headerphoto

SI E FILLON NJË DITË TË RE?

MANNA E SË HËNËS
10 Shtator, 2012

Nga Robert J. Tamasy

Kur zgjohesh nga gjumi e përgatitesh të shkosh në punë, sidomos të hënave, çfarë të shkon në mëndje? A ndihesh plot entusiazëm dhe dëshirë që të përballesh me sfidat që do të të ofrojë dita? Apo je krejt bezdi e, madje, i frikësuar prej tyre dhe do të deshe më mirë të vazhdoje gjumin se sa të shkoje në punë?

Në rast se e gjen veten në variantin e dytë, kjo ndodh për një sërë arësyesh: mund te kesh pasur ngarkesa të mëdha në punë; mund të kesh hyrë në konflikt me shefat ose kolegët; ke vështirësi në përmbushjen e detyrave që të janë caktuar; ose thjesht të është mërzitur lloji i punës që bën tashmë prej një kohe të gjatë.

Plot arësye të tjera për të mos e pëlqyer punën mund të të vinë ndër mend, por mos harro se një rol kryesor këtu luan vetë psikologjia jote: ai qëndrim negativ në lidhje me punën që ti ia lejon vetes. Kur nuk ndryshojmë dot kushtet dhe rrethanat e diçkaje, gjëja që mund të bëjmë është që të ndryshojmë këndvështrimin tonë mbi atë diçka.

Nuk dallohem si “mendimtar i shquar pozitivist”, por jam i dhënë pas “të besuarit pozitiv”. Ja pse më pëlqen që çdo ditë të jetë një fillim i ri dhe, për këtë, pra se të ngrihem nga shtrati, përsëris këto vargje të preferuara nga Bibla: “Kjo është dita që e ka bërë Zoti; le të gëzohemi e të ngazëllohemi në të” (Psalme 118:24). Nëse sinqerisht besoj se Zoti e ka parë të arësyeshme të më japi një ditë të re, të mbushur plot me mundësira, sfida të papritura dhe përvoja të reja, unë duhet ta marr atë me shpresë dhe optimizëm.

Shumica e ditëve nuk më dalin tamam ashtu si i pata menduar. Një mik, të cilin nuk e kisha parë prej kohësh, befas më telefonon ose më dërgon një e-mail që pason me një takim pune me shumë interes. Papritur dikush me kontakton dhe më pyet nëse kam dëshirë të merrem me nje projekt të ri për të shkruar ose redaktuar një material, gjë që ishte komplet jashtë planeve të mia. Filloj te merrem me diçka, por më duhet te merrem me diçka tjetër… me këtë rast kuptoj se puna e parë nuk ishte edhe aq urgjente, kështu që mund ta shtyja…

Afersisht 6 vjet më pare, pas një operacioni të suksesshëm në zemër, vendosa që ta konsideroja çdo ditë si një “dhuratë”. Asnjeri prej nesh nuk e ka të garantuar të nesërmen, por të dalësh i gjallë mbas një operacioni si ai që m’u bë mua, e kupton më mirë vlerën e çdo dite të jetës. Prandaj, megjithëse e di se jo çdo ditë kalon lehtë dhe meqënëse atë ma ka falur Zoti, duhet të ketë një arësye të shëndoshë, ndaj unë e pres me kënaqësi.

Ja disa principe nga Shkrimet e Shenjta që duhen patur parasysh kur fillojmë një ditë të re:

Konsideroje çdo ditë si një mundësi dhe jo si një bezdi. Thuhet se, “ditët tona janë të numëruara”. Prandaj duhet t’i vlerësojmë dhe ta përdorim me mençuri dhe zgjuarsi kohën që na është dhuruar. “Na mëso, pra, të numurojmë ditët tona që të kemi një zemër të urtë” (Psalme 90:12).

Shlyeju me ditën para se ajo të zhduket. Pasuria e përbashket që kemi është koha. Atë nuk mund ta kursejmë për ta përdorur ditën tjetër. Në momentin që një orë kalon, ajo ka kaluar përgjithmonë, prandaj duhet ta përdorim sa më mirë. “ Kini mëndjen që të ecni me kujdes, jo si të marrë, por si të mençur, duke e shfrytëzuar më së miri kohën, sepse ditët janë të mbrapshta” (Efesianëvë 5:16).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i Leaders Legacy, Inc., një shoqatë jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran në gazetarinë profesioniste prej 40 vjetesh, ai është autor i “Tufting Legacies (iUniverse)”; “Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace” (River City Press) dhe është bashkëautor me David A. Stoddard në veprën “The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential” (NavPress). Për më shumë informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Jim Firnstahl,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

1. Kur u zgjove sot në mëngjes, si e prite diten që zbardhi?

2. Për çfarë arësyeje mund të ndjehesh i frikur me shume se entuziast ne krye të një dite të re?

3. A pajtohesh me mendimin se ndonëse nuk mund të ndërrosh rrethanat e punës që bën ose njerzit me të cilët punon, mund të ndërrosh këndvështrimin ndaj tyre? Pse ose pse jo?

4. Këtu citohet vargu, “Kjo është dita që ka bërë Zoti, le të gëzohemi e të ngazëllëjmë në të”. A e beson këtë? Dhe nëse po, a ndikon kjo në mënyrën se si e shikon ditën që ke parpara?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do të shikosh pasazhe të tjerë që lidhen me këtë temë, referoju vargjeve si më poshtë:

Predikuesit 3:1-8, 3:9-13; Mateu 6:34; Filipianëve 4:8; Kolosjanëve 3:17,23

0 komente:

Post a Comment