headerphoto

KOTËSIA E RENDJES PAS LUMTURISË

MANNA E SË HËNËS
13 Qershor 2011
SHALOM MEDIA, Tiranë.

Nga Robert D. Foster

Në Kongresin vjetor të Asamblesë së Popullit, kryeministri i Kinës i porositi kuadrot e partisë e të shtetit që të bëjnë një përpjekje me goditje të përqendruar për t’i bërë njerëzit të lumtur. Ne atë vend të madh e të fuqishëm fjala LUMTURI u bë fjala e ditës, u bë parulla e re e mitingjeve e cila zëvendësoi parullën e mëparshme që ishte fjala “Harmoni”.

"Lumturi, lumturi, lumturi!" Duket se kjo është bërë tani fjala më e rëndësishme në atë vend më 1,3 miliard njerëz, të cilët kanë qenë gjithmonë mjaft të ndjeshëm ndaj fushatave propagandistike. Por unë bëj çudi: Po për ushqimin? Për strehimin? Për ujin e pijshëm? Po për arsimin? Pse nuk flitet konkretisht për to?

Vite më parë kam lexuar këtë thënie në një revistë angleze të njohur: “Lumturia është ajo cilësi e jetës që nuk gjendet me të kërkuar”. Po të kemi etje për dituri ne i futemi studimit; po të kemi etje për pushtet, ka shumë mundësi e mënyra për ta kapur atë. Shumica e gjërave në jetë mund të arrihen nëpërmjet vendosmërisë dhe këmbënguljes.

Nuk ndodh kështu me lumturinë. Artikullshkruesja theksonte se lumturia nuk mund të arrihet, sado me vullnet e këmbëngulje të rendësh pas saj.

Gjatë më shumë se nëntë dekadave të jetës sime, duke pasur mundësi bashkëveprimi me njerëz në shumë vende të botës, kam vënë re se njerëzit që kërkojnë lumturinë përgjithësisht vuajnë nga depresioni. Lumturia ka të bëjë me një sërë ndodhish në jetë, një pjesë e të cilave janë jashtë kontrollit tonë.

Jo vetëm në Kinë por kudo në botë gjejmë burra, gra madje edhe fëmijë që janë në kërkim të pareshtur të lumturisë. Mendja e tyre punon orë e çast për të reaguar ndaj gjithshkaje që ndodh rrotull tyre. Kjo vlen për çdo segment të shoqërisë, përfshirë edhe biznesin ku, brenda një kohe të shkurtër, rrethanat mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike, duke e shndërruar lumturinë në dëshpërim.

Përballë këtij realiteti është e rëndësishme të kuptojmë se ka një alternativë tjetër, shumë më të mirë: GËZIMI

Ja si shkruan për këtë Karen Mains: "Gëzimi nuk luhatet sipas ulje-ngritjeve të jetës. Gëzimi qëndron përmbi rrethanat. Gëzimi është një gjendje e kënaqësisë, ai nuk mund të fabrikohet, nuk mund të porositet, nuk mund të kërkohet.

Ja dhe një përcaktim tjetër i ndryshimit që ekziston midis gëzimit dhe lumturisë së përkohshme: “Gëzimi është një këngë e brendshme, e cila nuk heshtet dot nga ndikimi i rrethanave negative.”

Më në fund, sikundër ve në dukje zonjusha Mains, gëzimi është një produkt shoqërues i një marrëdhënieje të shëndoshë e ne rritje me Perëndinë. Ajo shkruan: “Ne duhet të lëshojmë rrënjë në mendjen e Perëndisë. Duhet të shumëfishojmë lavdërimet tona për Atin, të identifikohemi më shumë me Krishtin dhe t’i nënshtrohemi gjithmonë e më shumë Shpirtit të Shenjtë.”

Ja pse Bibla na jep këtë mesazh të thjeshtë: “Fryti i Shpirtit është gëzimi" (Galatasve 5:22). Gjatë një dite të zakonshme lumturia vjen e shkon, por edhe në mjedisin e punës gëzimi i vërtetë i reziston çdo ndikimi që vjen nga negativiteti.

Marrë dhe adaptuar nga “Take Two on Monday Morning”, shkruar nga Robert D. Foster. Materiali mund të riprodhohet falas, por duke përmenduar autorësinë. Për pyetje dhe komente shkruani në: 29555 Goose Creek Rd, Sedalia, CO 80135, U.S.A., ose dërgoni faks në: (303) 647-2315. Kohët e fundit Z. Foster festoi 91 vjetorin. Besnik ndaj thirrjes së tij, ai vazhdon ta “kapë ditën” çdo ditë.

CBMC INTERNATIONAL: President Robert Milligan, 1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A. TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org Për kërkesa ose ndryshim të adresës tuaj drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutime Pyetje

  1. Si do ta përcaktoje ti lumturinë? Çfarë të duhet që të ndihesh i lumtur?
  2. Z. Foster përmend thënien sipas së cilës “Lumturia është ajo cilësi e jetës që nuk gjendet me të kërkuar”. A pajtohesh me këtë thënie? Pse ose pse jo?
  3. Si e bën dallimin midis lumturisë dhe gëzimit? Po të të jepej mundësia, kë do të zgjidhje prej tyre. Shpjegoje përgjigjen.
  4. Një nga konkluzionet e kësaj Manne është se gëzimi i vërtetë realizohet nëpërmjet mardhënies me Perëndinë. Çfarë mendon për këtë?

 

Për pasazhe të tjera të Biblës që kanë lidhje me këtë teme, shiko si më poshtë:

Psalme 126:5-6; Isaia 61:10; Romakëve 5:2-5; Filipianëve 2:2-4; Jakobi 1:2-4

0 komente:

Post a Comment