headerphoto

SFIDA E TË RUAJTURIT TË QARTËSISË

MANNA E SË HËNËS
14 Mars, 2011
SHALOM MEDIA

Nga Jim Mathis

Më pati bërë shumë përshtypje një pjesë komike,  e cila kishte në qendër të saj  një personazh që e kishte të vështirë të përqendrohej në kryerjen e një detyre të caktuar. Duke hasur në dështime të njëpasnjëshme, ai nuk pushonte së ankuari  se e kishte të pamundur  të përqendrohej mjaftueshëm.

Duket se është bërë përgjithësisht i vështirë përqendrimi për një kohë të gjatë  në një gjë të vetme.  Shoqëria moderne po na e shkurton pareshtur kohën mesatare të përqendrimit. Po t’i shikojmë me kujdes programet televizive dhe filmat, vëmë re se sa shpejt lëvizin gjërat dhe se sa në mënyrë dinamike shpalosen dramat.  Një reklamë televizive tipike jep mesazhe të shumta brenda pak sekondash. Preokupimi i reklama-bërësve është ky: Nëse nuk arrijmë të tërheqim menjëherë vëmendjen e publikut,  ai do ta drejtojë atë diku tjetër.

Sot ka shumë gjëra që konkurrojnë me njëra tjetrën për të thithur energjinë tonë mendore. Me internetin, mesazhet elektronike etj, është e habitshme se si arrijmë të përqendrohemi. Megjithatë një gjë është e qartë. Shumica e njerëzve që kanë bërë zbulimet e mëdha kanë qenë nga ata që kishin aftësinë të përqendroheshin në një gjë të vetme derisa të arrinin qëllimin e tyre.

Sot, të arrish të kryesh disa detyra njëherësh, konsiderohet një aftësi tepër e veçantë. Në të vërtetë, të kryesh shumë detyra njëherësh do të thotë të mos i kushtosh asnjërës prej tyre  njëqind për qind të kohës dhe energjive. Shumë aksidente – duke ngarë makinën, duke punuar me makineri të ndryshme ose edhe duke u kujdesur për fëmijën – ndodhin kur njerëzve iu shkëputet vëmendja ose kur përpiqen të bëjnë disa gjëra njëherësh. Por edhe kur nuk ndodh ndonjë fatkeqësi, vetë fakti që vëmendja shpërqendrohet në shumë drejtime, të çon në punë me rezultate të dobëta.

Pak vjet më parë vendosa që ta ngushtoj horizontin tim profesional. Më përpara e quaja veten fotograf, shkrimtar dhe muzikant. Duken shumë ndaj m’u desh të hiqja dorë nga përpjekjet për t’u “profesionalizuar” si kopshtar, si lojtar golfi, si peshkatar ose si karpentier. Meqenëse brenda një dite  kohën e kam të kufizuar, vendosa të përqendrohesha në ato gjëra që i bëj më mirë duke njohur dhe ndjekur kështu thirrjen e Perëndisë.  

Që atëherë e kam gjetur mënyrën që personi im dhe ajo ç’ka unë bëj të ndërveprojnë harmonishëm për të më mbajtur drejt objektivave themelorë të jetës. Në fund të fundit, edhe ne, ashtu si kamerat e thjeshta fotografike,  nuk kemi “auto fokus” që të na i qartësojë gjërat automatikisht.

Ekziston një parim i fortë shpirtëror që thekson dëshirën për të mbajtur një kurs të qartë, pavarësisht shmangieve që na nxjerr përpara jeta. Në Testamentin e Ri të Biblës na thuhet, “Dhe çdo gjë që bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni  në emër të Zotit Jezus…. Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin…. Sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit” (Kolosjanëve 3:17, 23).

Po të shohim veprën krijuese të Zotit, ajo që bie në sy është se Ai nuk ka bërë asgjë gjysmake. Çdo gjë e bën në mënyrë të përkryer. Ne duhet të përpiqemi të bëjmë si Ai.  Në biznes, në martesë, në rritjen e fëmijëve e kudo duhet të kemi fokusim të qartë duke u kujdesur që gjithçka që bëjmë brenda një kohe të caktuar, ta bëjmë me vëmendje dhe përkushtim të plotë.

Jim Mathis është pronar i një studioje fotografike në Overland Park, Kansas, të specializuar për profile teatrore dhe tregtare. Kohët e fundit ka hapur një shkollë për fotografi. Më parë ai ka qenë menaxher i një kafeneje dhe drejtor ekzekutiv i CBMC në Kansas City, Kansas dhe Kansas City, Missouri.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkese tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Ç’mendon në lidhje me “multi-tasking,” kryerja e disa detyrave njëherësh? Disa mburren se e bëjnë një gjë të tillë dhe iu duket vetja më efektivë dhe më efikase se të tjerët. A je njëri prej tyre? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Cilat janë gjërat që ta tërheqin më shumë vëmendjen. A mendon se mund të gjesh ekuilibrin e duhur midis tyre? Pse, ose pse jo?
  3. Çfarë mendon për vendimin që ka marrë autori I këtij shkrimi për ta ngushtuar fokusin e tij në profesion dhe në jetë. A të ka ndodhur ty një gjë e tillë ose, a mendon se kjo është diçka e dobishme edhe për ty?
  4. Çfarë nënkupton për ty pasazhi i Biblës , “Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin…”? Si do ta zbatoje atë në praktikë?

SHËNIM: Në rast se do të deshe të diskutoje mbi pasazhe të tjerë biblikë të lidhura me këtë temë, shiko si më poshtë:

Fjalë të Urta 12:11, 12:24, 18:9, 19:2, 21:5, 24:27; 1 Thesalonikasve 4:11; Titusi 3:1

0 komente:

Post a Comment