headerphoto

TË MOS TUNDOHEMI

MANNA E SË HËNËS
Për përsosjen e moralit
Janar 24, 2011

 

Nga: Robert J. Tamasy

Është e pamundur të mbyllim sytë para asaj që po ndodh mjaft shpesh këto kohë: liderë të njohur, politikanë, drejtues të biznesit, figura të sportit madje edhe klerikë që kryejnë akte në kundërshtim me etikën ose që përfshihen në skandale të mëdha. Dridhemi kur  dëgjojmë të tilla gjëra dhe me ankth pyesim veten se deri ku mund të shkohet kështu.

Kjo është padyshim një e vërtetë shumë e hidhur për botën ku jetojmë. Brez pas brezi ka ndodhur që liderë të fuqishëm e të mirënjohur kanë rënë në humnerat e dështimeve të mëdha etiko-morale. Mos kjo duhet pranuar si normë? Mos duhet që t’i japim vlerë universale thënies se “Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”?
Mund të justifikohemi me faktin se “njerëz jemi” dhe se askush nuk është i përkryer. Megjithëse ky justifikim e ka brenda një të vërtetë , ai nuk mund të përdoret për të përligjur sjelljet imorale dhe jo etike. Fakti që ngjarjet e hidhura si ato që u përmendën më sipër ende përbëjnë “lajm” nënvizon të vërtetën se ende presim standarde të larta etike dhe vlera të shëndosha morale prej liderëve në fusha të ndryshme.

Por çështja kryesore nuk është të gjejmë ndonjë mënyrë për t’i bindur liderët (të cilët nuk i takojmë dot kurrë) që ata të demonstrojnë vlera të larta etiko-morale. Çështja ka të bëjë me ty dhe me mua: si do të mundemi ne që, në familje, në punë ose në komunitet të luajmë rolin e liderit që di të dallojë të mirën nga e keqja dhe të luftojë për të mirën.

Duke lexuar të përjetshmin “manual të biznesit” që quhet Bibël, shohim një qasje të sinqertë ndaj qenies njerëzore: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10). Por ky përcaktim nuk ofrohet si justifikim për mos zbatimin e principeve morale të njohura e të pranuara botërisht. Ai, dhe të tjerë si ai, ofrohen nga Shkrimet e Shenjta si paralajmërime dhe detyrime për të pasur standarde të larta etiko-morale:

Askush nuk është i imunizuar. Vite më parë dëgjova për një drejtues të një organizate të madhe jo fitimprurëse, i cili pati thënë: “Një fushë veprimi ku unë nuk do të dështoj kurrë është fusha e marrëdhënieve njerëzore.” Pak vite më vonë doli se ai paskësh qenë përfshirë në një marrëdhënie jashtëmartesore me sekretaren e tij!  Prandaj Bibla paralajmëron, “Ai që mendon se qëndron në këmbë, le të ketë kujdes se mos bjerë” (1 Korintasve 10:12).

Ki kujdes kur gjërat shkojnë mirë. Jemi më pambrojtur nda tundimit  kur punët shkojnë mirë dhe na duket se kemi gjithçka nën kontroll. Atëherë ne ndihemi të sigurt në vetvete dhe harrojmë varësinë nga Perëndia.  “Kur kisha bollëk thosha ‘ unë kurrë nuk do të tundohem…’” (Psalme 30:6).

Të gjithë e kemi një rrugëdalje. “S’kisha se ç’bëja” ky është një justifikim tepër i varfër për të përligjur veprime etiko-morale të ulëta. Vërtet mund të jetë e vështirë t’i rezistosh tundimit, por po t’i referohemi Perëndisë, Ai na ndihmon që të mos e hedhim hapin nga tundimi në mëkat. “Asnjë tundim nuk ju ka kapur juve përveç atyre të zakonshmëve për njeriun. Por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj ç’ka mund të mbani, por, kur të tundoheni, Ai do t’ju japë edhe një rrugëdalje që ju të mund ta përballoni atë (tundimin)” (1 Korintasve 10:13).

Çdo njeri ka nevojë për ndihmë. “Jam i brishtë; Nuk i rezistoj dot tundimit.” Kjo mund të jetë e vërtetë, por në qoftë se themi se e besojmë Biblën, atëherë prej asaj mund të marrim  forcën e Jezusit për të bërë atë ç’ka nuk e bëjmë dot vetëm. “…sepse kur jam i dobët, atëherë jam i fortë” (2 Korintasve 12:10). “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më jep forcë” (Filipianëve 4:13).

Robert J. Tamasy është nënpresident për Komunikimin i  Leaders Legacy, Inc., një shoqate jo fitimprurëse me bazë në Atlanta, Georgia, U.S.A. Veteran ne gazetarinë profesioniste prej me shume se 38 vjetësh, ai është autor i librit Business At Its Best: Timeless Wisdom from Proverbs for Today’s Workplace (River City Press) dhe është bashkautor me David A. Stoddard në veprën The Heart of Mentoring: 10 Proven Principles for Developing People to Their Fullest Potential (NavPress). Per me shume informacion shiko www.leaderslegacy.com ose blogun e tij, www.bobtamasy.blogspot.com.

CBMC INTERNATIONAL: President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
Ju lutemi adresoni çdo kërkesë tek: www.cbmcint.org

Reflektim/Diskutim Pyetje

  1. Si reagon ti kur dëgjon për vepra të ulëta etiko-morale të figurave publike?
  2. A mund të përcaktosh një fushë ku ti personalisht ndjehesh më shumë pre i tundimit? Në rast se po, si i përballon këto situata? Anasjelltas, a ka ndonjë fushë ku ti i reziston me vendosmëri çdo tundimi? Shpjegoje përgjigjen.
  3. A beson se, sido që të vijë puna, Perëndia do të të japë një rrugëdalje për t’i shpëtuar tundimit? Pse, ose pse jo?
  4. Çfarë hapash duhet të ndërmarrësh për të shmangur “zonat” e tundimit në jetën tënde. Çfarë do t’i këshilloje një miku tënd në lidhje me këtë?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën dhe do të deshe të lexoje më gjerë për këtë temë, referoju vargjeve si më poshtë:
Mateu 6:13, 26:41; 1 Timoteut 6:9-100; Jakobi 1:2-3, 13-15; 2 Pjetri 2:9-10

0 komente:

Post a Comment