headerphoto

ZGJIDHI PUNONJËSIT ME KUJDES

Nga: Rick Boxx
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
15 Shkurt , 2010

Për çdo kompani biznesi kapitali më i rëndësishëm janë punonjësit e vet. Kompania mund të ofrojë produkte dhe shërbime të fjalës së fundit; mund të ketë burime financiare të qenësishme; mund të zbatojë një strategji marketingu të mrekullueshme dhe mund të krijojë një emër shumë të mirë në treg. Por, po nuk pati punonjës të aftë për të përmbushur në vazhdimësi detyrat e tyre në fushën profesionale dhe mbi të gjitha, po nuk pati njerëz me karakter të shëndoshë, suksesi i kompanisë zor se zgjat.

Një ditë, në kohën kur punoja si llogaritar, ndodhi që unë dhe një kolegu im po nxitonim për të përfunduar sa më shpejt një audit financiar në mënyrë që të mund të kapnim avionin e kthimit. Papritur u ndërpre energjia elektrike e qytetit ku ndodheshim. Ishte e pamundur ta përfundonim fotokopjimin e dokumentave të auditit.

Kolegu që më ndihmonte në këtë audit ishte një djalë i ri nga zyrat tona qendrore në Verilindje. “Unë po shkoj në qytetin pranë të bëj fotokopjet,” i thashë. “Ndërkohë ti, bashkë me nëpunësin përkatës merruni me pyetësorin dhe pastaj mundohu të paketosh gjithë dokumentacionin; kështu që të mund të nisemi menjëherë sapo unë të kthehem”.

Kur u ktheva, u habita nga pamja e djaloshit që e kishte zënë gjumi mbi tryezën e dhomës së mbledhjeve. As kishte dalë nga dhoma dhe as ishte marrë me pyetësorin siç e kisha porositur. Kur e zgjova, ai me përçartje më tha se i kishte rënë në kokë alkooli që kishte pirë.
I revoltuar mora në telefon partnerin tonë në Atlanta dhe i sugjerova që ndaj këtij djaloshi të merrej masë disiplinore për qëndrim joprofesional ndaj punës. Më vonë mësova se zyra e Nju Xhersit nuk ishte mjaftuar me kaq, por e kishte pushuar nga puna fare.

Në Testamentin e Vjetër të Biblës gjejmë shumë thënie të mençura në lidhje me karakterin e njerëzve përfshi këtu edhe zellin e tyre për punë dhe qëndrimin korrekt ndaj saj. Për shembull, në Fjalët e Urta 10:26 thuhet: "Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për atë që e dërgojnë". Sinqerisht e them se ngjarja me atë llogaritar mendjelehtë më shkaktoi të njëjtat ndjesi. U nxeha keq...

Një tjetër fjalë e urtë që ma kujton atë koleg me mungesë motivimi për punën është kjo: “Përtacia të bën të biesh në gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria” (Fjalët e Urta 19:15). Nuk di se çfarë ndodhi më tej me atë djalë, por shpresoj që pushimi nga puna t’i ketë shërbyer si zile zgjimi nga gjumi i mëngjesit.

Dy fjalë të tjera të urta kontrastojnë dukshëm me sa më sipër: “Kush dërgon mesazh me anë të budallait pret këmbët e veta..”. (Fjalët e Urta 26:6) dhe “Një lajmëtar besnik është për ata që e dërgojnë si freskia e borës në kohën e korrjes sepse ai freskon shpirtin e zotit të tij (dërguesit)” (Fjalët e Urta 25:13).

Përderisa punonjësit përfaqësojnë kompaninë, gjithmonë duhet bërë kujdes në zgjedhjen e tyre si për vendet e punës brenda përbrenda kompanisë ashtu edhe për sektorët ku zhvillohen marrëdhëniet me klientët. Nuk mund të mbështetesh vetëm në namin e mirë të kompanisë apo në marrëdhëniet e dikurshme me klientët. Në çdo kohë sjelljet jo profesionale dhe shërbimi i pakulturuar mund të lënë përshtypje negative që janë të vështira për t’u shlyer.


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A pajtohesh me mendimin se kapitali më i çmuar për çdo kompani janë njerëzit e saj? Pse ose pse jo?
  2. Si do të kishe vepruar ti në rast se do të të duhej të bashkëveproje me një koleg apo punonjës mendjelehtë dhe të papërgjegjshëm?
  3. Zgjedhja e punonjësve përbën një sfidë të madhe. Në ç’mënyrë pronarët ose drejtuesit e një kompanie mund të zgjedhin njerëz me cilësitë e duhura si zelli e motivimi për punë dhe karakteri i shëndoshë?
  4. Çfarë përpjekjesh ke bërë që, sa herë ndodhesh para situatave në të cilat ti përfaqëson kompaninë para të tjerëve, të luash rolin e “lajmëtarit që freskon shpirtin e zotit të tij” në mënyrë që të paraqitësh një imazh pozitiv i cili ngjall besim?

SHËNIM: Në qoftë se e ke Biblën dhe do të dëshiroje të dije më shumë për këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Fjalët e Urta 10:4-5; 13:4; 17:21,25; 18:9; 19:3,10; 21:25; 24:7; 26:1,11

0 komente:

Post a Comment