headerphoto

PROBLEMET QË DALIN KUR TË VENDOSIN NË PIEDESTAL

MANNA E SË HËNËS
30 Maj, 2011
Shalom Media, Tiranë
.   

 

Nga Robert J. Tamasy

Kush janë heronjtë tanë – ata njerëz të cilët ti i admiron pa masë, ata individë të cilëve do të deshe t’u ngjasoje?

Të gjithë kemi njerëz që i respektojmë, burra dhe gra që,  për nga niveli i tyre i lartë moral dhe profesional, janë të denjë  për t’u imituar. Por me heronjtë ka një problem: ashtu si ne, ata janë njerëz dhe, si të tillë, nganjëherë bëjnë gabime, të cilat fillojnë që nga mos vlerësimi i duhur i situatave e shkojnë deri në sjellje brutale. Kur ndodhin të tilla gjëra, ne ndjehemi të zhgënjyer e madje të tradhtuar prej tyre,  për shkak se ata (heronjtë) nuk e kanë plotësuar deri në fund pritshmërinë tonë.

Kohët e fundit, një lider i njohur i botës së biznesit, bëri pikërisht këtë gjë – mori disa vendime të gabuara;  dështimet e tij u bënë publike dhe nami i tij si njeri me integritet dhe principe të larta morale u dëmtua së tepërmi. Si admirues i tij, unë u gjenda mes atyre që ndjenë, njëherazi,  edhe habi edhe zhgënjim. Ai njeri nuk kishte dhënë shenja se do të vinte një ditë që mund të katandisej kaq keq, por, herët a vonë,  të gjithëve na vjen një ditë e tillë, e cila mohon pastaj të gjithë periudhën që kemi jetuar si njerëz me principe të larta.

Bibla, të cilën unë e konsideroj si manualin më të vyer në lidhje me punët e biznesit, na e bën fare të qartë: “Sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë” (Romakëve 3:23).  Fjala “mëkat” në thelbin e saj ka kuptimin “të mos qëllosh në shenjë”. Konteksti i këtij pasazhi të Biblës ka të bëjë me “të mos qëlluarit në shenjë”  drejt standardeve të përkryera që ka vendosur Perëndia. Unë s’kam takuar kënd që të jetë i përkryer? Po ti? Sigurisht që jo. Në këtë vështrim ne të gjithë, pa përjashtim, jemi “mëkatarë”.

A mos do të thotë kjo se duhet ta anashkalojmë, ta injorojmë apo qoftë edhe ta dënojmë sjelljen e gabuar? Jo. Njerëzit që mbajnë poste udhëheqëse duhet ta kuptojnë se ata ndodhen nën një gjykim të hollësishëm për sa i takon standardeve të tyre etike dhe pritshmërisë së njerëzve prej tyre sepse një pjesë e përgjegjësisë së tyre ka të bëjë me të qenit shembull për t’u ndjekur nga të tjerët.

Sidoqoftë,  të presësh apo të kërkosh perfeksion prej njerëzve  nuk është as e arsyeshme dhe as realiste. Sapo e ngremë në piedestal një hero, duhet të fillojmë të mendojmë për kohën se kur ai do të bjerë që andej. Ja disa principe biblike mbi mënyrën se si duhen trajtuar dështimet e të tjerëve dhe tonat:

Mos u nxito të gjykosh të tjerët.  Kur dalin në shesh gabimet e ndokujt, shpesh jemi të parët që nxitojmë ta quajmë atë mashtrues ose edhe më keq. Mund të kemi plotësisht të drejtë, por ama duhet të pranojmë se, po të ndodheshim në rrethanat e atij edhe mund të vepronim njësoj si ai, “ Mos gjykoni që të mos gjykoheni. Sepse me atë gjykim, me të cilin gjykoni,  do të gjykoheni” (Mateu 7:1-2).

Kontrollo  mirë veten. Dihet se ne kemi tendencën për të kritikuar pikërisht ata njerëz  që reflektojnë gabimet dhe pikat tona të dobëta. Para se të dënojmë të tjerët duhet të sigurohemi se vetë ne nuk kemi mëkate të fshehta. “ Po përse e shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd dhe nuk vë re trarin në syrin tënd? …hiqe më parë trarin  nga syri yt dhe pastaj do shohësh qartë që të nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd” (Mateu7:3-5).

Kujdesu që të pakësosh në maksimum dobësitë e tua. Vite më parë një lider i njohur deklaroi se, një fushë ku ai nuk do të gabonte kurrë, ishte fusha e marrëdhënieve njerëzore. Brenda vitit u zbulua se, ndonëse i martuar, ai mbante një lidhje jashtë martesore me sekretaren e vet. “Prandaj, ai që mendon se qëndron i patundur,  të ketë kujdes se mos bjerë!” (1 Korintasve 10:12).

Robert J. Tamasy eshte nenpresident per Komunikimin i  Leaders Legacy, Inc., nje shoqate jo fitimprurese me baze ne Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarine profesioniste prej me shume se 38 vjetesh, ai eshte autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe eshte bashkeautor me David A. Stoddard ne vepren The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni cdo kerkese tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. I kthehemi pyetjes së fillimit. Kush janë “heronjtë “ e tu? Pse i respekton këta njerëz? Çfarë karakteristikash të veçanta kanë ata që ty të bëjnë kaq shumë përshtypje?
  2. A të ka ndodhur që ndonjë hero i yti të të ketë zhgënjyer? Apo ndokush prej tyre të ka ofenduar personalisht? Si u ndjeve atëherë dhe si ndjehesh tani?
  3. A është e dobishme që të  kujtohemi se të gjithë ne, përfshi edhe heronjtë e piedestaleve, nuk jemi gjë tjetër veçse njerëz dhe,  si të tillë nuk jemi të imunizuar nga dështimet dhe gabimet, qoftë edhe pa dashje? Pse, ose pse jo?
  4. Kur kritikon gabimet e të tjerëve, a mendon se duhet të jesh i pastër brenda vetes? Me fjalë të tjera, a të duket domosdoshmëri fakti se ne duhet të gjykojmë vetveten me po ato standarde që gjykojmë të tjerët? Shpjegoje përgjigjen.

SHËNIM: Po qe se e ke Biblën dhe do deshe të mësoje më shumë për këtë temë, shiko vargjet e poshtëshënuar:

Psalme 53:1-3; Fjalë të Urta 10:17, 13:18, 14:12, 15:22, 19:20; Isaia 64:5-7; Romakëve 3:10-12

0 komente:

Post a Comment