më parë një miku im më tregoi për një mbledhje ku paria e qytetit diskutonte mundësinë që në qytet të akomodohej një takim i madh ndërkombëtar. Gradualisht diskutimi kishte marrë një kthesë negative. Zyrtarët ngrinin shqetësime për problemet që mund të lindnin si: rendim dhe bllokim trafiku, ushtrim dhune, demonstrata politike dhe shqetësime të tjera. Gjasat që aktiviteti ndërkombëtar të zhvillohej në qytetin tonë po bëheshin fare të pakta.


Një i njohuri im nuk kishte hyrë ende në debat kur një anëtar i komitetit iu kthye e i tha, “Ted, ti ke qenë i heshtur deri tani. Çfarë mendimi ke?” Përgjigja tij ishte e thjeshtë, vetëm me tetë fjalë: "Atje ku nuk ka qe, grazhdi qëndron i pastër.” Ai nuk e zgjati më tej duke lënë që këto fjalë të lundronin në ajër për pak çaste.


Papritur, i ndriçuar prej këtyre fjalëve, dikush thirri: “Ka të drejtë! Vërtet mund të ketë ca probleme, por unë mendoj se përfitimet nga akomodimi i aktivitetit janë shumë më të mëdha nga shqetësimet që mund të shkaktohen. Menjëherë pas kësaj diskutimi mori një kthesë 180 gradësh. Mbledhja mori kurs pozitiv.


Fjalët që përdori Tedi vinin drejt e nga pasazhi që gjendet në Testamentin e Vjetër, tek Fjalët e Urta 14:4, i cili thotë: “Aty ku nuk ka qe, grazhdi është bosh, por nga forca e kaut vjen bollëku i korrjes.” Ditë më vonë një nga pjesëmarrësit e takimit u interesua për origjinën e kësaj thënieje, por fjalët e Tedit e kishin kryer tashmë punën e tyre.

Kthesa dramatike që mori mbledhja nuk kërkoi ndonjë fjalim shumë të sofistikuar ose ndonjë thirrje me ngarkesa të mëdha emocionale. Fjalët e thjeshta goditen në shenjë me preçision prej kirurgu. Pak fjalë, të thëna në kohën e duhur dhe të përdorura me kursim, ushtrojnë forcë bindëse të jashtëzakonshme. Këtë Bibla na e rikujton në shumë mënyra:

Nganjëherë më e mira është heshtja. Disa njerëz mrekullohen nga tingëllimi i zërit të tyre, por heshtja mund të jetë “fjalimi” më i mirë. “Kur hesht edhe një budalla konsiderohet i urtë…” (Fjalët e Urta 17:28).


Thuaj atë që është e përshtatshme për momentin. Ashtu sikundër zbuloi Tedi, shpesh kombinimi i asaj që thuhet me vendin dhe kohën në të cilën thuhet, jep rezultat maksimal. “Një njeri ndjen gëzim kur jep një përgjigje të përshtatshme dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!” (Fjalët e Urta 15:23).


Fol me sinqeritet. A beson vërtet në ato që thua dhe a ke në zemër kënaqjen e interesave të gjithsecilit? Vetëm po të jetë kështu, fjalët e tua do të kuptohen e përqafohen nga të tjerët. “Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.” (Fjalët e Urta 16:23).


Përgjigju sipas arsyes dhe jo sipas inatit. Në zjarrin e momentit të përflakur nga emocionet ne mund të lëshojmë fjalë për të cilat më vonë mund të pendohemi. “Kush i mat fjalët e veta është i ditur dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.” (Fjalët e Urta 17:27).


Shprehi pikëpamjet e tua me kujdes. Në sajë të bisedave radiofonike dhe televizive ne përmbytemi nga njerëz që japin opinione për gjithçka e për çdo gjë. Të gjithë flasin, por duket se shumë pak njerëz dëgjojnë. Dëgjo para se të flasësh. “Budallai nuk gjen kënaqësi tek maturia, por vetëm në të vënit në dukje të mendimit të tij.” (Fjalët e Urta 18:2).



Reflektim/ Diskutim/ Pyetje


  1. A të ka qëlluar të shohësh se si merr drejtim pozitiv ose negativ një mbledhje për shkak të fjalës së dikujt? Në ç’rrethana ka ndodhur kjo?
  2. A të kujtohet ndonjë rast kur ke dashur të japësh mendim mbi diçka që është diskutuar, por ke zgjedhur heshtjen dhe më pas nuk je penduar për këtë? Po ndonjë rast kur ke thënë atë që ke pasur në mendje dhe je penduar sapo fjalët janë lëshuar nga goja jote?
  3. Mundohu të kujtosh ndonjë rast kur je ndodhur në situatë të vështirë dhe dikush të ka thënë diçka me shumë vend në lidhje me problemin tënd si p.sh. një këshillë apo ndonjë fjalë inkurajuese. Si u ndjeve?
  4. Cilat mendon se janë mënyra të përshtatshme për të shmangur në emocion e sipër thënien e fjalëve që mund të jenë të gabuara, madje edhe dëmprurëse?

Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë, si p.sh:

Fjalët e Urta 10:19-21,32, 11:12, 12:14-15,18, 13:2-3; 15:2 Jakobi 3:3

0 komente:

Post a Comment