headerphoto

ANKESAT DHE VËREJTJET DUHEN SHPREHUR ME TAKT

Nga: Rick Boxx
Në ndihmë të përsosjes së
moralit në jetë dhe në punë.
12 Prill, 2010

Një grua, të cilën unë do ta quaj Selli, më erdhi një ditë dhe më kërkoi që, në një komitet ku unë bëja pjesë, të përcillja shqetësimet e saja në lidhje me mënyrën se si një nëpunës po e trajtonte një çështje për të cilën ajo kishte interes të veçantë. Mbasi i hodha një sy të vëmendshëm përmbledhjes së ankesave të saj, parashikova me shqetësim se në mbledhje do të kishim reagime emocionale. Doli se isha gabuar.
Ankesat që Selli ngriti në komitetin tonë ishin parashtruar me shumë takt dhe në mënyrë të civilizuar. Në vend që të bënte akuza të drejtpërdrejta ndaj nëpunësit përgjegjës, Selli i kishte zgjedhur fjalët me kujdes dhe e paraqiti problemin e saj në mënyrë të arsyeshme dhe diplomatike. Me paramendim ajo e spostoi vëmendjen e të pranishmeve nga sulmi ndaj individit tek tabloja e madhe e çështjes.
Herë pas here e shikoja Sellin me admirim teksa gjatë fjalës së saj bënte pauza për ta përqendruar mendimin tek faktet dhe për të mos iu dorëzuar tundimit që të bënte komente, të cilat mund të tingëllonin negative dhe fyese për nëpunësin. Dëshira e dukshme e saj për të mos tingëlluar hakmarrëse dhe për të qëndruar në pozita të larta etike, na ra qartë në sy dhe na e rriti dëshirën që të bënim ç’ishte e mundur për ta zgjidhur problemin në të mirë të Sellit.
Situata të tilla janë të zakonshme në botën e biznesit dhe atë profesionale. Nganjëherë vërejtjet mbi mënyrën se si dikush kryen detyrat e tij burojnë nga motive egoiste, por, në shumë raste, ato shprehin këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet kryer një punë dhe si duhen realizuar objektivat. Kur flet, është vështirë të përmbahesh që të mos shprehesh inat dhe zemërim, sidomos kur e ndjen se ke të drejtë. Sidoqoftë, përdorimi i gjuhës së ashpër nuk është produktiv, sepse ajo e vë tjetrin në pozicion mbrojtës dhe thekson më shumë emocionet se sa faktet.
Është e dobishme që t’i kushtojmë vëmendje atyre ç’ka thotë Bibla në lidhje me mënyrën se si veprohet në të tilla situata. Për shembull, Fjalët e Urta 21:23 na mësojnë: "Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij, mbron veten nga fatkeqësitë."
Ja edhe disa parime të tjera për t’u mbajtur parasysh:
Përdori fjalët me nikoqirllëk. Sa më shumë flet, aq më shumë e rrit mundësinë të thuash gjëra për të cilat mund të pendohesh që i ke thënë. Prandaj ji i vëmendshëm ndaj asaj që thua dhe, veçanërisht, ndaj mënyrës se si e thua. “Në fjalët e shumta mëkati nuk mungon, por ai që frenon gjuhën e tij është i mençur” (Fjalët e Urta 10:19).
Përdori fjalët për të shëruar dhe jo për të shkaktuar dhimbje. Fjalët që themi mund të therin më keq se sa bisturia e kirurgut. Synimi ynë nuk duhet të jetë që të plagosim, por të kumtojmë mesazhe që vlejnë për përmirësimin e një marrëdhënieje njerëzore. “Fjalët e thëna pa mend shpojnë si shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim” (Fjalët e Urta 12:18).
Mati mirë fjalët. Për të arritur qëllimin është mirë që mendimet t’i shprehim në mënyrën më të pranueshme për ata që i dëgjojnë. “Të folurit tuaj të jetë gjithmonë me hir e me kripë që të dini t’i përgjigjeni gjithsecilit” (Kolosianëve 4:6).
Kur të të vijë rasti që të bësh një ankesë apo të kritikosh dikë, ki parasysh që të përdorësh sa më shumë takt, pavarësisht se si mund të ndjehesh përbrenda vetes. Ka shumë të ngjarë që rezultati të të kënaqë.

Reflektim/ Diskutim/ Pyetje
  1. A ke qenë ndonjëherë pjesëmarrës në ndonjë mbledhje ku dikush ka paraqitur ankesa që kanë sjellë më shumë konfuzion se sa kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemit. Si ke reaguar?
  2. A ke qenë ndonjëherë pjesëmarrës në një mbledhje ku dikush si Selli ka shprehur ankesa në një mënyrë të qetë dhe të arsyeshme? Sa ndikoi kjo në rezultatin e mbledhjes?
  3. Në Testamentin e Ri të Biblës gjuha përshkruhet si “zjarr, si strehë e djallit midis pjesëve të trupit” (Jakobi 3:6). Sipas teje, a është i saktë ky përshkrim. Pse ose pse jo?
  4. Pse mendon se fjalët që themi, sidomos kur ane rrjedhojë e emocioneve dhe të pamenduara mirë, mund të shkaktojnë dhimbje tek të tjerët? Çfarë duhet të kemi parasysh që të shmangim efektin dërrmues të fjalëve që themi?
Shënim: Bibla ka edhe pasazhe të tjerë në lidhje me këtë temë:
Fjalët e Urta 4:24, 10:32, 11:12, 12:14,17-18, 13:3, 15:1,4, 17:14,28; Jakobi 3:3-12

0 komente:

Post a Comment