headerphoto

ASORTIMENTE PËR NJË FORMULË FITUESE

MANNA E SË HËNËS
23 Maj, 2011
Shalom Media

 

Nga Jim Lange

Një e vërtetë e padiskutueshme jetësore – sidomos në biznes dhe në botën profesionale – është fakti se “disa gjëra ndodhin vetvetiu”, pa ndonjë arsye të dukshme dhe në mënyrë krejt të pashpjegueshme. Për shembull:

  • Papritur të dështon një shitje e leverdishme që ka kërkuar përgatitje të madhe paraprake.
  • Ti humbet një klient të rëndësishëm  pa paralajmërim ose pa ndonjë shkak të kuptueshëm.
  • Ti nuk e përfiton një gradim që prisje - ose ti e përfiton atë por nuk të del siç e pate menduar në fillim.
  • Një nga personat kyç të stafit tënd papritur jep dorëheqje dhe shkon të punojë për konkurrentin, në një kohë që ti kishe investuar shumë kohë dhe fonde për kualifikimin e tij.

Kur ndodhin gjëra të tilla, ne shpesh pyesim veten me habi: “Çfarë kam bërë që të meritoja këtë?”  ose, “Pse ma bëri këtë gjë Perëndia?” Nganjëherë nuk marrim ndonjë përgjigje të kënaqshme. Herë të tjera marrim një përgjigje vetëm për pjesën “pse” të pyetjes. Historia e mëposhtme është një ilustrim i mrekullueshëm i kësaj që po themi:
Një vajzë po i tregonte së ëmës se si gjithçka në jetën e saj po i shkonte ters, se po ngelte në mësimin e matematikës, se djali që dashuronte e kishte braktisur dhe se shoqja e saj e ngushtë po largohej nga ai vend. I dukej se bota e saj personale po përmbysej.

Ndërsa vajza po tregonte për jetën e saj të dështuar, e ëma po përgatiste një kek. U shkëput për një moment nga puna  dhe  e  ndërpreu të bijën për ta pyetur nëse donte të provonte një copë kek. Vajza u përgjigj: “ Sigurisht, mama, ti e di sa më pëlqen keku që bën ti!

“Shumë mirë atëherë, ja ku ke ca vaj”,  tha e ëma duke i zgjatur të bijës shishen e vajit. Vajza lëshoi një pasthirrmë neveritëse.

“Po sikur të rrihje edhe nja dy kokrra vezë të freskëta ?” pyeti e ëma duke  dhënë një pjatë me dy vezë të sapo çara. “Uf, e tmerrshme!” tha vajza.

“Mos do ti hedhesh vetëm pak miell?”, vazhdoi mamaja, “apo vetëm ca sodë buke?”
“Ç’janë këto pyetje, mama? Ku hahen ato ashtu!”
Atëherë e ëma i tha:  “Ashtu është.  Këto gjëra, veç e veç e të pa gatuara, ty te ngjallin neveri, por kur ato përzihen bashkë në mënyrën e duhur, prej tyre del një kek i mrekullueshëm. Dhe, po harrove të futësh qoftë edhe një asortiment të vetëm, keku nuk del fort i mirë.”

“Në të njëjtën mënyrë punon edhe Perëndia”, vazhdoi nëna. “Shpesh ne habitemi se si Ai lejon që ne të kalojmë periudha të vështira në jetë. Por Perëndia e di se, kur t’i përziejë bashkë ato, sipas rregullave të veta të perfeksionit, produkti që do të dalë, do të jetë në të mirën tonë. Mjafton t’i besojmë Atij dhe gjithçka do të kombinohet në mënyrën më të mirë të mundshme!”

Prandaj Bibla na jep këtë premtim: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij“ (Romakëve 8:28).

             © 2011 nga Jim Lange. Jim Lange është president kapitulli në Truth@Work (www.christianroundtablegroups.com), një shërbesë për njerëzit në punë. Ai ka një blog të rregullt: www.5feet20.com,  dhe është autor i një libri: Bleedership: Biblical First-Aid for Leaders. Ai dhe familja e tij jetojnë pranë Toledo-s, Ohio, U.S.A.

CBMC INTERNATIONAL:  Robert Milligan, President
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Për pyetje ose ndryshim adrese drejtohuni te: www.cbmcint.org

Reflektim / Diskutim Pyetje

  1. A je ndjerë i/e dëshpëruar nga fakti se gjërat nuk kanë ndodhur ashtu siç i pate menduar më parë. Si reagon në të tilla raste?
  2. Kur të ndodhin të tilla gjëra, a bën pyetje nga ato që përmend  Jim Lange: “Çfarë kam bërë që të meritoja këtë?  ose, “Pse ma bëri këtë gjë Perëndia?” Shpjegoje përgjigjen.
  3. Në historinë ilustruese tregohet se si asortimentet e kekut rezultojnë të shijshme kur bashkohen në të. A lidhet kjo me ndonjë situatë konkrete në vendin ku punon?
  4. Pasazhi i Biblës,  Romakëve 8:28, thotë se  “…të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të Tij.” A beson se kjo thënie ka vlerë edhe në vendet e punës në ditët e sotme? Pse, ose pse jo?

SHËNIM: Po të kesh një Bibël, shiko edhe këto pasazhe që lidhen me këtë temë:

Jozueu 1:6-9; Isaia 26:3, 40:31, 41:10, 55:8-11; Jeremia 29:11; Filipianëve 4:19

0 komente:

Post a Comment