headerphoto

SHTATË SEKRETET E SUKSESIT

MANNA E SË HËNËS
Për përsosjen e moralit
në punë e në jetë
Janar 17, 2011
SHALOM MEDIA

Nga Rick Warren

Ka shumë tregues për ta përcaktuar atë që quhet sukses: pozitë shoqërore, pozitë administrative, gradime, para etj. Por një nga treguesit më të rëndësishëm të suksesit është aftësia influencuese d.m.th. ndikimi që individë të caktuar ushtrojnë mbi njerëzit rreth tyre në punë, në komunitet ose në familje. Çfarë ndryshimi sjellin ata në jetën e të tjerëve?
Në këndvështrimin historik dhe shpirtëror vihet re se të paktë kanë qenë ata si apostulli Pal që kanë pasur ndikim tek të tjerët nëpërmjet mënyrës se si e kanë jetuar jetën e tyre. Jeta e Palit përshkruhet në Testamentin e Ri të Biblës ku tregohet se, nga fund i saj, Pali, megjithëse shumicën e udhëtimeve i bëri më këmbë, ishte shumë efektiv në përhapjen e besimit të krishterë nëpër të gjithë Perandorinë Romake. Mendoni se sa shumë volum pune do të kishte kryer ai në rast se do të ishte i pajisur me telefon celular ose me faks! 

Pavarësisht se shumë prej nesh i janë përkushtuar biznesit ose profesionit të tyre, unë besoj se jeta e Palit ofron mësime të shumta, të cilat mund t’i zbatojmë edhe ne në jetën tonë. Ja disa elementë thelbësorë të jetës së tij të suksesshme:

SENS ORIENTIMI: Për të pasur sukses është e domosdoshme të dish se ku po shkon, cilat janë objektivat dhe qëllimet që i ke vënë vetes. “Po rend drejt synimit, për të fituar çmimin…” (Filipianëve 3:14).

DURIM: Duhet të jemi të aftë për të përballuar situata të papritura dhe të triumfojmë mbi fatkeqësitë. “Kam mësuar sekretin e të qenit i kënaqur në çdo situatë ” (Filipianëve 4:12).

PËRKUSHTIM: Në momentin që ia hyjmë një veprimtarie të rëndësishme, suksesi përcaktohet nga vullneti për ta vazhduar atë pavarësisht nga vështirësitë që ndeshim. “Nuk e çmoj jetën time pa kryer garën dhe detyrën që më ngarkoi Zoti Jezus ” (Veprat e Apostujve 20:24).

SOLIDARITET: Ashtu sikundër apostulli Pal ishte i ndjeshëm ndaj njerëzve në nevojë, edhe ne duhet të përpiqemi që t’i mbrojmë interesat e njerëzve që punojnë me/për ne. “Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë…dhe besimin sa të luaja malet…po të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë” (1 Korintasve 13:2-3).

ENTUSIAZËM:  Liderët e suksesshëm besojnë fort në misionin që i kanë vënë vetes dhe entuziazmi i tyre bëhet  “sëmundje ngjitëse”. “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

SHËRBESTAR: Liderët që mendojnë vetëm për vete nuk e kanë të gjatë. Liderët që i përkushtohen shërbesës ndaj të tjerëve, që i ndihmojnë ata të arrijnë qëllimet, janë liderë që fitojnë shumë pasues. “Do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithëse ju dua më fort dhe më doni më pak” (2 Korintasve 12:15).

QËNDRUESHMËRI: Fjala e urtë thotë, “Nuk ka rëndësi se si fillon, por si përfundon.” Kjo vërtetohet nga jeta e Palit. “Ne jemi shtrënguar nga çdo anë, por kurrë nuk jemi ligështuar, jemi mëdyshur, por jo  dëshpëruar, jemi përndjekur por jo braktisur, jemi rrëzuar, por jo mundur!” (2 Korintasve 4:8-9).

Mundohu t’i aplikosh në jetën tënde këto cilësi dhe pastaj shiko se ç’mund të ndodhë.

© 2010, Purpose Driven Life. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Adaptuar nga një shkrim i Dr. Rick Warren, autor i shumë librave, përfshirë edhe të shumëvlerësuarin “The Purpose-Drive Life”, i cili është përkthyer në disa gjuhë dhe është shitur në mbarë botën. Ky libër afirmon rëndësinë e të pasurit të një qëllimi të qartë në jetën e përditshme. Eshtë nominuar si një ndër 100 librat e krishtere që ndryshuan shekullin e XX. Ai ka shkruar gjithashtu edhe librat “The Purpose-Driven Church” dhe “The Purpose of Christmas”.

CBMC INTERNATIONAL:  President: Robert Milligan,
1065 N. 115th Street, Suite 210 ▪ Omaha, Nebraska 68154 ▪ U.S.A.
TEL.: (402) 431-0002 ▪ FAX: (402) 431-1749 ▪ E-MAIL: info@cbmcint.org
  Për pyetje ose kërkesa drejtohuni tek : www.cbmcint.org

Reflektim/Pyetje Diskutime

  1. Si do ta përcaktoje ti konceptin e suksesit?
  2. Si mendon, përse Dr. Warren thotë se ndikimi personal tek të tjerët është masa më kryesore e matjes së suksesit në jetë? A pajtohesh me këtë?
  3. Cili prej shtatë elementëve kyç të suksesit në jetë të përshtatet ty? Cili prej tyre të duket i pak ose aspak i rëndësishëm? Shpjegoje përgjigjen.
  4. Duke u nisur nga mënyra se si e përcakton ti suksesin dhe nga  shtatë elementët  kyç të përshkruar në këtë Manna të së Hënës, si paraqitet jeta jote?

SHËNIM: Në rast se e ke Biblën, shiko edhe pasazhet si më poshtë që lidhen me këtë temë:

Jozueu 1:8; Fjalë të Urta 12:28, 20:7; Efesianëve 2:10; Filipianëve 3:10; 2 Timoteut 3:16-17

0 komente:

Post a Comment