headerphoto

MËSIME PËR JETËN QË DALIN NGA PESHËNGRITJA

Nga: Jim Mathis
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
26 Prill, 2010

Vite më parë fillova të vë re se rinia po më linte me shpejtësi, ndaj vendosa të filloja ushtrime në palestër duke u marrë me ngritje peshash në mënyrë që të mbaja trupin në formë. Më caktuan një trajner personal, i cili bëri matjet përkatëse në lidhje me kapacitetet fizike të trupit tim dhe më përgatiti një program me ushtrimet që duhej të kryeja. Këtë program unë e ngjita tek faqja e dollapit tim personal ashtu sikundër kishin bërë edhe të tjerët.
Me përkushtim dhe rregull iu futa stërvitjes duke mbajtur shënim përparimet që bëja, të cilat ishin mjaft të mira. Pas disa muajsh, një ditë, kur erdha në palestër si zakonisht, pashë se fleta e ngjitur tek kanati i dollapit nuk ishte më aty. Pyeta njerëzit e shërbimit, të cilët më thane se këto letra zakonisht i hiqnin dhe i hidhnin kur bënin pastrime. Njëri prej tyre më tha, madje, se nuk e ndjenin fare si përgjegjësi ruajtjen e fletëve të programeve individuale të gjithsecilit.
Zhdukja pa pikë përgjegjësie e fletëve individuale të programit dhe sjellja jo fort korrekte e njerëzve të shërbimit me zemëruan keqas. Po ta dija që në fillim se ata nuk do të kujdeseshin për këto programe, nuk do ta ngjisja fletën time tek kanati i dollapit, por do ta mbaja me vete në çantën që përdorja kur shkoja në palestër.

Jo shumë kohë pas këtij incidenti, administrata e palestrës vendosi në parkim disa tabela që përcaktonin vendet e rezervuara për pronarët dhe punonjësit e saj. Që atëherë u bë krejt e zakonshme që të mos gjeje më vend në parkim dhe të parkoje në rrugë në një kohë që katër- pesë vendet e rezervuara për pronarët dhe administratorët rrinin përgjithësisht bosh.
Këto ngjarje të veçuara nga njëra-tjetra mund të mos duken të rëndësishme, por ato japin një mesazh: ishte më se e qartë se administrata e palestrës nuk donte t’ia dinte për nevojat dhe interesat e klientëve të saj.

Siç mund të pritej, menjëherë unë e anulova anëtarësinë time në këtë palestër dhe gjeta një tjetër. Tani, 30 vjet me pas, vazhdoj të stërvitem e të ngre pesha të përshtatshme për moshën time relativisht të thyer. Nuk jam në gjendje të them nëse ndihem tani më në formë apo 30 vjet më parë për shkak se nuk kam reference krahasimi. Dhe këtë nuk kam për ta marrë vesh kurrë përderisa ata të palestrës së parë ma kishin zhdukur programin e stërvitjes ku unë shënoja edhe rezultatet e progresit të saj.
Duke qenë biznesmen, jam përpjekur që eksperiencën negative me palestrën ta shndërroj në diçka pozitive. Kam gjithmonë parasysh rëndësinë e vlerësimit të klientëve dhe faktin që, pa ata, biznesi im merr fund. Ndaj, sa herë që marr vendime për biznesin, interesat e tyre i kam në plan të parë. Mund të veproja edhe sipas motos: “unë mund të bëj ç’të dua me biznesin tim”, por kjo filozofi veprimi nuk do të m’i mbante gjatë klientët të lidhur pas meje.
Në Testamentin e Ri të Biblës gjejmë një parim, i cili i përshtatet mirë situatave të ngjashme me timen. Aty thuhet: “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten; mos të mendojë secili për interesin e vet, por edhe për atë të të tjerëve” (Filipjanëve 2:3-4).

Dy fjalët e para të këtij pasazhi shërbejnë për të tërhequr vëmendjen: Në rast se nuk merr parasysh interesat dhe nevojat e të tjerëve, çfarëdo që ke ndërmend të bësh, më mirë mos e bëj.

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A ke pasur ndonjë përvojë të ngjashme me atë të Xhimi Mathis-it, kur një biznes, me të cilin ke pasur marrëdhënie, nënkuptonte disa veprime të cilat binin ndesh me interesat dhe problemet e tua? Çfarë ndodhi, si reagove ti?
  2. Dihet që disa vendime që merren në biznes janë të vështira dhe të pamundura që të kënaqin interesat e gjithsecilit. Në këtë kuptim, çfarë hapash duhet të ndërmerren për të minimizuar efektet negative mbi njerëzit që preken?
  3. Kjo “Manna e së Hënës” i referohet vendimeve të biznesit që ndikojnë mbi klientelën. A ka ndonjë sistem të ngjashëm mendimi dhe veprimi që ndikon brenda kompanisë dhe punonjësve të saj? Pse, ose pse jo?
  4. Sipas mendimit tënd, sa e lehtë – ose e vështirë – është që “t’i shohësh të tjerët si më të rëndësishëm se sa vetja jote”, siç thuhet tek Filipjanëve 2:3-4. Shpjegoje përgjigjen tënde.
Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë. Ato gjenden tek:
Fjalët e Urta 18:12, 22:4; Mateu 20:26-28, 23:11-12; Lluka 22:25-27; Galatasve 5:13-14

0 komente:

Post a Comment