headerphoto

BIBLA: RËNDËSIA E SAJ AKTUALE

Nga: Robert J. Tamasy
Shërbesë për komunitetin e
biznesmenëve të krishterë
22 Shkurt, 2010

Prej disa vitesh, çdo javë, kam pasur priveligjin të redaktoja dhe shpesh të shkruaja “Mannën e së Hënës”. Është inkurajuese të dëgjosh reagimet e njerëzve mbi këto shkrime. Zemra ma thotë se Bibla përbën kurdoherë një burim të pashembullt urtësie e mençurie edhe për botën profesionale dhe të biznesit. Por nuk kam qenë i këtij mendimi qysh në fillim.

Andej nga fundi i viteve ’70 botoja një gazetë dhe mund të them se isha një njeri i cili besonte tek Perëndia në “një mënyrë të përgjithshme”. Po të më pyesnit atëherë se sa domethënie kishte Bibla në punën apo në jetën time të përditshme, ndoshta do të kisha dhënë këtë përgjigje: “Jo edhe aq”. Marrëdhëniet e mia me Perëndinë konsistonin në shkuarjen rregullisht në kishë një herë në javë dhe në lutje Perëndisë për ndihmë në çaste vështirësish ekstreme (lutje që i harroja sapo vështirësitë kalonin).

Më pas fillova të botoj gazetën në një qytet tjetër dhe kishën e frekuentoja në po atë qytet. Pastori i atjeshëm kishte qenë vetë dikur reporter gazete dhe për këtë shkak, gjetëm një gjuhë të lehtë komunikimi midis nesh. Ishte ai që më ndihmoi të kuptoja vlerën praktike të Biblës në çdo aspekt të punës dhe jetës si: biznesi, martesa, familja, financat, marrëdhëniet me njerëzit etj. Ajo ç’ka do të lexoni më poshtë, është një përmbledhje e disa mësimeve që unë kam nxjerrë nga Libri i Fjalëve të Urta që atëherë:

Perëndia do të udhëheqë jetën dhe karrierën time. Mbas vitesh të tëra mëdyshjesh në lidhje me rrugën që do të merrte karriera ime profesionale, arrita në përfundimin se Perëndia paskish pasur një plan krejt të veçantë për mua dhe se unë duhet të kisha besim në Të për të mësuar se si të zgjidhja atë që ishte më e mira për mua dhe familjen time. “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe Ai do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).

Perëndia do të bekojë planet e mia. Herë pas here e kam vënë re se kur i bëj planet e mia të punës dhe të jetës duke pasur parasysh udhëheqjen e Perëndisë, arrij rezultate shumë më të mëdha nga sa kam parashikuar. “Besoja Zotit veprimet që bën dhe planet e tua do të realizohen” (Fjalët e Urta 16:3).

Perëndia do të më motivojë. Shpesh kam menduar, “Çfarë po bej dhe, a po veproj në rrugë të drejtë”. Nëpërmjet lutjeve Perëndia më ka ndihmuar që këtyre pyetjeve t’u jap përgjigje të sinqerta dhe, kur ka qënë e nevojshme, të bëja edhe korrigjimet e duhura në platformën e qëllimeve të mia. “Çdo rrugë e njeriut i duket e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat” (Fjalët e Urta 21:2).

Perëndia do të ma frenojë gjuhën. E kam pasur gjithmonë zakon që të flisja pa u menduar mirë duke shkaktuar shpesh telashe në familje ose me kolegët e punës. Perëndia më ka mësuar se shpesh është më mirë që të mos thuash asgjë para se të kenë kaluar emocionet e momentit. Pas kësaj me siguri që do të flasësh me më shumë mençuri. “Në fjalët e shumta mëkati nuk mungon, por ai që frenon gjuhën është i mençur” (Fjalët e Urta 10:19).

Perëndia do të më mësojë përulësinë. Ne mendojmë shpesh se vetëm disfatat dhe dështimet shërbejnë si “sprova” që i bëhen karakterit tonë, por sprova të vërteta për karakterin janë edhe mënyrat se si reagojmë ndaj suksesit që arrijmë dhe namit të mirë që fitojmë. A mbahemi me të madh apo e shijojmë suksesin me përulësi dhe me ndjenjën e mirënjohjes për mundësitë që na janë dhënë nga Perëndia dhe nga ndihma e njerëzve që na rrethojnë? “Poçja (e shkrirjes) është për argjendin dhe furra(e shkrirjes) për arin, por njeriu provohet nga lëvdata që merr” (Fjalët e Urta 27:21).


Reflektim/ Diskutim/ Pyetje

  1. A pajtohesh me mendimin se Bibla ka vlera aktuale për jetën e sotme apo e konsideron atë vetëm si një libër “fetar” me pak ose aspak influencë në botën reale? Shpjegoje përgjigjen.
  2. Një biznesmen i shquar ka pohuar se ai çdo ditë dëgjonte mesazhe motivuese në radio dhe nuk linte libër për menaxhimin e biznesit pa lexuar derisa, dikur, ra në kontakt me Biblën dhe filloi të përvetësonte mësimet e saj. Ai arriti në përfundimin se Bibla është libri më i thelluar që është botuar ndonjëherë. Si do t’i përgjigjeshe kësaj konsiderate?
  3. Cili ka qënë mesazhi më i rëndësishëm që ke marrë nga Bibla (në rast se ke marrë) të cilin ke mundur ta zbatosh në punë ose në jetën tënde?
  4. A të vjen ndërmend ndonjë sektor pune ku mesazhet e Biblës nuk mund të aplikohen?

SHENIM: Po ta kesh Biblën dhe dëshiron të thellohesh më shumë në këtë temë, shiko pasazhet si më poshtë:
Jozueu 1:8; Psalmet 1:1-6, 19:7-11, 119:9,11, 65-72; 2 Timoteut 3:16-17, Hebrenjve 4:12

0 komente:

Post a Comment