headerphoto

SUKSESI ËSHTË SPORT QË LUHET NË SKUADËR

Nga: Robert J. Tamasy
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
5 Prill, 2010

Kur dëgjon fjalën “sukses”, çfarë mendon? Si do ta përcaktoje kuptimin e saj? Për disa njerëz, sukses do të thotë që të kenë një punë që paguhet mirë ose që të sigurojnë një farë pushteti. Të tjerë e shikojnë suksesin si shpërblim dhe mirënjohje nga ana e qendrës së punës ose komunitetit që i rrethon. Ka disa që suksesin e shohin si arritje e qëllimeve të dëshiruara.

Në të gjithë këta variante, kuptimi i nocionit “sukses” përcaktohet në nivel individual. Por një libër që kam lexuar, “Manuali i fituesit”, shkruar nga Xhim Tresel, trajner futbolli, sugjeron se këtë lloj perceptimi për suksesin mund ta shikojmë në një kënd tjetër. Ai e përcakton nocionin “sukses” si “satisfaksion i brendshëm dhe paqja e mendjes që vijnë si rezultat i të qenit i ndërgjegjshëm se ke bërë maksimumin e mundshëm për grupin.” Treseli deklaron përfundimisht se, “suksesi është sport që luhet në skuadër.”

Ka shumë mençuri në këtë mënyrë të menduari: në qoftë se merresh me shitje, për shembull, edhe sikur të jesh një bindës i shkëlqyer për klientët, suksesi yt nuk mund të zgjasë në rast se malli apo shërbimet që ofron janë të cilësisë së dobët. Një konferencë e zakonshme biznesi kërkon shumë njerëz që të merren me detajet e shumta të përgatitjes së saj si: regjistrimi i pjesëmarrësve, sigurimi i akomodimit, ushqimit, përgatitja e axhendës etj. Një drejtues, sado i aftë që të jetë nuk mund t’i arrijë objektivat që do, në rast se nuk ka pranë vetes edhe një staf të aftë. Kirurgët më të talentuar kanë nevojë për asistentë dhe infermierë që ata të kryejnë me sukses operacionin.

Vite më parë, kur punoja si redaktor reviste, një nga përvojat më të këndshme ishte pikërisht bashkëveprimi me stafin krijues të revistës për të materializuar çdo numër të saj. Unë bëja shumicën e shkrimeve dhe redaktimeve, por suksesi i numrit të revistës varej shumë edhe nga diskutimet e përditshme krijuese me grupin realizues mbi përmbajtjen, faqosjen, titujt, ilustrimet, fotot, grafikat etj. Mbas çdo numri reviste që botohej, unë mrekullohesha nga fakti që “e tëra” ishte shumë më e madhe se shuma e thjeshtë e pjesëve të veçanta përbërëse të saj. Koncepti i suksesit të lidhur ngushtë me grupin e përshkon tejembanë Biblën:

Suksesi arrihet duke fokusuar në një të vetëm këndvështrime të ndryshme. Edhe idetë më të shkëlqyera mund të pasurohen më tej kur këndvështrime të ndryshme ndihmojnë për t’i balancuar ato më mirë. Ndikimi i këtyre këndvështrimeve nganjëherë është aq i madh sa, për shkak të tyre mund të ndryshojë i tërë procesi i vendim marrjes dhe zbatimit në praktikë të ideve. “Planet dështojnë kur nuk ka rrahje mendimesh, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh” (Fjalët e Urta 15:22).

Suksesi arrihet nëpërmjet evidentimit të cilësive më të mira të secilit. Në punë të përbashkët ne mund të nxisim njëri-tjetrin për të stimuluar më shumë imagjinatën profesionale duke vënë në përdorim esencat e aftësive dhe talenteve tona. “Hekuri mpreh hekurin ashtu si njerëzit mprehin njëri-tjetrin” (Fjalët e Urta 27:17).

Suksesi arrihet duke kombinuar aftësitë. Studimet shkencore tregojnë se duke punuar sëbashku ne mund të arrijmë shumë më tepër se sa duke punuar individualisht. Në këtë rast ne gërshetojmë më mirë aftësitë tona të veçanta dhe kompensojmë dobësitë e njëri-tjetrit. “Dy vlejnë më mirë se një i vetëm sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre…Një litar tresh nuk këputet aq shpejt” (Predikuesit 4:9-12).

Suksesi arrihet me mbështetje dhe inkurajim reciprok. Puna në vetmi sjell lodhje dhe dekurajim. Puna në grup jo vetëm na jep mundësinë që ta ndajmë ngarkesën, por edhe të ndërtojmë marrëdhënie kolegjiale që krijojnë inkurajim emocional. “Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin për të nxitur dashuri dhe vepra të mira…të nxisim njëri-tjetrin…” (Hebrenjve 10:24-25).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. Para se të lexoje këtë Manna të së Hënës, si e përcaktoje kuptimin e fjalës sukses?
  2. Çfarë mendon për konceptimin e suksesit si “satisfaksion i brendshëm dhe paqen e mendjes që vijnë si rezultat i të qenit i ndërgjegjshëm se ke bërë maksimumin e mundshëm për grupin?”
  3. Kujto momente kur ke punuar si pjesë e një skuadre për të përmbushur disa objektiva. Si do të kishte qenë rezultati në qoftë se ti do të kishe zgjedhur variantin që të punojë veçmas?
  4. A mendon se individët duhet ta kërkojnë suksesin e tyre jashtë grupit dhe interesave të tij? Shpjegoje përgjigjen.
Shënim: Në rast se e ke Biblën dhe dëshiron të thellohesh në këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Fjalët e Urta 11:14, 12:15, 13:20, 19:20, 20:18, 24:5-6; Marku 6:7-13; Lluka 10:1-2

1 komente:

Anonymous said...

Material Shume i mire

Post a Comment